Mashtrimi 9 mijë euro për tunelin e Kalimashit, 1.5 vjet burg kroatit
Tiranë Gjykata e Tiranës ka dënuar me një vit e gjysmë burg një ish-punonjës të kompanisë “Bechtel- Enka”, i cili është shpallur fajtor për akuzën e mashtrimit ndaj një kompanie tjetër. Shtetasi kroat Tomislav Hetler është gjykuar në mungesë, pasi i ka marrë përfaqësueses së një kompanie shqiptare 9 mijë euro, me qëllim lidhjen e një kontrate për lyerjen e tunelit të Kalimashit, i ndërtuar nga kompania “Bechtel- Enka”. Duke shfrytëzuar emrin e kompanisë, Hetler, i cili nuk ka qenë i autorizuar për lidhjen e kontratave, ka marrë shumën prej 9 mijë euro, me premtimin se kontrata do të realizohej mes dy kompanive. Gjykata tashmë ka shpallur fajtor 38-vjeçarin, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë gjykimit të zhvilluar në Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se më 22 qershor të vitit 2009 i pandehuri Tomislav Hetler është paraqitur pranë kompanisë shqiptare “Triumph” sh.p.k, ku është prezantuar si përfaqësues i kompanisë “Bechtel-Enka”, duke paraqitur dokumentet përkatëse. Gjatë takimit i pandehuri ka premtuar lidhjen e kontratës midis kësaj kompanie dhe kompanisë “Bechtel-Enka” me objekt “lyerjen e tunelit dhe strukturës së tunelit Thirrë-Kukës, kundrejt shumës së 9 mijë eurove. Vetë i pandehuri ka nënshkruar një deklaratë dore në gjuhën angleze, ku pranon faktin e marrjes së kësaj shume parash, si pagesë për të siguruar lidhjen e kontratës ndërmjet kompanisë “Triump” dhe “Bechtel- Enka, për strukturën tunel Thirrë/Kukës”- thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas hetimit të kryer për këtë çështje, rezulton se Tomislav Hetler ka qenë i punësuar pranë kompanisë “Bechtel-Enka” nga 13 prilli 2007 deri me 30 qershor 2009. Gjatë gjithë kësaj periudhe i pandehuri nuk ka qenë i autorizuar që të lidhë kontrata në emër të kompanisë “Bechtel-Enka”, pasi kjo kompani kontratat e saj i realizon nëpërmjet një procesi tenderimi dhe nuk pranon pagesa për dhënien e kontratave. Rreth një vit pas dhënies së 9 mijë eurove, administratorja e kompanisë “Triumph” ka dërguar një letër pranë kompanisë “Bechtel-Enka”, ku i kërkon informacion mbi zbatimin e një kontrate të firmosur ndërmjet kompanisë “Triumph” sh.p.k dhe “Bechtel-Enka”, ku kjo e fundit përfaqësohej nga shtetasi kroat Tomislav Hetler. Në këtë letër pretendohet se midis dy kompanive është lidhur një kontratë me objekt “lyerjen e tunelit dhe strukturës së tunelit Thirrë/Kukës” dhe për këtë arsye i janë paguar 9 mijë euro shtetasit punonjësit të kësaj kompanie Tomislav Hetler. “Po ashtu, në letër theksohet se situata është kritike, dhe prej një viti kompania “Triumph” sh.p.k priste përgjigje dhe nuk kishte asnjë kontakt me përfaqësuesin që kishte firmosur këtë kontratë për kompaninë “Bechtel-Enka””- thuhet në vendimin e gjykatës. Menjëherë sapo është njohur me këtë letër, menaxheri i Sigurisë për Projektin i kompanisë “Bechtel-Enka”, shtetasi britanik Everett J. A. King, ka depozituar një kallëzim penal në polici ndaj ish-punonjësit të kompanisë, Hetler, i cili asokohe nuk punonte më për Bechtel.
9 Mijë euro ka përfituar kroati Tomislav Hetler, duke përdorur emrin e kompanisë ku punonte. Ai i ka kërkuar paratë nga një kompani shqiptare, për të mundësuar dhënien e një tenderi
1.5 Vjet burg për mashtrim e dënoi gjykata kroatin, i cili nuk dihet nëse do ta vuajë ndonjëherë këtë dënim. Hetimi ndaj tij nisi kur ai ishte larguar nga vendi ynë dhe procesi vazhdoi në mungesë
Bechtel: Kroati s’ka qenë i autorizuar për kontrata
“Ky shtetas, deklaron se shtetasi Tomislav Hetler nuk ka qenë në asnjë rast i autorizuar, apo person kompetent për përfaqësimin e kompanisë “Bechtel-Enka” dhe në asnjë rast ky person nuk mund të lidhte kontrata me kompani të tjera. Kompania “Bechtel-Enka” në të gjitha rastet kontratat i bën nëpërmjet Departamentit të Nënkontratave me procedurë tenderimi”- thuhet në vendimin e gjykatës. Edhe pse nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, 38-vjeçari kroat është shpallur fajtor nga gjykata, duke u dënuar me 1 vit e gjysmë burg, masë dënimi kjo e njëjtë me atë që u kërkua edhe nga përfaqësuesi i akuzës.