E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi ne Durres, kerkohet ndihma e policise italiane

DURRES- Policia e qytetit të Durrësit do të kërkojë ndihmën e homologëve italianë për të hedhur dritë mbi vrasjen e Eugent Deliallisit. 35 vjecari, pronar i një diskoje në plazhin e Durrësit u ekzekutua të martën në mbrëmje në afërsi të mbikalimit të Plepave, në Durrës.

Gazeta Shqiptare shkruan sot duke iu referuar burimeve nga uniformat blu, se i riu nuk ka qenë person i skeduar në qytetin bregdetar dhe se pistë kryesore hetimi mbetet aktiviteti i viktimës në emigracion në Itali.

10 persona janë shoqëruar në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për vrasjen e Eugentit, si dhe janë arritur të sekuestrohen disa prova materiale të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes në mënyrë shkencore.

Policia dyshon se vrasja ka qenë e studiuar më parë, pasi dy autorët kanë zgjedhur mbikalimin e Plepave, një vend që në orën kur ndodhi vrasja, (21.00) dhe në këtë stinë është thuajse i zbrazur nga njerëzit si dhe fare i pandriçuar.

Në cilësinë e dëshmitares është marrë dhe bashkëshortja e viktimës, e cila po mbahet në kushtet e mbrojtjes prej uniformave blu.

Ajo ka qenë duke udhëtuar në makinë bashkë me bashkëshortin e saj kur ka ndodhur dhe ekzekutimi.

Shkrimi në GSH i gazetarit Artur Korriku, zbulon se në vendin e krimit policia ka gjetur 10 copa gëzhoja pistolete prej të cilave 9 copë të kalibrit 9 mm dhe 1 copë e kalibrit 7,62 mm.
Në cilësinë e provës materiale janë gjetur edhe 2 skafandra motori (njëra ngjyrë gri e tjetra e zezë) si dhe një çantë sportive, e cila dyshohet se duhet të ketë shërbyer për mbajtjen e armëve të zjarrit dhe municioneve. Gjithashtu është mësuar se motori me të cilën janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes ka qenë i fuqishëm dhe me ngjyrë të verdhë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›