E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti i kazinove Shqipëri-Itali, kapet në Bari ortaku i Prudentinos

Daniele Viçentino, i njohur si bosi i klanit të “Sacra Corona Unita”-s, është arrestuar dje në Bari, në kuadër të operacionit “Kalipso”. Akuzohet edhe për pastrim parash, përmes lojërave të fatit në Itali dhe Shqipëri

Tiranë Arrestohet në Bari, Daniele Viçentino, i njohur si kreu i franksionit kriminal të “Sacra Corona Unita”-s, që sipas hetuesve italianë, dirigjonte skemën e lojërave të fatit Itali-Shqipëri, me përfaqësues të tij në Vlorë, Albino Prudentinon. Ky i fundit është ekstraduar në datën 11 janar të këtij viti, pas një operacioni të bujshëm për arrestimin e tij në qytetin e Vlorës, në kuadër të operacionit të koduar “Kalipso”, vazhdim i të cilit ishte edhe arrestimi i Viçentinos. Ky i fundit konsiderohej nga hetuesit italianë, si kreu i fraksionit më të rëndësishëm të “Sacra Corona Unita”-s dhe udhëheq akuzat e prokurorëve italianë për vrasje, rrëmbim, pastrim parash, krim të organizuar dhe ngritje të aktiviteteve të lojërave të fatit nga të ardhurat kriminale. Miku i tij, Albino Prudentino, i arrestuar pak muaj më parë në Vlorë, kishte përfunduar madje dhe ndërtimin e një kazinoje moderne në këtë qytet, e cila kishte kapur vlerën e investimit prej 1 milionë eurosh. Sipas hetuesve italianë, arrestimi i Dasniele Viçentinos mbyll qarkun e të gjithë operacionit “Kalipso”, i cili synonte arrestimin e të gjithë anëtarëve të fraksionit të “Sacra Corona Unita”, klan ky i angazhuar në pastrimin e parave, nëpërmjet investimit të të ardhurave kriminale në lojërat e fatit në vendet ballkanike. Arrestimi i Albino Prudentinos në Shqipëri është realizuar më 28 shtator, pas një bashkëpunimi mes forcave speciale italiane dhe atyre shqiptare. Arrestimi i tij erdhi pas një sërë vëzhgimesh të kryera në Vlorë. Pritej që Prudentino, me datë 1 tetor 2010, të inauguronte kazinonë e tij në qytetin e Vlorës. Gjithashtu, ai ishte pronar i një lokali në këtë qytet. Nga ana e tyre, hetuesit italianë kanë arritur të zbardhin të gjitha lidhjet e pjesëtarëve të këtij grupi. Mes tyre është edhe i arrestuari në Shqipëri, Albino Prudentino, për të cilin janë arritur të zbulohen disa përgjime me Daniele Vicientinon. Gjatë një bisede mes tyre, flitet për vënien në zbatim të një sërë aktivitetesh të jashtëligjshme në fushën e ushqimit. Në të vërtetë, raportet mes tyre ishin shumë të ngushta, aq sa të planifikonin fondet që duheshin për mirëmbajtjen e objekteve që kishin në pronësi, madje edhe për video-pokerat që sillte Prudentino në Shqipëri. Kjo gjë vërtetohet dhe nga një bisedë mes tyre, ku Prudentino i thotë Vicientinos: Duhet të kontrollojmë menaxhimin, për të arritur 25%. Duhet të vazhdojmë të merremi me menaxhimin”. Çfarë është menaxhimi? Bëhet fjalë për “ushtarët”, të cilët duhet të rrinin një muaj me ta për të mësuar ”zanatin” e mafiozit. Prudentino dhe Vicentino bisedonin edhe për problemet e shkuara dhe gjendjes së organizatës. “Jo, jo, nuk është më si më parë dhe nuk gjen më njerëz si në atë kohë” - mësohet të ketë pohuar i arrestuari në Shqipëri. Gjithashtu, ata kanë biseduar se si të ardhurat nga lojërat elektronike, kanë zënë më shumë vend sesa kontrabanda. “Këtë punë nuk e njihte askush. Ndërsa për sa i përket cigareve...ti e kupton? - ka shtuar më tej në bisedën e përgjuar Albino Prudentino. Në një tjetër bisedë tjetër mes tyre, del në pah e shkuara kriminale e Prudentinos, si dhe respektin që Daniele Vicientino kishte ndaj tij. Flitet për historinë e “Sacra Corona Unita”-s, e cila e zhvendosi aktivitetin e saj nga kontrabanda drejt lojërave elektronike, me anë të të cilave arrihet të fitohen të ardhura të mëdha për të mbajtur aktivitetet e tjera dhe mbi të gjitha, për të ndihmuar pjesëtarët e burgosur të këtij grupi.

Përgatiti: Habjon Hasani

Prudentino-Vicentino, ja biseda e përgjuar

Albino Prudentino: Ditën e kaluar nuk të kuptova mirë. Ditën tjetër më kërkove lekë?

Daniele Vicientino: Jo!

A: Ahh!

D: Të thashë që të bëjmë diçka bashkë.

A: Unë e kujtova se mos të duheshin disa euro për ata andej.

D: Jo...

A: Paratë i gjen në mënyra të ndryshme. Mua më kërko çfarë të duash. Unë për ty ndihem i njëjti person, me të vërtet, ndihem, por ... Atëherë, nëse ti nuk më jep dy djem, dy djem në dispozicion, për të gjitha makinat që ata do arrijnë të montojnë, unë do të jap... e bëjmë 50 me 50. Gjysmë unë e gjysmë ti. Nuk them ti, sepse unë të jap... 25 % e fitimit e marr unë, 25 % ti dhe 50 % i shkojnë barit.

D: Po, 50%.

A: 25 % mua, 25 % ty

D: 50 % i shkon barit, 50 ty. Pastaj mbi tënden...

A: Është normale, përderisa jemi në shoqëri.

D: Eh!

A: Jemi në shoqëri. Por ka një ndryshim, që unë do shkoj të blej makinetat.

D: Eh!

A: Di unë si të shkojmë t’i blejmë. Jo me lekë në dorë, por me çeqe dhe gjëra të tilla. Por ama dua që të kuptosh një gjë Daniele. Unë nëse po jetoj, po jetoj për një masë të madhe...

D: Po, është normale.

A: Borxhesh.

D: Do ia dalim, do ia dalim.

A: Eh, e di... kështu... duhet t’ia dalim.

A: Unë jam i bindur, këtë punë e kam bërë përpara se ta jepja dhe ty. Kur dolëm të gjithë, gjetëm një djalë të zotin, që na montoi makinat dhe na jepte 25 %, gjysmën e fitimit të tij. Ne nga 50 makineta që kishim, arrinim të fitonim 7-8-9-10 mijë euro në muaj, për 50 makinetat, nga 25 %. Kupton? Nuk mjaftojnë për t’i mbajtur Danie?

D: Joooo, veç fjalë, fjalë ka.

A: Duhet të më japësh dy djem, të mi vësh në dispozicion, do vijnë të punojnë me ne, me çunat do rrinë dy muaj, të mësojnë zanatin... do shkojnë të montojnë... më pas duhet t’u jap... t’u japin... duhet t’ju japin një dorë atyre, ku duhet të hynë me këto makineta, të saktësojnë në çfarë vendi të mirë... ku do shkojnë, do shkojnë në Brindizi, në Leçe, ata gjejnë një vend, ose kush do të jetë, miku i tyre, mik i yni, miku i dikujt, ata gjejnë vendin...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›