Legalistët: Nis puna për shtatoren e Zogut
BURREL - Ka sjellë reagime vonesa e vendosjes së shtatores së Mbretit Zog në radhët e të djathtës në rrethin e Matit. Legalistët nëpërmjet drejtuesve të tyre kanë ushtruar presion mbi vendorët, që ata të zbatojnë një vendim kolegjial të Këshillit Bashkiak. Kryetari i PLL-së është takuar me kryetarin e Bashkisë Burrel, Skënder Lleshi dhe i ka kërkuar atij të marrë masat e duhura për zbatimin e vendimit të këshillit bashkiak. "Këtë javë presim të nisin punimet për ndërtimin e bazamentit të shtatores së mbretit Zog, në sheshin Demokracia", tha kryetari i PLL-së së Matit, Besnik Murati. "Fillimisht do të hedhim bazamentin, falë bujarisë së dy biznesmenëve matjanë, të cilët u bashkuan me grupin e biznesmenëve të tjerë që sponsorizuan ndërtimin e shtatores,- sqaroi Murati. - Shtatorja nuk mund të vendoset menjëherë pas ndërtimit të bazamentit, për shkaqe teknike, pasi duhet një kohë e caktuar që betoni të forcohet". Kryelegalisti i Matit, një kandidat potencial për deputet në Qarkun e Dibrës, nënvizon se do të ishte mëse normale që shtatorja e mbretit Zog të ishte vendosur aty ku ka vendosur këshilli bashkiak kohë më parë. "Nuk duam ta politizojmë këtë çështje. Ne kemi dashur që ajo të ishte vendosur në sheshin qendror të Burrelit para fillimit të fushatës elektorale, por me sa kuptojmë do të duhen 3-4 javë që shtatorja të vendoset aty ku është miratuar nga Këshilli Bashkiak, pas sugjerimit të specialistëve të fushës", u shpreh Murati. h.p