Ekzekutohet 33-vjeçari, policia dyshon hakmarrje për një ngjarje të ‘97
Viktima Klodian Lumani ishte plagosur pak kohë më parë me thikë, pas një sherri në pije e sipër me disa persona. Policia e kishte të dyshuar në një plagosje të 1997-ës
BERAT- Një atentat me kallashnikov plagosi rëndë duke i sjellë më vonë vdekjen një 33-vjeçari nga qyteti i Beratit, menjëherë pas mesnatës së të mërkurës. Ngjarja e rëndë që i mori jetën 33- vjeçarit, Klodian Lumani, ndodhi pranë një qendre interneti. Policia njoftoi se ende nuk ishin të qarta motivet, por po hetohej për zbardhjen e tyre ndërsa dyshohej për lidhje me një ngjarje të ‘97-ës dhe një sherr të pak ditëve më parë.
Atentati
Autorët mendohet se i kanë bërë pritë Lumanit, ndërsa ky i fundit dilte nga qendra e internetit dhe e kanë qëlluar atë me breshëri, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe kokë. Ai u transportua drejt spitalit rajonal në këtë qytet, nga persona që janë gjendur pranë vendit të ngjarjes, por me gjithë ndihmën e mjekëve ai humbi jetën disa orë më pas. Mjekët e repartit të Kirurgjisë thanë se viktima kishte mbërritur rreth orës 01:30 në gjendje të rëndë për jetën. Mjekët konstatuan se ai ishte qëlluar disa herë në kokë dhe në trup me armë zjarri. “Ai kishte dy plagë të rënda të shkaktuara nga plumbat në kokë dhe disa të tjera në trup, të gjitha nga një distancë e afërt”, - njoftuan mjekët. Sipas tyre, për shkak të plagëve të rënda ka qenë e pamundur të shpëtohet jeta e të riut.
Hetimet
Policia ka shoqëruar dje dhjetë persona, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Pranë qendrës së internetit ku ndodhi dhe krimi, ekspertët e policisë mësohet kanë gjetur disa gëzhoja arme automatike të llojit kallashnikov, të cilat ishin shkrepur ndaj 33-vjeçarit. Ky i fundit mësohet se ndodhej pranë qendrës së internetit në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, qendra e internetit ishte mbyllur disa minuta më parë dhe i riu ndodhej pranë saj në kohën që është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Policia ndërkohë njofton se po heton në dy pista për zbardhjen e atentatit. Krimi sipas saj mund të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti të hershëm që 33-vjeçari ka pasur që prej vitit 1997. Sipas policisë gjatë trazirave të 1997 ai është dyshuar se ka kryer një plagosje, ngjarje e cila nuk u zbardh asnjëherë nga ana e policisë për mungesë të provave. Ndërkohë, një tjetër pistë e policisë është dhe ajo rreth një grindje të ndodhur ditët e fundit mes tij dhe disa të rinjve të tjerë, me të cilët viktima dyshohet se ka pasur njohje. Sipas policisë disa ditë më parë ai mësohet se ishte zënë në pije e sipër me disa bashkëmoshatarë të tij në lagjen ” Kushtrim”, ngjarje nga e cila ngeli i plagosur lehtë me armë të ftohtë.