Prona, Aplikimi brenda afatit në AKKP,
Laureta Rryçi
Ata që nuk kanë bërë kërkesë brenda afatit në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kanë dhe një mundësi të vetme për të mos humbur të drejtën mbi pronën. Burime pranë kësaj agjencie shpjeguan dje për gazetën “Albania” se në këto raste qytetarët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës me kërkesën “rivendosje në afat”. Do të jetë gjykata ajo që do të çmojë nëse qytetari ka pasur arsye të ligjshme që e kanë penguar për të bërë kërkesën brenda afatit të përcaktuar. Në momentin që gjykata pranon kërkesën, atëherë qytetari duhet të drejtohet në Agjenci duke sjellë një kopje të vendimit, si dhe kërkesën zyrtare të tij për shqyrtimin e pronës. Shkrirja e zyrave rajonale të agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe grumbullimi i të gjitha dosjeve në AKKP-në qendrore i ka detyruar drejtuesit e këtij institucioni të ndryshojnë procedurat e shqyrtimit të kërkesave. Për këtë shkak, ish-pronarët, si nga rrethet, ashtu dhe në Tiranë, duhet t’i ndjekin këto rregulla nëse duan që kërkesa e tyre të shqyrtohet në kohë. Sipas procedurave të reja, specialistët e AKKP-së qendrore e kanë të detyrueshme që të rikonfirmojnë edhe njëherë dokumentet që kanë dosjet e ardhura nga zyrat rajonale të agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave. Tashmë dosjet kanë ardhur të gjitha nga rrethet dhe po sistemohen në arkivin e Agjencisë.
Shqyrtimi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave tani e tutje duhet të përfundojë brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohjen dhe kthimin e së drejtës së kompensimit, të depozituara në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra. Zyra qendrore duhet fillimisht që të kontrollojë, të vlerësojë dhe të konfirmojë tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi; vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti. Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së duhet të shprehet me vendim brenda tre muajve nga nisja e procedimit të trajtimit të kërkesës për: rrëzimin e kërkesës ose njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale që parashikohen sipas këtij ligji.
Ankimi
//////////////////Pas shqyrtimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos: rrëzimin e ankesës dhe lënien në fuqi të vendimit ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
Pas shqyrtimit e vlerësimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos: rrëzimin e ankesës ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Përfundon shqyrtimin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të rasteve për të cilat drejtori i Përgjithshëm, me nismën e vet ose kryesisht, ka urdhëruar shqyrtimin e tyre. Pas vlerësimit e shqyrtimit, të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda tre muajve nga nisja e procedimit të ankesës, e ka për detyrë të vendosë: lënien në fuqi të vendimit ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Drejtori i Përgjithshëm mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit. Kreu i AKKP-së verifikon dhe llogarit detyrimet financiare që i lindin shtetit për subjektet e shpronësuara ose për të tretët sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Depoziton për regjistrim aktet e njohjes, të kthimit ose kompensimit të pronave dhe të të drejtave reale të lidhura me to në regjistrat e pasurisë së paluajtshme. AKKP-ja, për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në këtë nen, bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike.
Rastet kur mund të ankimohet
Drejtuesit e AKKP-së shprehen se tani që dosjet ndodhen në zyrën qendrore, shqyrtimet do të bëhen në një kohë më të shkurtër. Megjithatë, pavarësisht vendimeve që do të jepen për këto 8 mijë kërkesa, qytetarët që nuk kanë qenë dakord e kanë ankimuar atë në gjykatë. Kështu, procesi, deri në një saktësim të pronarit të ligjshëm, ka vijuar për shumë kohë. Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar 1 mijë qytetarët që i janë drejtuar gjykatës. Burime pranë gjykatës shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt, duhen rreth tre vjet. AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së është i detyruar të vendosë ose lënien në fuqi të vendimit, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij. Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendndodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.
Rastet kur njihet e drejta e pronësisë dhe kthimi i pronës
Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit Nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.
Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.
Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.
31 Maj 2010