Përplasje me armë në Berat, pesë të plagosur në mesnatë
Një konflikt i armatosur për motive ende të paqarta ka shkaktuar plagosjen e dy vëllezërve dhe dy personave kundërshtarë. Plumbi godet edhe kalimtarin e rastit. Dy prej të plagosurve nisen drejt Tiranës, në gjendje të rëndë
Një konflikt i armatosur mes dy grupesh u ka rrezikuar jetën 5 personave në Berat, dy prej të cilëve vëllezër. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë, rreth orës 23.22 minuta në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat, ku konflikti i nisur për motive ende të paqarta ka degjeneruar në përplasje me armë. Pesë personat e plagosur janë vëllezërit Andi dhe Leli Vavla, 30 dhe 25 vjeç, Fatos Çobo, 38-vjeç, Ardit Hasani, 25 vjeç dhe një kalimtar i rastësishëm, i quajtur Ledi Qojle. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndaj edhe janë nisur me urgjencë në drejtim të spitalit Ushtarak në Tiranë. Forca të shumta të policisë së Beratit kanë mbërritur në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e konfliktit. “Nga ajo që dihet deri tani, dy vëllezërit Vavla janë konfliktuar me dy personat e tjerë dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë. Arsyet e këtij konflikti janë në proces hetimi”,-thanë burimet e policisë për mediat. Konfirmohet se i plagosuri i pestë ka qenë duke u kthyer në shtëpi, në kohën që është goditur nga një plumb. Inspektorët e policisë kanë marrë në pyetje dëshmitarët e përplasjes së dhunshme, të cilët kanë treguar mbi konfliktin e armatosur, që shkaktoi panik në qytetin e Beratit. E ndërsa dy prej të plagosurve janë dërguar në Tiranë për kurim të specializuar, tre të tjerët po trajtohen në spitalin e Beratit për plagët e marra. Hetuesit në vendngjarje ende nuk kanë firmosur ndonjë urdhër-arrest, por nga të dhënat paraprake mësohet se të dy palët kanë qenë të armatosur dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit. Hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin rrethanat e këtij konflikti dhe të çojnë në pranga përgjegjësit.
Të plagosurit
Andi Vavla, 30 vjeç
Leli Vavla, 25 vjeç
Fatos Çobo, 38 vjeç
Ardit Hasani, 25 vjeç
Ledi Qojle, kalimtar.