E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamburgu i shpall “luftë” Bajernit për Lorik Canën

 

Jetmir Halilaj

Drejtuesit e skuadrës gjermane Hamburg kanë shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit kuqezi të Marsejës, Lorik Canën.Skuadra e Hamburgut e sheh 25-vjeçarin si zëvendësuesin e duhur për mesfushorin holandez Nigel de Jong, që pritet t’u bashkohet radhëve të skuadrës angleze të Mançester Sitit. Sipas të përditëshmes “Le Phoceen”, trajneri i Hamburgut, Martin Jol, e ka vënë mesfushorin kosovar në listë për ta transferuar gjatë janarit. Ai interesohet edhe Mark Van Bomel (Bajern Mynih) dhe Kristian Poulsen (Juventus). Mësohet se gjatë këtyre ditëve priten edhe takimet mes krerëve të Hamburgut dhe atyre të Marsejës. Aktualisht, mesfushori kosovar konsiderohet i pashitshëm nga francezët. Cana, që është edhe kapiten i Marsejës. Ai ka kontratë me këtë skuadër deri në vitin 2012. Vlera e kartonit të tij është rreth 15 milionë euro. Skuadra e Hamburgut këtë edicion po lufton për titullin kampion në Bundesligë dhe fazën e parë e ka mbyllur në vendin e katërt me 33 pikë. Mesfushori do të jetë në dispozicion të trajnerit Erik Gerets për ndeshjen e radhës kundër skuadrës së Soshosë. Këtë e ka bërë të ditur vetë futbollisti kosovar të dielën për mediat franceze.
Bogdani
Lacio vazhdon të jetë në bisedime me sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, Erjon Bogdani dhe tratativat mes klubit roman dhe Kievos do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme. Nga burime të afërta pranë lojtarit, bëhet e ditur se pritet vetëm miratimi i trajnerit të Lacios, Delio Rosi, i cili deri tani ka hezituar të thotë “po” për këtë transferim. Sipas medias italiane bardhekaltërit ofrojnë Simone Inzagin dhe Makinuan në këmbim të shtatlartit kuqezi, por Delio Rosi është dukur i lëkundur. Ndërkaq, drejtori teknik i klubit kryeqytetas, Igli Tare, po bën rolin e ndërmjetësit mes krerëve të shoqërisë dhe teknikut Delio Rosi për t’i dhënë një shtysë më shumë kalimit të Bogdanit te Lacio. Për sulmuesin kuqezi interesohen edhe Bolonja me Salernitanën, por kohët e fundit, bardhekaltërit janë në “pole position”. Ndërkaq, lojtari nuk u aktivizua asnjë minutë në takimin e djeshëm kundër Napolit, të cilin Kievo e fitoi me rezultatin 2-1. Bogdani qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›