Përmbyset autoboti me gaz, banorët e zonës në alarm
VLORË - Përmbyset një autobot i madh i mbushur me gaz të lëngshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Vlorës në orët e vona të ditës së enjte. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se një autobot, me rimorkio, i ngarkuar me gaz të lëngshëm, është përmbysur në dalje të qytetit, në një nga kthesat e fshatit Bestrovë. Shkak i rrëzimit të autobotit dyshohet të jetë një manovër e gabuar nga shoferi gjatë drejtimit të mjetit. Rënia e automjetit ka shkaktuar panik në zonë, sepse ai është përmbysur pranë një pike karburanti, ndërkohë që era e rënë e gazit është përhapur gjithandej. Në vend ka mbërritur policia, forca të zjarrfikësve dhe specialistë që janë duke punuar për largimin e autobotit. Sipas specialistëve, nuk ka vend për alarm, pasi rrjedhja nuk është e madhe dhe janë marrë të gjitha masat, për të eliminuar përhapjen e mëtejshme të gazit të lëngshëm në zonë.
Vdekja e shoferit të kamionit, hetim për tre drejtuesit e firmës
DURRËS – Vdekja aksidentale e një punonjësi gjatë një kontakti me rrymën elektrike dy ditë më parë në rrethin e Durrësit ka çuar në ndjekje penale tre drejtuesit e kompanisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se të enjten nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: Jani Qiro, 35 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në fshatin Arapaj, sipërmarrës në firmën “Laqirko” (e kontraktuar nga firma “Florada-Eka” për kryerjen e punimeve); Agim Ramabanaj, 44 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, pronar i firmës “Florada-Eka” dhe Agim Lamçe, 39 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar, sipërmarrës në firmën “Laqirko”. Sipas zëdhënëses së Policisë, Ornela Cako, procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Dy ditë më parë, rreth orës 09:00, shtetasi Myslym Dosti, 30 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, ka gjetur vdekjen pasi ka rënë në rrymë elektrike në kohën kur ishte duke shkarkuar materiale me kamionin e tij, në ndërtimin që po kryhej nga firma “Florada-Eka”. Hetimet ndaj tre pronarëve të dy firmave po kryhen në gjendje të lirë nga prokuroria e rrethit.
15 Nentor 2008