E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet ne krye te detyres shefi i Komisariatit te Shijakut

Është ekzekutuar me breshëri plumbash automatiku shefi i Komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së sotme në Katund të ri pranë Sukthit, në kohën që shefi i komisariatit të Shijakut ka qenë duke i bërë kontroll një automjeti të dyshimtë, kur drejtuesi i tij ka shtënë me armë. Mësohet se Tahiraj ka qenë në mjetin e tij kur i ka bërë shenjë të ndalojë mjetit të dyshimtë, por drejtuesi i tij nuk ka dhënë aspak kohë, por ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të.

Mësohet se kryekomisari Tahiraj ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi ka marrë mbi 7 plumba në trup, ndërsa mësohet se ka mbetur e plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Sipas burimeve zyrtare, praprakisht mësohet se Tahiraj po kryente një operacion për targat e huaja. Drejtuesi i automjetit që u ndalua ka patur edhe bashkëpunëtorë, të cilët dyshohen se kanë dalë nga pas makinës dhe kanë qëlluar nga një rreze 3 kilometër.
Nga të dhënat e fundit rezulton që në automjet së bashku me kryekomisarin kanë qenë edhe shoferi dhe një inspektor.

Identifikohen autorët e vrasjes
Siç informojnë gazetaret e ABC neës në vendngjarje policia e Durrësit ka identifikuar autorët e ngjarjes dhe automjetin me të cilën janë larguar dy autorët e identifikuar. Sipas policisë mjeti më të cilin janë larguar është një Benz i bardhë me targa VG 140 TC. Ndërkaq policia konfirmon se autorë të dyshuar të vrasjes janë Ilir Xhakja, 38 vjeç, një person me precedentë penale, i denuar 21 vjet heqje lirie në mungesë për një sërë vrasjesh dhe Ledio Krasniqi, 18 vjeç, nipi i Xhakjas, ky i fundit dyshohet si bashkëpunëtor në krim.
Policia po vijon punën për kapjen e tyre. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërkohë që drejtues të lartë të Policisë dhe forcat RENEA ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet e kësaj vrasjeje.
Postblloqe dhe patrulla policie vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve, duke shtuar trupat në terren. U kryen kontrolle në banesat ku mendohej se strehohen bashkëpunëtorët e autorëve, si edhe u kontrolluan banesat tek të afërm dhe të dyshuar të vrasjes. Autorët dyshohen se janë larguar me një nga automjetet.

Më herët një automjet i braktisur është gjendur pranë një vile trekatëshe të pabanuar, për të cilën policia dyshon se mund të jetë e njërit prej autorëve.
Trupi i pajetë i kryekomisarit Tahiraj është dërguar në morgun e spitalit, ndërsa kalimtarja që ka mbetur e plagosur, sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Deklarate e Policise se Shtetit per vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj
Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë, në vendngjarje, shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA.

Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. 
Strukturat e Policisë së Qarkut Durrës, forcat RENEA, si dhe forcat e FNSH-së vazhdojnë punën intensive për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë:
- Ilir Azem Xhakja, i datëlindjes 1974, 

-Ledio Ruzhdi Krasniqi, nipi i tij, që të dy banues në Katund Sukth.

Shtetasi Ilir Xhakja ka patur një sërë precedentësh të mëparshëm kriminalë:

- në vitin 1995 është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L.

- në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Petrit Gjoka dhe Petrit
Lyti.
-në vitin 1996 është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj
shtetasit Ylli M.

- më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e Komunës Katund
i ri Durrës.

-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në
mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.

Shtetasi Ilir Xhakja është arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit më datë
06.07.2007, por më pas u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

Dëshmon kalimtarja e plagosur: Vrasja pas një konflikti të çastit
Lene Ndoja, 64 vjeçarja e plagosur ka dhënë dëshminë e saj, sipas së cilës vrasja ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Ajo pohon se ka qenë një debat i fortë mes shefit të komisariatit dhe autorëve, i cili ka zgjatur pak minuta dhe në momentin kur ka dalë për të parë se çfare po ndodhte ka dëgjuar të shtënat. 64 vjecarja konfirmon se kryekomisari ka qenë brenda në makine kur është qëlluar me breshëri armësh, ndërsa nuk ka dhënë asnjë version për njohjen e tyre. Ndoja është prekur nga një plumb në kofshë dhe ndodhet jashtë rrezikut.

Kush është Adem Tahiraj?
Të dhëna personale mbi Kryekomisar Adem Tahiraj.

Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 1 shtator 1963, lindur në Kërrnajë,
Tropojë, e banues në Tiranë, i martuar, me arsim të lartë.

Ka një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, në radhët e të cilës ka
punuar prej mbi 20 vite.

Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në
strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe Gradën e lartë
Kryekomisar.

Adem Haxhi TAHIRAJ
Datëlindja:
01-09-1963
Vendlindja:
Kërrnaj, Tropojë
Gjendja Civile: I martuar
Kombësia:
Shqiptare
Arsimimi
Arsim i Lartë (DND)

Grada
Kryekomisar – me urdhër nr. 380/1 dt. 18-06- 2008

Detyrat
- Sektori i Policisë Kriminale
- Shef grupi (njësie) në njësinë operative, Drejtoria kundër krimit të organizuar, në
Departamentin e hetimit të krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Shef Njësie në njësinë operative në forcën e posaçme në Drejtorinë kundër krimit
të organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Shef njësie dhe specialist: njësia operative në forcën e posaçme.
- Shef komisariati: Komisariati i Policisë Shijak nga 02.09.2011.

Alizoti: Vrasja e tipit mafioz tronditi jo vetëm Durrësin
Në një lidhje telefonike për Abc Neës prefekti i Durrësit e cilëson këtë ngjarje të tipit mafioz dhe thekson se autoritetet duhet të marrin të gjitha masat për kapjen e autorit.
“Nuk do ta quaja rastësi, por një ngjarje të tipit mafioz, të rëndë dhe shokuese”- deklaroi Alizoti, i cili tha se ka mbetur e plagosur edhe një grua, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Më tej prefekti pohon se Tahiraj ishte shumë i qetë edhe në takimin e para dytësh që ka patur me të.

ABC News që në minutat e para ka transmetuar live dhe ka përcjellë në kohë reale informacionet nga vendgjarja deri në identifikimin e autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›