Ekzekutohen dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve të Shkodrës
Disa orë pas krimit arrestohet në periferi të Tiranës, Admir Tafili, i cili dyshohet të jetë vrasësi i dyfishtë, i Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. Mbi të rëndon dhe akuza e largimit nga burgu. Ndërsa dyshohet se vrasja e dy vëllezërve është kryer në shenjë hakmarrje nga Tafili, pasi vëllai i viktimave, Prel Pjetrushi, ka marrë pjesë në operacionin për vrasjen e babait të tij, Bahri Tafilit. Prel Pjetrushi, i cili jeton në SHBA, pritet në vijë sot për varrimin e vëllezërve. Marash Pjetrushi, babai i viktimave: Autori është Admir Tafili
SHKODËR Shiu i rrëmbyer që kishte pushtuar Shkodrën ditën e djeshme, dukej se po paralajmëronte një ngjarje të hidhur. Por dita e djeshme nuk rezultoi një ditë e zakonshme për dy vëllezërit Pjetrushaj, pasi për ta ishte thurur një plan që do tua priste jetën në mes.
Vrasja
Vëllezërit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, me banim në fshatin Grudë e Re, të Shkodrës, janë ekzekutuar me armë zjarri teksa po shkonin për në punë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e fshatit Grudë e Re të komunës Rethina, rreth orës 07:10 të së premtes. Sipas burimeve të policisë mendohet se autorët i kanë ngritur pritë dy vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, përkatësisht 42 dhe 25 vjeç, të cilët prej vitesh jetonin bashkë me familjet e tyre në këtë fshat. Dy viktimat janë vëllezërit e ish-oficerit të policisë Prel Pjetrushi, i cili në fillim vitet 2000 ka pasur poste drejtuese në Policinë e Shkodrës e Malësisë së Madhe dhe që më 21.12.2001 ishte plagosur rëndë në një pritë, jo larg banesës së tij. Ngjarja e së premtes ka ndodhur te kthesa e një prej rrugëve të brendshme të fshatit Grudë e Re, që të nxjerr në rrugën kryesore, që kalon ngjitur me ish-fushën e aviacionit. Dy vëllezërit e Prel Pjetrushit, i cili së bashku me familjen jeton prej vitesh në SHBA, kanë qenë duke lëvizur me një mjet personal tip Audi, pasi sipas deklarimeve të të njohurve shkonin në punë në Shkodër.
Skema
Lëvizjet e tyre kanë qenë të njohura nga vrasësit, të cilët u kanë zënë pritë në rrugën pranë ish-fushës së aviacionit dhe i kanë qëlluar me breshëri automatiku, duke i lënë të dy të vdekur brenda në mjetin që ishte në lëvizje. Dy viktimat kanë qenë në dy vendet e përparme të makinës dhe kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, akoma nuk ka motiv për këtë vrasje dhe as persona të identifikuar si autorë të saj. Dyshimet kanë rënë menjëherë mbi familjen Tafili, banues në Udhakryq në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër, djali i së cilës, shtetasi Admir Tafili, më 2 tetor të vitit të kaluar u arratis nga banesa e tij, ku kishte ardhur me leje disaorëshe, të dhënë nga burgu i Shënkollit, ku ai vuante dënimin për plagosjen e rëndë për shkak të detyrës të oficerit të policisë Prel Pjetrushi, ngjarje kjo e ndodhur më 21 dhjetor 2001.
Ndërsa i ati i dy viktimave të djeshme, Marash Pjetrushi, disa orë pas vrasjes së dy djemve, ka deklaruar se autor është Admir Tafili. “Ne nuk kemi punë me kërkënd, ata kanë deklaruar se kanë punë me ne. Prandaj jam i sigurt se autor është Admir Tafili. Ne nuk jemi në gjak me njeri”, ka deklaruar Marashi.
Arrestimi i Tafilit
Por arratia e zgjatur e Tafilit ka marrë fund pasditen e djeshme, pasi ai është arrestuar në një lagje periferike të kryeqytetit. “Nëpërmjet një operacioni të mirëorganizuar, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur kapja në periferi të Tiranës e Admir Bahri Tafilaj, 35 vjeç, nga Shkodra”, shkruhet në komunikatën për shtyp të policisë së kryeqytetit.. Sipas komunikatës, Tafili i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit “Shën Koll”, Lezhë, më datë 2 Tetor 2010, nga hetimet e deritanishme rezulton të jetë autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë, të ndodhur dje në mëngjes rreth orës 07:10’, në fshatin Grudë, Komuna Rrethina Shkodër, ku mbetën të vrarë Nik Pjetrushi, 43 vjeç dhe Gjovalin Pjetrushi, 25 vjeç. “Operacioni për kapjen e shtetasit Admir Tafilaj është konkluduar me sukses rreth orës 18:15 minuta të ditës së djeshme, pas kërkimeve intensive të kryera nga shërbimet e policisë së qarkut Shkodër dhe forcat RENEA, si dhe në sajë të informacioneve të sakta të grumbulluara nga strukturat e policisë. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë tip TT, e cila ishte e mbushur, si dhe katër krehra me fishekë. Aktualisht nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për dokumentim e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit, Admir Tafilaj, do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Shkodër”, saktëson më tej komunikata.
Si u iku policëve Admir Tafili gjatë lejes së burgut
Admir Tafili kishte marrë në fillim të muajit tetor një leje disaorëshe, pasi kishte një problem familjar
SHKODËR Arratisja e Admir Tafilit nga banesa e tij në Shkodër, ku kishte ardhur me leje disaorëshe nga burgu i Shënkollit, solli dhe arrestimin e 10 personave, efektivë të këtij burgu dhe shkarkimin nga detyra të drejtorit të tij, Mark Lleshi. Aktualisht për këtë ngjarje vazhdojnë të mbeten në burg 2 punonjës të policisë së burgjeve. Organi i Prokurorisë së rrethit të Shkodrës preu 10 fletë arreste për arratisjen e Admir Tafilit. Tetë policë të grupit të shoqërimit, shefi i policisë së burgut të Shënkollit, si edhe mjeku i burgut janë prangosur nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Hetimet kanë treguar se pikërisht mjeku i burgut ka deklaruar se nëna e dy vëllezërve është në gjendje të rëndë, gjë e cila nuk ka rezultuar e saktë. Dy vëllezërit Tafili, me banim në Shkodër, kanë përfituar leje të posaçme nga burgu i Shënkollit, ku vuanin dënimin me urdhër nr. 9746 datë 1 tetor 2010, dhe ku nga ora 09:00 – 18:00 të datës 2 tetor u lejuan për të vizituar të afërmit e tyre në shtëpi. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Shkodrës, dy të dënuarit kanë mbërritur në banesë rreth orës 11:30 dhe rreth orës 14:30 është konstatuar se i dënuari Admir Tafili është larguar nga ambientet e banesës. Nga hetimet e prokurorëve të Shkodrës është dalë në përfundimin se kishte elemente të mosrespektimit të rregullave për ruajtjen e të burgosurit Tafili, që kishte përfituar liri disaorëshe për takim me familjen e tij. Sipas organit të akuzës, efektivët e policisë nuk kanë respektuar rregullat në ruajtjen e të burgosurve, pasi në dhomën e gjumit, ku ka qenë Admir Tafili, dritaret kanë qenë pa kangjella dhe është dashur vendosja e një efektivi të policisë pranë tyre, kjo nuk ka ndodhur, duke ia lehtësuar arratisjen Admir Tafilit.
Deri tani, mësohet se nga hetimet e Prokurorisë nuk rezulton të ketë një bashkëpunim mes policisë dhe të arratisurit, ndërsa mësohet se policia e Shkodrës nuk ka qenë e lajmëruar mbi ardhjen e 2 vëllezërve Tafili me leje pranë banesës së tyre nga gardianët e Shënkollit deri në momentin e arratisjes. Efektivët e policisë kanë kontrolluar rreth 30 banesa në qytetin e Shkodrës, por dhe në fshatra, si Muriqan, Oblikë, Kosmaç, Trush etj. Policia fillimisht ka krehur zonën në afërsi të liqenit, te zona e livadheve, e cila ndodhet shumë afër banesës së Tafilit dhe ka hetuar për largimin e mundshëm të tij me anë të ndonjë varke. Djana Kolaj
11 vjet hasmëri mes
fiseve Pjetrushi e Tafili
Dy viktimat e djeshme, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, nuk ishin ngujuar, pasi pretendonin se nuk kishin pse ta bënin një gjë të tillë dhe kishin vazhduar jetën normalisht
SHKODËR Historia e konfliktit mes Prel Pjetrushit dhe familjes Tafili ka filluar më 2 gusht 2000, kur gjatë një operacioni të drejtorisë së policisë së Shkodrës, me qëllim kapjen e Bahri Tafili, (babai i Admir Tafilit) i shpallur në kërkim për vrasje, ku i pranishëm ishte dhe oficeri Prel Pjetrushi, u vra drejtori i atëhershëm i Policisë së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili. Pas kësaj ngjarjeje, familja Tafili ka akuzuar Prel Pjetrushin, si autor të vrasjes së Bahri Tafilit.
Hakmarrja
Admir Tafili, i cili atëherë ndodhej jashtë Shqipërisë, kthehet në Shkodër. Ndërsa babai i tij ishte vrarë dhe vëllai i tij Genc Tafili ndodhej në burg, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Arben Zylyftarit, Admir Tafili qëllon për të vrarë Prel Pjetrushin, teksa ky kthehej nga puna, si shef krimesh në Malësinë e Madhe, në banesën e tij në Grudë të Re. I plagosur rëndë me tre plumba, ai është dërguar jashtë shtetit dhe ka mundur të shpëtojë. Rreth 15 muaj më pas, ai është larguar familjarisht drejt SHBA, ku dhe vazhdon të jetojë.
Admir Tafili kapet pas një rrethimi të gjatë policie, më 2 korrik 2001, dhe dënohet me 22 vjet burg për vrasjen në tentative për shkak të cilësive të veçanta të Prel Pjetrushit. Në shtator të vitit 2010, Prel Pjetrushi ka ardhur në Shkodër pasi ka martuar vëllanë e tij, Gjovalinin, e vrarë në mëngjesin e së premtes. Më 2 tetor 2010, vëllezërit Admir e Genc Tafili, që vuanin dënimet për vrasje në burgun e Shënkollit në Lezhë, marrin disa orë leje për të shkuar pranë familjes në Shkodër, leje kjo që për Admir Tafilin jepej për herë të parë. Ndonëse të shoqëruar me një togë prej 8 policësh, Admir Tafili arrin të largohet nga banesa dhe që atëherë është i arratisur dhe i shpallur në kërkim.
Akuzat
Familjarët e Admir Tafilit, në disa raste kanë deklaruar publikisht se është Prel Pjetrushi që ka vrarë Bahri Tafilin dhe se kishin gjak për të marrë. Ndërsa Marash Pjetrushi, babai i Prel Pjetrushit dhe dy viktimave të ditës së djeshme, pat deklaruar se ai dhe 5 djemtë e tij, si dhe të afërmit e tjerë të fisit, nuk i kanë asnjë borxh askujt dhe nuk kanë qëndruar të mbyllur apo ruajtur. Sipas tij, i biri Prela ka qenë i pranishëm në operacionin e policisë, ku u vra Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili, ashtu si shumë efektivë të tjerë policie dhe nuk ka qëlluar ai mbi Bahri Tafilin. E ndërsa familja Pjetrushi ka vazhduar jetën normalisht, në mëngjesin e së premtes, dy djemtë e saj, Nik 43 vjeç dhe Gjovalini 25 vjeç, i martuar në shtatorin e vitit të kaluar, janë vrarë në një pritë në fshatin ku jetonin. Lidhur me këtë ngjarje, e cila është vrasja e dytë e rëndë e ndodhur brenda javës në Shkodër, polica nuk ka ndonjë motiv. Mësohet se po hetohet dhe në pista të tjera hakmarrjeje, për shkak të detyrës, që lidhen me aktivitetin e Prel Pjetrushit, si oficer policie. Familja e tij nuk ka asnjë konflikt apo hasmëri me të tjerë, dhe dy djemtë e saj të vrarë të premten kanë qenë të njohur si njerëz të rregullt e punëtorë, pa asnjë konflikt personal. Pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Grudë të Re, në Shkodër kanë ardhur forcat speciale, Renea me dy furgonë, një mjet tjetër dhe me një blind dhe janë ngritur postblloqe e po bëhen kontrolle në zona të ndryshme.