E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet, kush do të bëjë vlerësimin

 

Fabiola Çela

Me rastin e festave të fundvitit, punonjësit e administratës shtetërore do të mund të marrin një pagë shpërblim. Por këtë pagë nuk do të mund ta përftojnë të gjithë buxhetorët. Qeveria ka përcaktuar kriteret që duhen përmbushur për të përfituar pagën e 13-të dhe mbi të gjitha ka përcaktuar dhe përgjegjësit që do të kryejnë vlerësimin e punonjësve.
Vlerësimi
Vlerësimi i punës së të gjithë punonjësve do të bëhet i ndarë në katër nivele "shumë mirë", "mirë", "kënaqshëm" dhe "jo mjaftueshëm". Punonjësit që janë në tre nivelet e para kanë marrë vlerësime pozitive dhe që lidhen me procedurën e konfirmimit në fund të periudhës së provës, me lëvizjet paralele apo edhe me ngritjen në detyrë. Të dalluarit, pra punonjësit që kanë marrë vlerësimin "shumë mirë" do të përfitojnë një pagë shpërblim dhe që është praktikisht paga e 13-të e vitit. Ndërsa ata që kanë marrë vlerësimin "mirë" do të marrin shpërblim 70% të pagës dhe ata që kanë vlerësimin "kënaqshëm" do të marrin shpërblim në muajin dhjetor 50% të shumës, kurse ata që kanë marrë vlerësimin "jo mjaftueshëm" nuk përfitojnë shpërblim. Qeveria ka vendosur që vlerësimi i punës së një viti do të kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë. Ky i fundit duhet të ketë njohuri për vendin e punës, si dhe të ketë monitoruar e mbledhur të dhëna për mbarëvajtjen në punë gjatë të gjithë vitit. Vlerësimi bazohet në mbarëvajtjen gjatë gjithë vitit dhe gjatë vlerësimit, zyrtari raportues nuk duhet të ndikohet nga puna, e mirë ose e dobët, që mund të jetë kryer gjatë muajve ose javëve të fundit, para përgatitjes së raportit. Ky vlerësim, pavarësisht se është vjetor mund të bëhet edhe për një periudhë 6-mujore, i cili nuk është një vendim përfundimtar. Ndërkohë në mbledhjen e fundit të qeverisë Kryeministri Berisha tha se "Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta. Nëse nga miradministrimi kanë tepruar në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta, limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë, dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë". Përveç buxhetorëve, shpërblim nga qeveria me rastin e festave të fundvitit do të marrin edhe pensionistët.

Katër nivelet e vlerësimit

Niveli 1: Shumë mirë
Mbarëvajtja në punë është në nivelin e pritshëm. Nëpunësi ka përmbushur saktësisht të gjitha objektivat e përcaktuara në fillim të vitit, apo edhe ato të shtuara gjatë vitit të vlerësimit.

Niveli 2: Mirë
Mbarëvajtja në punë arrin nivelin, që pritet në pjesën më të madhe të objektivave, por, gjithsesi, në disa prej tyre pritet realizim në nivele më të larta.

Niveli 3: Kënaqshëm
Mbarëvajtja në punë përmbush kërkesat bazë të vendit të punës, pa dobësi serioze.

Niveli 4: Jo mjaftueshëm
Arritjet në punë janë nën nivelin e pritshëm, të paktën në disa prej fushave kryesore, dhe kërkon përkushtim më të madh dhe aftësi për të arritur një nivel të përgjithshëm, të kënaqshëm.

Shkalla e vlerësimit
a) Vlerësimi i nëpunësve me emërtimin "Specialist", sipas strukturës klasike
•    Zyrtari raportues - Përgjegjësi i sektorit
•    Zyrtari nënshkrues - Drejtori i Drejtorisë
•    Zyrtari autorizues - Drejtori i Përgjithshëm
b) Vlerësimi i nëpunësve me emërtimin "Përgjegjës sektori", sipas strukturës klasike
•    Zyrtari raportues - Drejtori i Drejtorisë
•    Zyrtari nënshkrues - Drejtori i Përgjithshëm
•    Zyrtari autorizues - Sekretari i Përgjithshëm
c) Vlerësimi i nëpunësve me emërtimin "Drejtor", sipas strukturës klasike
•    Zyrtari raportues - Drejtori i Përgjithshëm
•    Zyrtari nënshkrues - Sekretari i Përgjithshëm
•    Zyrtari autorizues - Ministri
ç) Vlerësimi i nëpunësve me emërtimin "Drejtor i Përgjithshëm", sipas strukturës klasike
•    Zyrtari raportues - Sekretari i Përgjithshëm
•    Zyrtari nënshkrues dhe autorizues - Ministri
d) Vlerësimi i nëpunësve, me emërtimin "Sekretar i Përgjithshëm", sipas strukturës klasike
Zyrtari raportues, nënshkrues, autorizues - Ministri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›