E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau babë e bir në 2001, ekstradohet nga Italia

Interpol Tirana ka ekstraduar Kastriot Dervishin, i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e dyfishtë, pasi e penguan të martohej me të afërmen e tyre. Vjen me pranga në duar edhe i akuzuari për përdhunim

Interpol Tirana ka ekstraduar dje dy shqiptarë nga Berati, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të “vrasjes” dhe “përdhunimit”. Kastriot Dervishi, 33 vjeç , lindur në Syzes të Beratit është kthyer me pranga në duar, pasi Gjykata e Beratit, me vendim të datës 25 maj 2001 e kishte deklaruar fajtor, duke e dënuar me 25 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim“, e kryer dy herë. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, Kastriot Dervishi, më datë 3 shtator 1997, rreth orës 20:00, ka vrarë me armë zjarri babë e bir. Konflikti mes tyre kishte nisur, pasi këta nuk e kishin lënë të martohej me vajzën dhe motrën e tyre, A.D., duke menduar se shtetasi Kastriot Dervishi kishte si qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion në Itali. I kërkuari Kastriot Dervishi është arrestuar në Itali më datën 12.10.2011, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në momentin e ndalimit, është paraqitur me gjeneralitetet Lulzim Shkurti, por verifikimet e mëtejshme dhe krahasimi i gjurmëve të gishtave kishte zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Po dje, zyra e Interpol Tiranës kreu ekstradimin nga Athina të 19-vjeçarit Myslim Sani, po nga qyteti i Beratit. “Gjykata e rrethit Gjyqësor Vlorë, në vitin 2008 ka vendosur dënimin me 2 vjet e 8 muaj të Sanit, për kryerjen e veprës penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 102/2 dhe 22, të Kodit Penal”,-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Myslim Sani, në bashkëpunim me një tjetër shtetas, më datë në gusht të vitit 2008, në qytetin e Vlorës ka tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë, e më pas janë denoncuar në polici. Në mungesë të arrestimit të tyre, urdhër-arresti u bë ndërkombëtar, çka solli edhe ekstradimin nga Greqia të Myslim Sanit. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›