E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i vendimeve penale, nënshkruhet marrëveshja me Italinë

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe Kryeprokurori i Antimafias Italiane, Piero Grasso, duket se i kanë dhënë rrugën e zgjidhjes problemit të ekzekutimit të vendimeve penale mes dy vendeve. Ministri i Drejtësisë priti dje në një takim zyrtar Pietro Grasson, takim që u përqendrua në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit. Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë deklaroi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë, për ekzekutimin e vendimeve penale është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. Burime nga Ministria bënë të ditur se ministri deklaroi që ekzekutimi i vendimeve penale është një problematikë që e ka rritur ndjeshmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. “Një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit”, - u shpreh ministri.
Nga ana tij, Prokurori Kombëtar i Antimafias, Pietro Grasso, u deklarua optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. “Kjo ishte një nga arsyet e vizitës sime në Shqipëri. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër. Është shumë e rëndësishme që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër, por të zbatohen. Kjo sepse personat e dënuar rikthehen në vendet e tyre, duke vazhduar me aktivitetet e tyre kriminale”, – u shpreh Prokurori i Antimafias Italiane, Grasso. Të dyja palët shprehën vullnetin reciprok që bashkëpunimi dypalësh të funksionojë me shpejtësinë e duhur për të goditur në kohë dhe me efektivitet krimin.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›