E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendje kaotike në qytetin e Bulqizës, grevistët shtojnë kërkesat

BULQIZË- Një minator grevist shtrohet në spitalin e qytetit në gjendje kritike, të tjerë thonë se janë kërcënuar nga policia, komisioni i grevës shton kërkesat, ndërkaq ACR premton rritje të pagës. Këto janë disa nga zhvillimet e ditës së katërt të grevës së urisë të minatorëve.

Minatori

Mirdash Neziri, 45 vjeç, minator prej 23 vitesh, ka përfunduar dje në spitalin e qytetit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e tij erdhi duke u përkeqësuar për shkak të kushteve mjaft kritike nën tokë. Ai kishte paraqitur luhatje tensioni dhe kishte pësuar të fikët. Me ndihmën e minatorëve grevistë që qëndrojnë në sipërfaqe, Neziri është nxjerrë nga nëntoka dhe është dërguar në spital për ndihmë më të specializuar. “Nuk ishte aspak e lehtë ta transportonim kolegun nga 1400 metra thellësi nëntokë. Bëmë kujdes që ai të mos kishte probleme të tjera gjatë ngjitjes lart. Ishte pa ndjenja dhe kjo na frikësoi shumë” - thanë kolegët që e dërguan atë në spital. Mjekët thanë se Neziri kishte rënie të tensionit, aritmi dhe probleme me zemrën. Mirëpo pas disa orësh Neziri ka kërkuar të rikthehet në galeri. Nuk është ende e qartë nëse komisioni i grevës ka pranuar kërkesën e tij për të rihyrë në galeri.

Situata

E gjithë Bulqiza përjeton ditë të tensionuara që nga fillimi i këtij muaji, por nga e hëna e kësaj jave gjendja në këtë qytet duhet konsideruar kaotike. Minatorët kanë tashmë nën kontroll gjithë minierën. Pasi kanë përzënë administratën e saj, ata janë zotër të gjithçkaje, zyrave, makinerive, minierës. Por vazhdimisht bëjnë kujdes që të mos ketë vjedhje, incidente apo probleme me “pronën” e tyre, siç ata e konsiderojnë minierën e kromit. Mirëpo një natë më parë tensioni është rritur ndjeshëm. Minatorët që protestojnë në sipërfaqe janë njoftuar se forca policie nga rrethet e tjera janë nisur në drejtim të Bulqizës. Sapo kanë mësuar një lajm të tillë, afro 300 minatorë kanë siguruar mjete të ndryshme rrethanore dhe janë grumbulluar te hyrja kryesore e galerisë. Madje janë shprehur se policia gabon rëndë nëse konfrontohet me minatorët që janë në grevë urie apo janë në protestë. Dje në mesditë komisioni i grevës njoftoi se kishte shtuar kërkesat. Kryetari i këtij komisioni, Baki Bajraktari, tha se janë shtuar dhe dy kërkesa të tjera që janë: largimi i menjëhershëm i administratorit të ACR-së dhe drejtorit të minierës, Medat Zogu, si dhe rritja e pagës me 40 për qind. Shtimi i dy kërkesave erdhi pasi minatorët prisnin një përgjigje nga ACR deri ditën e mërkurë në darkë. Kur nuk pati asnjë reagim nga koncesionari, minatorët grevistë vendosën të shtojnë dhe dy kërkesa të tjera

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›