E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohen dy “sulmuesit bjellorusë”

Mediat shtetërore në Bjellorusi raportojnë se dy personat e dënuar për sulmet me bomba në metronë e Minskut, janë ekzekutuar, me gjithë kundërshtimet e grupeve evropiane për të drejtat e njeriut.

Në një raport të shkurtër, agjencia shtetërore BeITA tha se Uladzislau Kavalou dhe Dimitri Kanavalu janë ekzekutuar.

Në nëntorin e vitit të kaluar, dy 26-vjeçarët, punonjës fabrike, janë dënuar me vdekje, pasi janë shpallur fajtorë për sulmet në stacionin nëntokësor të kryeqytetit bjellorus, të cilat lanë të vrarë 15 persona.

Nëna e Kavalout, Libou, tha se ekzekutimi i djalit të saj ishte hakmarrje nga qeveria e presidentit Aleksander Lukashenko.

Në Bruksel, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, ka reaguar ndaj lajmit të ekzekutimit, duke thënë se “nëse një gjë e tillë konfirmohet të jetë e vërtetë, ne e dënojmë atë”.

Veprimin e ndërmarrë nga Bjellorusia e ka dënuar edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle.

Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që zbaton dënimin kapital.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›