E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë samba për Tiranën

 

Tirana ka humbur 3-1 ndaj seleksionit të kampionatit brazilian në një takim miqësor vërtet emocionues të zhvilluar në Belek të Turqisë. Skuadra bardheblu realizoi edhe këtë herë një ëndërr të saj për të pasur përballë lojtarë dhe futbollin magjik të këtij vendi. 45-minutëshi i parë i ndeshjes midis Tiranës dhe Brazilit B foli për amerikano-latinët, të cilët dominuan në aspektin teknik dhe falë fantazisë në lojën e tyre, mundën të shënonin dy gola të shpejtë. Vunë nën presion skuadrën bardheblu dhe në tërësi kjo pjesë ishte më e mirë për ta. Tirana u mundua të organizohej dhe të punonte më mirë në sulm, por e pati të vështirë të ndalte vrullin e kualiteteve, kryesisht talente të rinj, që të bindur se po ndiqeshin nga qindra menaxherë, ditën të bënin gjithçka mirë në këtë pjesë. Krejt e kundërta ka ndodhur në 45-minutëshin e dytë. Stafi teknik i Tiranës bëri disa ndryshime në formacion, duke e freskuar atë me elementët e duhur dhe ndryshimi qe i menjëhershëm. Bardheblutë spostojnë lojën në gjysmëfushën tjetër dhe pothuajse gjatë gjithë kësaj pjese e kontrolluan krejtësisht ndeshjen, duke pasur raste të shumta shënimi dhe duke dominuar në kuptimin e plotë të fjalës në aspektin fizik, falë edhe përgatitjeve me ritëm të lartë që kanë pasur gjatë kësaj periudhe ekipi. Memelli godet dy herë shtyllën, ndërsa është kapiteni Muka, ai që realizon një gol të bukur, duke u kthyer kështu fuqishëm në mentalitetin e skuadrës dhe në planet e saj afatgjata. Por një kundërsulm shpejtë i brazilianëve konkretizohet me gol, kështu që takimi mbyllet me fitoren e përfaqësueses B të Brazilit me rezultatin 1-3. Pavarësisht humbjes, duhet thënë se Tirana zhvilloi një ndeshje të mirë, të vlerësuar nga menaxherët e shumtë të gjendur në Belek. Madje, vetë stafi teknik ka përgëzuar lojtarët për atë çfarë dhanë në fushë dhe ka premtuar se skuadra do të jetë shumë më lartë në përfundim të fazës përgatitore dhe do të përballojë me sukses garën në kampionat. Pas Milanit, ndaj të cilit Tirana fitoi 2-1 më 14 tetorin e kaluar në “Qemal Stafa”, përballja me një përfaqësuese dinjitoze braziliane ishte një tjetër moment i shkëlqyer që po kalon klubi bardheblu, takime që do të mbushin historinë e tij të lavdishme, afro 90-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›