Qeveria turke jep 22 bursa pasuniversitare
TIRANE- Qeveria turke ofron 22 bursa studimi për të rinjtë shqiptarë për vitin akademik 2010-2011. Nga këto, 4 janë bursa kërkimore 8-mujore; 13 janë bursa për programe studimi të nivelit master ose doktoratë (PhD), ndërsa 5 bursa të tjera janë akorduar për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke. Tetë prej bursave të nivelit master dhe doktoratë do të jenë sipas fushave të mëposhtme: 4 bursa studimi për histori, arkiva ose arkeologji; 2 bursa studimi për shkencat e edukimit (mësuesi) si dhe 2 bursa studimi për bioteknologji. Për bursat e kursit të verës të gjuhës dhe letërsisë turke, duhet të aplikojnë vetëm studentët e vitit të 4-t të turkologjisë, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Kandidatët për studime pasuniversitare të paraqesin në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH këto dokumente: Kërkesën, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë; fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë; fotokopjen e noterizuar të listës së notave; dy rekomandime; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit si dhe 3 fotografi. Për kursin e verës: kërkesën për ndjekjen e kursit të gjuhës; dëshmi për njohjen e gjuhës turke; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; 3 fotografi. Për kursin e verës, afati i fundit për pranimin e dokumenteve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 23 prill 2010, ndërsa për bursat e tjera do të jetë data 21 maj 2010.