E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten agjencia e udhëtimit dhe xhamia “Mbret” në Elbasan



Një agjenci udhëtarësh është grabitur paraditen e djeshme në qytetin e Durrësit. Fakti konfirmohet nga burime policore, të cilat bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Stacioni i trenit” të këtij qyteti. Sipas policisë, agjencia është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar, të cilët nën kërcënimin e armëve kanë grabitur punonjësen e saj. Sipas shpjegimeve të forcave të policisë mbi detajet konkrete të grabitjes, dy autorët kanë hyrë në ambientet e agjencisë “Dyrrahu”, e cila është një agjenci udhëtimi, në të cilën kryhen njëkohësisht edhe transferta parash. Pasi i kanë drejtuar armën pistoletë, duke kërcënuar punonjësen 35-vjeçare të agjencisë me inicialet XH.S., dy grabitësit kanë arritur të marrin shumën prej 2.300 dollarësh, 120.000 lekë të vjetra dhe 4.100 euro. Policia bën të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:00, pranë stacionit të trenit në qytetin e Durrësit, ku u vodhën rreth 10 milionë lekë, të cilat ishin në valutë dhe lekë shqiptare. Sipas dëshmisë që ka dhënë kjo punonjëse, dy të rinj kanë qenë pa maska dhe në momentin që kanë hyrë në agjenci, aty nuk ka pasur klientë të tjerë. Ajo ka mundur të bëjë disa përshkrime për policinë, edhe pse në gjendje të traumatizuar. Ndërkohë që dje në mëngjes është konstatuar edhe një tjetër grabitje me dhunë, me autorë ende të paidentifikuar. Sipas policisë, gjatë orëve të natës është grabitur kasaforta e xhamisë “Mbret” në Elbasan, e cila gjendet në brendësi të lagjes “Kala” të këtij qyteti. Sapo kanë shkuar në xhami në mëngjes, drejtuesit e saj kanë konstatuar derën kryesore të dhunuar, e hapur me forcë. Më pas, në brendësi të xhamisë kanë vërejtur se është grabitur arka e xhamisë, ku është marrë një sasi e konsiderueshme parash. Menjëherë është vënë në dijeni policia, e cila ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe po mundohet të bjerë në gjurmë të autorëve. Grupi hetimor ka konstatuar se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga porta kryesore e xhamisë e më pas kanë hapur me mjete të forta derën e brendshme të saj, ku kanë marrë në kasën që ndodhej e hapur brenda xhamisë një shumë të konsiderueshme parash. Provat e gjetura në brendësi të xhamisë pritet të identifikojnë brenda një kohe të shkurtër autorët.

Detaje

Në agjenci u grabitën 2.300 dollarë, 120.000 lekë të vjetra dhe 4.100 euro

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›