E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Xhafaj: Strasburgu “hapi” kutitë



Nga Lorenc VANGJELI

Është ende i zbehtë. Më i dobët. Ka hequr mjekrën që e ka mbajtur për plot 19 ditë në grevën e urisë, por shpesh, instinktivisht, çon dorën në fytyrë me ritualin e vjetër të të gjithëve që kanë mbajtur qoftë dhe njëherë mjekër. Kujtohet shpejt dhe e largon dorën nga fytyra. Fatmir Xhafaj, deputet i Partisë Socialiste dhe kryetar i shtabit të grevës së urisë është një nga politikanët më të vështirë për t´u intervistuar. Jurist i vjetër, nuk refuzon asnjë pyetje, por në secilën përgjigje nuk harron t´i rikthehet jurisprudencës. Dhe ndërsa flet për krizën e thellë politike ku ka hyrë vendi, thekson krizën e thellë në të cilën është zhytur sistemi i drejtësisë. “Ne luftuam me uri si një mjet për të vënë në rrugën e zgjidhjes të gjitha krizat që po kalon vendi”, thotë Xhafaj. Deputeti socialist tregon për MAPO-n të fshehtat e grevës, më transparentes të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, siç e quan ai, dhe jep gjykimin e tij për atë çfarë solli greva, çfarë ndryshoi ajo në shoqërinë shqiptare dhe çfarë do të ndodhë nesër me shoqërinë shqiptare. Vazhdon të besojë fort në mundësinë e realizimit të transparencës së zgjedhjeve të shkuara dhe thotë i bindur se nëse nuk do të ketë transparencë, vendi ka vetëm një rrugë, zgjedhjet e parakohshme. Në gjykimin e tij nuk mbetet pas as Presidenti i Republikës. “Më zhgënjeu”. Ky është i vetmi argument në të cilin Xhafaj këmbëngul: ky është qëndrimi im personal dhe jo i PS-së. Deputeti i PS-së tregon dhe çfarë ndodhi në Strazburg, sipas Xhafës, partnerë ndërkombëtarë europian janë shprehur se : “Çështja tani është më e qartë dhe ne të gjithë, të majtë dhe të djathtë e kuptojmë se çfarë fshihet në ato kuti. Kemi edhe ne përgjegjësitë tona se e kemi suportuar në kushtet teknike duke nënvleftësuar ato politike”.

Për grevën e urisë është shkruar shumë, ndaj mund të jetë me interes të kthehemi pak në të shkuarën. Si lindi ideja në Partinë Socialiste për të bërë këtë hap që konsiderohet ekstrem? Si arritët ta mbanit deri në momentin e fundit sekret vendimin tuaj?

Greva e urisë ishte rrjedhojë e një analize të gjatë, ishte një stacion në rrugën e gjatë të aksionit politik të opozitës, një kulm i saj i detyruar dhe i imponuar nga shurdhëria dhe cinizmi i qeverisë. Në dukje, ai ishte një aksion radikal, por tërësisht brenda kornizave të njohura nga eksperiencat e demokracive perëndimore. Për më shumë, ishte rrjedhojë logjike e nevojës që afronte realiteti politik në Shqipëri: demokracia shqiptare nuk ngjan në thelb, e madje as në përmbajtje, me demokracitë perëndimore; Shqipëria sot po jeton në demokraturë. Disa kritikë, cinikë e dashakeqës dhe shumë të tjerë që ndajnë projektet e të ardhmes me këtë qeveri që moralisht i përket së shkuarës apo dhe të tjerë që e shkuara e tyre i mban peng të qeverisë, e kanë konsideruar grevën si ekstremizëm opozitar, duan të “harrojnë” vetëm një “detaj”: greva ishte refleksion i ekstremizmit qeveritar ndaj një kauze tërësisht të drejtë.

Si u arrit që të ndërtohet “qyteti” juaj me çadra në mënyrë aq të papritur, pothuaj brenda oborrit të kryeministrisë?

E di mirë irritimin e kryeministrit Berisha kur pa që papritur në derë të “kullës” së tij u ngrit qyteti ynë i çadrave të urisë. E mësuam në kohë reale shfrimin e tërbimit të tij kur mbas shuplakës që i dha mitingu i 30 prillit, me një masë të pafund njerëzore që ishte ngritur kundër tij, i erdhi dhe shuplaka e dytë. Berisha shpesh sillet në politikë si drejtor i një agjensie spiunësh. Dhe ishte shumë nervoz kur morri provën se “spiunët” e tij nuk e kishin informuar për çfarë do të ndodhte. E përsëris, ne e mësuam në kohë reale reagimin e tij të ashpër. Ne përdorëm befasinë si një element taktik përballë një pushteti jocivil që shpesh i drejtohet dhunës si formë “dialogu” të njëanshëm dhe me këtë realizuam edhe shpërqëndrimin e kundërshtarit. Imagjinoni, ishin dhjetra njerëz që dinin se çfarë do të ndodhte, ishte siguruar gjithë ajo bazë materiale dhe Berisha që pretendon se njeh me emër çdo mizë që fluturon në ajër, nuk kishte pikën e idesë për “peisazhin” që do ta shihte çdo mëngjez me frikë dhe tmerr nga dritaret e zyrës. Deklaratat e mëvonshme të tij se mund t´i hiqte çadrat e urisë brenda 30 minutash, nuk i besonte as vetë ai. E ngrinte zërin për t´i dhënë moral, moralit të tij të lëkundur. Mund t´ju them edhe se nëse guxonte të merrte një aventurë të tillë, masat e sigurisë që ishin siguruar, do t´i afronin Berishës dhe pushtetit të tij surpriza tërësisht të pakëndëshme. Po personalisht kisha bindjen se nuk do të guxonte ta bënte një hap të tillë fatal. Përvoja duket i ka mësuar shumë gjëra edhe në këtë aspekt.

Ishit kreu i shtabit të grevës së urisë, ndërsa greva juaj, ashtu siç u realizua, konsiderohet me protokollin më të ashpër, vetëm ujë dhe ndihmë mjekësore. Pse zgjodhët pikërisht këtë formulë dhe a kishit besim se do të rezistonit deri në atë pikë që vajti rezistenca juaj?

Kemi konsultuar praktikën botërore dhe konventat përkatëse. Forma që ne zgjodhëm është vërtet më e ashpra. Ka greva në të cilat lejohet edhe kafe, kapuçino apo edhe çaj, por ne, në respekt të shenjtërisë së kauzës sonë, vendosëm të dëshmojmë dhe me këtë formë, vendosmërinë tonë. Ndoshta më parë nuk e dija as vetë. Sot e besoj dhe jam një nga qindra mijëra dëshmitarët e një të vërtete të madhe: kur bëhet bashkë shpirti dhe mendja, trupi është vetëm një mjet që bindet. Bashkë, shpirt e mendje, janë një aliazh i pathyeshëm. Dhe më besoni, askush, as vdekja nuk do të guxonte të ndërhynte mes bindjes sonë brenda në grevë dhe forcës për të fituar në emër dhe për llogari të çdo qytetari shqiptar. Çadrat ishin vendosur në Bulevard, midis kryeministrisë dhe ndërtesës së Kuvendit, ndërsa më në periferi, aty ku qëndron Presidenti i Republikës, është dhe Presidenca. Monitoroheshim 24 orë për 24 orë nga kamera të cilat ishin vendosur në zyrat e Berishës dhe Topallit, njëlloj siç monitoroheshim nga media shqiptare dhe qytetarë të zakonshëm. Një ushtri me njerëz që marrin rrogën e shtetit, u detyrua të ishte pjesë e monotorimit të asaj çfarë ndodhte anash çadrave. Mund të kujtohen pamjet që edhe rrobat e grevistëve, stafi mbështetës i nxirrte nga çantat, i tregonte dy herë nga kamerat e dritareve kryeministrore e kuvendore dhe vetëm pastaj ato futeshin brenda. Ajo ishte një grevë, e para e këtij lloji në Shqipëri brenda rregullave të parashikuara nga konventat ndërkombëtare të miratuara nga OKB-ja e KE-ja dhe zbatuam pikë për pikë kërkesat e tyre. Ne të gjithë bashkë, fituam mbi veten, mbi ato kufij të durimit njerëzor që nuk i dinim se i kishim, fituam mbi skeptikët dhe cinikët duke realizuar të parën protestë të këtij lloji për numrin e pjesëmarrësve, për shtrirjen e saj kohore dhe mbi të gjitha, i dhamë Shqipërisë një institucion të ri e të ndershëm: grevën e vërtetë të urisë vetëm me ujë, serume dhe shpirt që na ushqente me forcën e besimit dhe të bindjes në drejtësinë e vendimit tonë të përbashkët! Do të përpiqem sot dhe nesër të mirëkuptoj të gjithë skeptikët dhe kritikët për shkak të bindjes personale jo miratuese ndaj këtij veprimi, në media, në shoqëri e kudo gjetkë, por nuk do të rresht kurrë së gjykuari me përçmim të gjithë ata njerëz që kërkojnë të fitojnë para e pushtet nëpërmjet politikës, që kërkuan të bëjnë politikë me mjetet e errësirës, që përmes cinizmit, shpifjeve e fyerjeve i dhanë fytin, zërin dhe portretin ideve të marra të njeriut të errësirës që nuk pranonte transparencën e votës edhe atëherë kur nën dritaret e zyrës së tij protestohej me çadra transparente.

Grevistët e ngujuara së bashku me ne 23 deputetët përfaqësonin krahinat e të gjithë Shqipërisë nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim! Po ju jap disa statistika të thjeshta po që tregojnë shumë. Të gjithë të arsimuar dhe rreth 63% e tyre me arsim të lartë dhe 37% me arsim të mesëm. Ishin të moshave të ndryshme. Rreth 20% deri në 30 vjec, 55% 31 deri në 45 vjeç dhe 25% mbi 45 vjeç. Ishin të profesioneve dhe moshave të ndryshme. Këtu 10% e grevistëve ishin juristë, 10%, ekonomistë, 6% inixhinierë, 5% mësues, 7% studentë, 11% ish-ushtarakë dhe vetëm 12% të papunë. Këto janë statistika që unë besoj se edhe kështu flasin shumë.

Cili ishte momenti më i vështirë që keni përjetuar në grevë?
Kuptoni, ishin 19 ditë grevë urie. Trupi tretej dhe dobësohej çdo ditë. Dhimbje koke, marrje mendsh, dhembje zemre, dobësi trupore deri në sfilitje. Dhimbje të stomakut, të barkut, deri dhe dhembje dhëmbësh. Tensioni arterial ishte shumë i ndryshueshëm brenda ditës. Shumë nga ne nuk pinin dot as ujin, shija e të cilit për disa ishte bërë e neveritshme, por ishte i domosdoshëm se ishte i vetmi që na mbante gjallë. Shumë lanë çadrat, se trupi i tyre i dobësuar nuk ka mundur të rezistojë më. Shumë e rëndë u bë situata sidomos në ditën e 12 dhe të 13 të saj kur pati një fluks të sëmurësh nga uria dhe komplikacionet që e shoqërojnë atë. Edhe moti i ftohur së tepërmi dhe shiu e bënë të vetën, ndërsa për shumë nga grevistët, mjekët kërkonin largimin e tyre të menjëhershëm. Atëherë ndodhi edhe një gjë e papritur : disa nga kolegët deputetë dhe vet grevistët kërkuan me forcë kalimin në një formë edhe më të ashpër të grevës, heqjen dorë edhe nga mjekimi, situatë që u normalizua jo me lehtësi.
Si e konsideroni rolin e Presidentit të Republikës gjatë kësaj periudhe të ngarkuar me krizë ?

Kësaj pyetjeje dua t´i përgjigjem vetëm në emrin tim dhe jo të PS-së. Presidenti arriti të zhgënjejë shumëkënd dhe jo vetëm mua që më ka zhgënjyer dy herë edhe si ish-koleg. Ky simbol i unitetit në vend, siç thotë Kushtetuta, por peng i të shkuarës së tij tek Sali Berisha, nuk arriti të afrojë as edhe mbështetje humane. Më shumë folën ndërkombëtarët nga Brukseli sesa Presidenti nga Tirana që madje, sic na thanë, la dhe Tiranën për një vizitë pune në Stamboll. Më kujtohet një shprehje e vjetër popullore, por hë për hë, nuk është vendi për ta thënë. Edhe kur foli, Presidenti mërmëriti një frazë që nuk e kuptoi as vetë. Shpesh, edhe në çadra si në publik, deri dhe ai publik i paangazhuar, ndjeu revoltë dhe protestë, kur Presidenti Bamir, shkoi në stadiumin Kombëtar, bëri 100 metra rrugë për futbollin dhe jo 200 deri tek çadra e urisë. Apo “sakrifikoi” të bëjë 40 kilometra deri në Kavajë në vend të së njëjtës distancë. Megjithatë, nuk mund të kërkosh diçka aty ku nuk mund të gjesh. Personalisht nuk kam besuar se Presidenti mund të ishte në gjendje të luante ndonjë rol aktiv në zgjidhjen e krizës. Dhe kjo për shumë arsye, që, në respekt të funksionit që mban, nuk po i listoj. Mund të them se për shkak të pozicionit të tij të dyzuar, ai nuk pati shans të krijojë autoritetin e nevojshëm për një pozicion mbi palët dhe për më keq akoma, mbetet tërësisht i kompleksuar nga shumica që e ka prodhuar në epruvetën e tre vjetëve më parë. Më shumë se kaq, kam mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që opozita ishte në grevë dhe grevistët e kishin paraqitur këtë çështje si pjesë të kërkesave të tyre publike. Në dijeninë time, ky veprim i tij ka pasur edhe habinë e ndërkombëtarëve. Njëlloj sic e pati edhe votimi i këtyre dekreteve nga ana e znj.Topalli në të njëjtën ditë që kishte filluar dialogu në tryezën e Strazburgut !! Veprim cinik, është pak ta thuash.

Greva e urisë dhe protestat e tre javëve rresht të partisë socialiste sollën nisjen e negociatave mes PD e PS për zgjidhjen e krizës. Nga kjo pikpamje, sa mendoni se arriti sukses ky aksion politik?
Jam i bindjes se greva ka triumfuar plotësisht si në plan politik, si në plan moral e më gjerë. Ne kemi ndaluar përkohësisht. Gjatë këtyre dy javëve që pasojnë ne respektojmë kohën ultimative që i është dhënë kundërshtarit tonë politik për të reflektuar. Ne do të presim me durim që ata të bëjnë zgjedhjen e duhur që do të ishte dhe zgjidhja më e mirë edhe për ata vetë.
Kjo betejë e opozitës ka sjellë edhe një efekt tejet pozitiv për demokracinë në vend. Kauza e opozitës për zgjedhje të lira ka fituar si asnjëherë më parë një mbështetje masive nga qytetarët në të gjithë vendin. Kjo është arritje e madhe, shenjë e ndryshimit të mentalitetit të njerëzve në këtë vend. Shqiptarët përditë e më shumë po konsolidojnë bindjen se asgjë në jetën e tyre nuk mund të bëhet e e arritshme dhe nuk mund të jetë e qëndrueshme pa zgjedhje të lira.
Rezultati i padiskutueshëm i grevës është se sot nuk kemi më një kryeministër që flet për vendime gjykatash dhe për "antikushtetutshmëri" të transparencës dhe hapjes së kutive, por edhe ai ka filluar të belbëzojë me zë dhe të flasë “nën zë” për modalitetet se si do të bëhet hapja e kutive.
Opozita arriti ta kthejë betejën e saj në një betejë për vlerat evropiane të Shqipërisë. Protesta e opozitës ka arritur suksesin më të madh të mundshëm të saj, pasi ka bërë aleatë në çështjen e opozitës shqiptare personalitet më të larta të Bashkimit Evropian. Ajo arriti ta ngrejë debatin mbi transparencën e zgjedhjeve shqiptare, nga një debat i brendshëm në Partinë Socialiste dhe nga një debat cinik në politikën shqiptare, në një debat serioz të krerëve më të lartë politikë dhe ekzekutivë të Bashkimit Evropian. Greva bashkoi të majtët dhe të djathtët në Parlamentin Europian dhe kjo është një risi me vlerë të madhe që krijon garanci në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që do t'i nënshtrohet arsyes dhe jo anësive politike partiake. Greva ka vënë në lëvizje miqtë e Shqipërisë, aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të Europës perëndimore.
Vërtet ishin pothuaj tre javë uri, por jo thjesht dhe vetëm kaq. Protesta e Partisë Socialiste, rreth çadrave të rezistencës mblodhi si kurrë ndonjëherë më parë qytetarë të zemëruar me qeverisjen dhe rrënjët e saj të gënjeshtra që nisën në 28 qershor; mblodhi qytetarë nga Tropoja e deri në Sarandë, nga jugu në veri. Qytetaria shqiptare u derdh në Tiranë për të shkruar histori, historinë e një force politike dhe një shoqërie që nuk do të pranojë kurrë të lerë qytetarin peng të pushtetit korruptiv, historinë e të gjithëve ne, që duam lirinë e votës si të vetmin themel të sigurt mbi të cilin ndërtohet demokracia funksionale dhe shteti i së drejtës.
Ka shumë mister për darkën e Strazburgut, çfarë mund të tregoni diçka më tepër?

Nuk ishte darkë në kuptimin që i jepet në shqip kësaj fjale, ku mblidhen disa njerëz që bëjnë muhabet. Ishte një tryezë pune. Si darkë kërkoi ta trajtojë z.Berisha për të zbutur faktin se ju pre një biletë urgjente për në Strazburg si një recidivist krizash, që duhej të dilte përpara arbitrit ndërkombëtar. Në mënyrën sesi e shpjegoi Berisha darkën, kjo ishte një fyerje e rëndë për zyrtarët e lartë evropianë, a thua se ata i kishte marrë malli të hanin darkë me një krokodil të vjetër zgjedhjesh tek “Krokodili” në Strazburg. Pa treguar ndonjë sekret, PS nuk shkoi në tryezë për të transferuar krizën e Tiranës, por për t´i dhënë asaj zgjidhje. Ndërkombëtarët vlerësuan rolin konstruktiv të opozitës e madje edhe ndërprerjen e grevës. Kjo e fundit nuk na u kërkua, por e afruam vetë si një shenjë të vullnetit tonë të mirë për zgjidhje të krizës. Mund t´ju them se në tryezë u shpreh edhe përgjegjësia e një pjese të faktorit ndërkombëtar: “Çështja tani është më e qartë dhe ne të gjithë, të majtë dhe të djathtë e kuptojmë se çfarë fshihet në ato kuti. Kemi edhe ne përgjegjësitë tona se e kemi suportuar në kushtet teknike duke nënvleftësuar ato politike”. Me siguri dhe garanci të plotë mund të them se Tryeza ishte një hap i madh drejt garantimit të transparencës së plotë të 28 qershorit. Tryeza nuk është mbyllur. Zgjidhja është shumë afër. Evropa ka folur për herë të parë përmes dy grupeve kryesore të Parlamentit evropian, ka folur me gjuhën e forcës së arsyes: ose merruni vesh, ose s’ka opinion për statusin e vendit kandidat e ndoshta edhe më shumë se kaq. Në një ambient ku gjuha diplomatike është elementi kyç në komunikimin institucional, ky përbën një precedent unik. Për zotin Berisha ka vlerë të dyfishtë si recidivist në krimin e tij ndaj zgjedhjeve. Shqipëria rrezikon jashtë mase në këtë sherr politik. Dhe ju siguroj se në vlerësimin tonë në PS kjo nuk konsiderohet fitorja e për njërën apo tjetrën palë, përkundrazi, kjo është humbja e të gjithëve. Ndaj jemi realisht të angazhuar për një zgjidhje të shpejtë përmes dialogut të shëndetshëm, por në asnjë mënyrë për tërheqje nga kauza dhe aq më pak për pazare në cënim të saj.

Çfarë shpresoni se do të sjellin negociatat e partisë suaj me PD-në dhe cili është parashikimi juaj për të ardhmen afatmesme të politikës shqiptare ?

Kemi nevojë për kompromise demokratike që mundësojnë zgjidhje parimore e të qëndrueshme prej të cilave nuk fitojnë e humbasin llogaritë e llogaritarët personalë, por fiton demokracia, fitojnë qytetarët. Eksperienca jonë jo e largët në këtë fushë shpresoj të na ketë bërë të nxjerrim mësime. Personalisht kam marrë të tilla.
Marrëveshja që po negociohet me ndërmjetësinë dhe presionin Euro-Atllantik ka në themel transparencën e kutive të votimit, por konteksti i saj duke se është më i gjerë dhe synon shëndetin e demokracisë në Shqipëri, në një vend anëtar të NATO-s që duhet të tregojë se realisht se ka një demokraci funksionale dhe respekton realisht parimet e shtetit të së drejtës. Nga informacioni që kam marrëveshja në vlerësimin dhe synimin e partnerëve ndërkombëtar të lodhur me politikën konfliktuale recidiviste shqiptare synon të krijojë një bashkëjetesë dhe një paqe politike e sociale të ndërtuar mbi legjitimitetin e pushtetit, mbi të drejtat e barabarta dhe të garantuara dhe kryesorja mbi një standard të ri për zgjedhjet në këtë vend.
Ne e kemi theksuar qartazi përmes lidershipit tonë politik se jemi të gatshëm t´i negociojmë kërkesat tona si pjesë të një marrëveshje të përbashkët, por nuk jemi aspak të gatshëm të bëjmë pazare në kurriz të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në të kundërt ne gjithashtu e kemi bërë shumë të qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbeten opsioni i vetëm e konkret jo thjesht e vetëm si qëllimi i çdo opozite, por përherë e më i prekshëm edhe për shkak të mënyrës se si vendi po qeveriset, se si po e ushtron pushtetin kjo maxhorancë e delegjitimuar politikisht dhe moralisht, por edhe të mënyrës tërësisht jo demokratike se si po e trajton marrëdhënien me opozitën dhe rolin e fuksionin e saj në demokraci.

Jeni shprehur se kriza në Shqipëri ka një dimension më të gjerë se thjesht politike; sipas jush, çfarë parametra të tjerë ka kriza dhe për t´u përqëndruar në fushën tuaj, sa ka ndikuar ajo në të sotmen dhe të nesërmen e sistemit të drejtësisë ?
Ne sot mund të themi se jemi duke këputur një nyje në litarin e egër që ka zënë për fyti qytetarin shqiptar, hapja e kutive është vetëm një hap në këputjen e litarit që ka zënë për fyti edhe transparecën aq të domosdoshme në ekonomin e vendit dhe në sistemin e drejtësisë.
Ne mbetemi të shqetësuar për krizën e thellë politike dhe institucionale që po kalon Shqipëria, pasojë e drejtëpërdrejtë e shprehjes së deformuar të vullnetit të zgjedhësve në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, krizë e cila reflektohet në degradimin e pushtetit legjislativ, në arbitraritetin e pushtetit ekzekutiv, por jo më pak edhe në dobësimin e sistemit të drejtësisë, sistem i cili është sot në ditët e tij më të këqia për shkak të mungesës së hapur të transparencës, përpjekjeve të ethëshme për kontroll nga segmente të lidershipit politik të maxhorancës, për nënshtrim nga njerëz me fuqi ekonomike, por jo më pak edhe nga vetë përpjekja për kontroll nga individë të veshur me pushtet administrativ brenda vet sistemit.

Mjafton të kujtosh emërimet dhe transferimet në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit të bëra para pak kohësh nga KLD dhe vecanërisht votimin e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përcaktimin e kandidaturave të tjera në këtë Gjykatë dhe Gjykatën e Lartë, që të kuptojmë se jemi përpara një rreziku të konsiderueshëm jo thjesht për të sotmen, por per të nesërmen e sistemit. Këto hapa falls në “çatinë” e sistemit të drejtësisë po rrezikojnë realisht që të çalojë për vite e vite me rradhë i gjithë sistemi. Drita e kuqe ka kohë që është ndezur. Për ta parë nuk ka më nevojë as për sy dhe as për vesh të specializuar. Natyrisht për të gjithë ata që ju dhimbset seriozisht ky vend dhe vecanërisht e nesërmja e fëmijëve të tyre. Një ditë do të shkojnë vet në ato dyer pavarësisht nga lloji i nevojës dhe do ta kuptojnë lehtë se cfarë kanë bërë kur i kanë hapur rrugë kaq lehtësisht mediokritetit dhe mungesës së integritetit në pushtetet që na asistojnë, na hetojnë apo na gjykojnë të gjithëve pavarësisht nga krahina, ngjyra, xhepi apo karrigia. I paafti dhe i thyeshmi në këtë sistem edhe kur duan të të ndihmojnë të bëjnë keq. Nuk e them unë. E tregon praktika. Po atëhere ndoshta mund të jetë vonë. Për të gjithë NE. Edhe për vet “ATA”.

Marre nga revista MAPO

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›