E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltarët e Berishës, sekserë ne koncesionin prej miliona eurosh

Skandali/ Petraq Milo dhe Suzana Guxholli, aksionerë në firmat që fitojnë tenderat. Zbardhet afera prej 145 milionë eurosh, në lojë edhe kushëriri i kryeministrit Berisha

Habjon Hasani

Tiranë - Dy këshilltarët ekonomikë të kryeministrit Berisha, Petraq Milo dhe Suzana Guxholli, janë implikuar në konflikt interesi në një prej koncesioneve më të mëdha hidrike, duke përfituar nga koncesioni në bashkëpunim me një familjar të kryeministrit. Kjo histori u finalizua tri ditë më parë, kur qeveria shqiptare nënshkroi me konsorciumin “Interenergo Albania” marrëveshjen koncesionare për ndërtimin e 6 hidrocentraleve mbi lumin Shalë. Vlera e koncesionit është 145 milionë euro. Por verifikimi i të dhënave për firmën fituese tregoi se prapa këtij koncesioni kaq të kushtueshëm qëndrojnë këshilltarët, madje dhe familjarët e kryeministrit. Më konkretisht, konsorciumi fitues “Interenergo Albania” është krijuar në maj të vitit 2007 si bashkim i tri kompanive të ndryshme: “Interenergo Slovenia” (70 për qind), korporata “Dukagjini” e Kosovës (20 për qind) dhe “Euroconsulting” e Kosovës (10 për qind). Ky konsorcium paraqiti në muajin gusht 2007 në Komisionin e Oponencës Teknike projektin e saj për koncesionin në lumin Shalë, ose i njohur ndryshe si koncesioni i “Tre Dukagjinëve”. Tre muaj më vonë, me Vendimin Nr. 757 të datës 7 nëntor 2007, të firmosur nga kryeministri Berisha, kësaj kompanie i jepet një bonus favorizues prej 9.5 pikësh avantazh për tenderin që do të zhvillohej për këtë koncesion.
Bonus për këshilltarët
Vendimi i kryeministrit ishte në dukje një dhënie bonusi, i bazuar në ligjin “Për koncesionet”. Por verifikimi i pronarëve të këtij konsorciumi tregon se në të vërtetë kryeministri ia dha bonusin konsorciumit në të cilin bashkëpronar ishte dhe një këshilltar i tij. Më konkretisht, firma “Euroconsulting” e Kosovës (10 për qind pronare në konsorcium) është një kompani konsulence tërësisht në pronësi të zotit Petraq Milo, këshilltarit për ekonominë të kryeministrit. Përveç evidentimit të tij si pronar te dokumentet autentike të firmës, zoti Milo e ka pranuar publikisht pronësinë mbi këtë firmë dhe në curriculum-in që ka shpallur në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Por surprizat nuk kanë fund. Një tjetër këshilltare ekonomike e kryeministrit ka shpallur në curriculum-in e saj zyrtar faktin se është drejtoreshë dhe menaxhere në këtë firmë. Këshilltarja në fjalë është zonja Suzana Guxholli, e cila është dhe koordinatore direkte dhe eksperte e zyrës së kryeministrit për të gjitha koncesionet që jepen në Shqipëri. Por ndonëse pronar fuqiplotë i firmës “Euroconsulting”, zoti Petraq Milo, nuk ka preferuar të lërë shumë gjurmë në dokumente. Ditën e krijimit në Tiranë të konsorciumit “Interenergo Albania”, për llogari të firmës bashkëpronare “Euroconsulting” ka nënshkruar, në cilësinë e “drejtorit të autorizuar”, një person i quajtur Zilif Lufi. Ky i fundit rezulton të jetë një zyrtar i lartë i administratës së Ministrisë së Financave të Kosovës.
Ia shesim kushëririt
Tenderi për koncesionin e “Tri Dukagjinëve” u zhvillua më 22 prill të vitit 2008. Por 20 ditë para zhvillimit të tenderit (më 2 prill 2008) brenda konsorciumit “Interenergo Albania” ndodhi një rikonfigurim i aksionerëve. Kësisoj, më 2 prill 2008, firma “Eurocnsulting”, në pronësi të Petraq Milos, ia shet aksionet (10 për qind) e saj ortakes “Interenergo Slovenia”. Në të njëjtën ditë, madje para të njëjtit noter (Agim Robo), firma sllovene (pasi bleu aksionet e “Euroconsulting”) i shet një firme të panjohur, të quajtur “Alb Ener Investments”, 20 për qind të aksioneve. Nga shqyrtimi i të dhënave zyrtare rezulton se firma e sapofutur në konsorcium, “Alb Ener Investments”, ishte krijuar vetëm tri ditë (themeluar më 29 mars 2008), para nënshkrimit të kësaj kontrate noteriale. Pronar i firmës “Alb Ener Investments” rezulton të jetë zoti Haxhi Bardhi, një biznesmen i vjetër, i cili është dhe kushëriri i parë i kryeministrit Berisha.
Me letrat gati
Tenderin e zhvilluar më 22 prill e fitoi konsorciumi “Interenergo Albania”. Por, në ndryshim nga konfigurimi i mëparshëm, ky konsorcium kishte ndryshuar një pjesë të ortakëve. Pjesën prej 10 përqindësh që zotëronte në fillim firma e këshilltarit Petraq Milo e mori ortakja e saj sllovene, e cila në të njëjtën ditë që bleu 10 për qind nga këshilltari, shiti 20 për qind te një biznesmen me lidhje të ngushta farefisnore me kryeministrin. Kompania e zotit Milo u tërhoq nga konsorciumi 20 ditë para zhvillimit të tenderit, por prezenca e saj deri në atë kohë duket se ka pasur një implikim domethënës. Zoti Milo dhe kolegia e tij, Suzana Guxholli, duke qenë këshilltarë ekonomikë të kryeministrit, kanë akses të madh në informacionin mbi zhvillimin e propozimeve dhe tenderave për koncesionet. Zoti Milo ishte ortak i konsorciumit kur ky konsorcium fitoi bonusin favorizues prej 9.5 pikësh. Po çfarë nënkupton fitimi i një bonusi për koncesionet? E thënë shkurtimisht, bonusi i jepet një kompanie që paraqet në departamentet qeveritare një projekt të sajin për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Kompania që bën e para propozimin zakonisht avantazhohet nga pretendentët e tjerë për koncesionin. Ky avantazhim nuk është gjë tjetër veçse privilegj me disa pikë që ajo fiton nga bonusi. Por kush u avantazhua? U avantazhua pikërisht konsorciumi që projektin e vet e paraqiti para një zyrtari shtetëror, që në fakt ishte aksioner i konsorciumit.

“Interenergo Albania”

Aksionerët nga 10 maji 2007 deri më 2 prill 2008

“Interenergo Slovenia dd.” (70 për qind aksioner), pronar “Interenergo Grup”
“Dukagjini”, Kosovë, (20 për qind aksioner), pronar Ekrem Lluka
“Euro Consulting”, Kosovë (10 për qind aksioner), pronar Petraq Milo

Aksionerët nga 2 prilli 2008 e në vazhdim

“Interenergo Slovenia dd.” (60 për qind aksioner), pronar “Interenergo Grup”
“Dukagjini”, Kosovë, (20 për qind aksioner), pronar Ekrem Lluka
“Alb Ener Investments”, Tiranë (20 për qind aksioner), pronar Haxhi Bardhi

Lidhjet e nëndheshme të një konsorciumi

Institucionet qeveritare janë treguar shumë të kujdesshme në njoftimet e tyre zyrtare për ecurinë e tenderit të koncesionit të “Tri Dukagjinëve”. Gjatë shpalljes së fituesit dhe njoftimeve për lidhjen e kontratës këto institucione kanë artikuluar gjithmonë se fituesi ishte një konsorcium firmash sllovene, duke i lënë gjithnjë në hije aktorët shqiptarë të kësaj historie. Në fakt, sllovenët janë aksionerët më të mëdhenj të konsorciumit, por kuota të konsiderueshme në këtë konsorcium kanë edhe disa aktorë të spikatur shqiptarë dhe kosovarë. Korporata “Dukagjini”, që zotëron 20 për qind të aksioneve të konsorciumit, është një ndër kompanitë më të fuqishme në Kosovë. Ajo është tërësisht në pronësi të zotit Ekrem Lluka. Zoti Lluka, nga ana e tij, është një partner i vjetër biznesi me zotin Haxhi Bardhi në tregtimin e materialeve të ndryshme. Të dy janë biznesmenë të vjetër dhe ortakë të përbashkët në kompaninë tregtare “CPM Tirana”. Pronari i korporatës “Dukagjini”, Ekrem Lluka, komentohet në mediat kosovare si një biznesmen me një ndikim të madh në sferat politike të Kosovës. Ai është komentuar gjatë në Kosovë për ortakërinë e tij të hershme në tregun e telefonisë me padronët serbë të telekomunikacionit, të njohur ndryshe si “vëllezërit Koriç”. Zoti Lluka zhvillon biznese të shumta edhe në Slloveni, madje pikërisht në këtë vend ai nisi të ngrinte perandorinë e tij financiare, që sot përfaqëson një nga sipërmarrjet më me peshë në Kosovë.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›