E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit ekzekutojnë me pushkë nënën dhe motrën

Nga hetimet e para, dyshohet se dy vëllezërit tashmë të arrestuar pas një grindjeje banale me familjaret kanë qenë nën efektin e alkoolit

ELBASAN Ekzekutojnë me armë nënën dhe motrën dy vëllezër nga Elbasani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23.55 në lagjen ‘11 Nëntori’ të qytetit të Elbasanit. Leonora Lenkaj, 40 vjeçe, dhe nëna e saj Donika Lenkaj, 62 vjeçe, janë vrarë me një pushkë automatike nga Leonard Lekaj 25 vjeç.

Vrasja

Sipas fqinjëve, krismat janë dëgjuar në mesnatë. “Mendova se ishte një kapsollë, fishekzjarr apo shashkë që hedhin fëmijët”, u shpreh një nga fqinjët e pallatit përballë. Por krismat ishin shumë të forta dhe tani bëj lidhjen që ka qenë armë zjarri”. Sipas burimeve policore, 25-vjeçari ka qëlluar të paktën 6 herë në drejtim të nënës dhe motrës së tij, të cilat banonin se bashku, pasi e ndjera rezultonte e ndarë prej vitesh nga bashkëshorti i dytë i saj, Shefqet Leka. Gjithçka është zbardhur vetëm dje në orët e paradites. As bashkëshorti i divorcuar, që jetonte ngjitur, dhe as fqinjët, nuk kanë lajmëruar policinë për atë tragjedi që fshihej brenda katër mureve të dhomës modeste në lagjen ‘11 nëntori’. Nënë e bijë kanë qëndruar të vrara pranë e pranë për rreth 12 orë. Në mëngjes, Shefqet Leka ka dalë si zakonisht nga banesa dhe qetësisht është çapitur nëpër lagje. Ishte apo jo në dijeni të tragjedisë, kjo ende nuk dihet, ndonëse një mur e ndante nga ish-bashkëshortja e tij. Rreth orës 10.00, 25-vjeçari Leonard Leka është vetëdorëzuar në polici, duke kallëzuar për krimin që kishte bërë. Pak orë më vonë, në Pogradec është ndaluar edhe vëllai i tij Dritan Sokrat (Shefqet) Leka, 24 vjeç, i cili akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale dhe ishte i shpallur në kërkim nga policia.

Dyshimet

Drejtori i policisë së Qarkut Elbasan, Jashar Vreka, u shpreh se “sapo morëm njoftimin në vendin e ngjarjes shkuan efektiva të policisë, ekspertët dhe grupi hetimor. Pas disa tratativave, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, Leonard Leka, u vetëdorëzua në polici, ku ka pranuar se është autor i vrasjes së dyfishtë. Ende nuk mund të deklarohemi për shkaqet e vrasjes, por aktualisht mund të themi se motivet kanë qenë konflikte familjare”. Burime policore bënë të ditur se pista kryesore mbetet ajo e konflikteve të vazhdueshme familjare. Sipas versionit paraprak, njëri, ose të dy vëllezërit, të ndodhur nën efektin e alkoolit, kanë shkuar në dhomën ku flinin nënë e bijë, e pasi janë konfliktuar, nuk ja kanë kursyer plumbat. Sipas pistës së dytë të hetimeve, vrasja ka ndodhur për motive xhelozie. Burime policore pohuan se dy vëllezërit dyshonin për imoralitet tek e motra 40-vjeçare, ndërkohë dyshime kanë patur edhe për nënën, e cila mendonin se ishte rilidhur me burrin e parë. Për këtë arsye ata grindeshin shpesh me motrën dhe nënën. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një pushkë automatike si dhe disa gëzhoja fishekësh. Vëllezërit Leka janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët. Ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes me dashje dhe në bashkëpunim të dy ose më shumë personave dhe armëmbajtjes pa leje. Por Leonard Leka ka pranuar se është ai autori i vrasjes dhe se vëllai tjetër nuk ka gisht në këtë ngjarje. Prokurorët e çështjes, Binas Nina dhe Alfred Shehu janë duke grumbulluar provat për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Fatos Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›