E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria heq vizat për 6 muaj për turistët rusë



Turistët rusë do mund të kenë mundësi të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa viza duke nisur nga data 30 maj. Kjo gjë është bërë publike nga një burim nga ambasada shqiptare në Rusi për agjencinë e lajmeve ruse, “Itar-Tass”. Sipas burimeve, kjo përparësi jepet kryesisht për të favorizuar turizmin në Shqipëri dhe që qytetarët e huaj të mos ndalen para procedurave të gjata për të shkelur vendin tonë. “Qeveria shqiptare lejoi që qytetarët rusë të vizitojnë Shqipërinë pa viza nga periudha kohore 30 maj deri më 31 tetor të vitit 2010”,- bëri të ditur burimi. Sipas tij, “kjo leje do të aplikohet veçanërisht për turizëm dhe udhëtime private”. Rusët njihen si turistët më të mëdhenj në plazhet e Turqisë, Greqisë dhe të fqinjit tonë veri-perëndimor, Malit të Zi. Nga ky i fundit hyn dhe numri më i madh i turistëve rus që shkelin brigjet shqiptare gjatë stinës së verës. Por në pjesën më të madhe këta turistë janë vetëm me qëndrim njëditor, pasi ata sillen në vendin tonë nga kompanitë turistike malazeze, prandaj nuk sjellin përfitime të mëdha për turizmin shqiptar pasi nuk cilësohen si rezident. Kompanitë malazeze si pjesë të paketave turistike 10-ditore për turistët rus, kanë programuar edhe një udhëtim një ditor në Shqipëri në fund të turit. Pas përfundimit të afatit, procedurat vazhdojnë siç kanë qenë më parë. Shqipëria deri me tani ka hequr vizat me Kosovën, Maqedoninë, Turqinë, Bosnjën, Serbinë dhe disa vende të tjera.

Konkluzioni, SME-të shqiptare janë jokonkurruese

Ekonomia shqiptare është një ekonomi jo konkurruese sepse ndërmarrjet shqiptare janë jokonkurruese. Në vendin tonë ndërmarrjet e vogla e të mesme vuajnë masivisht mungesën e zhvillimit dhe aplikimit të risive teknologjike. Burimet zyrtare e pranojnë vetë se, “duke u krahasuar me vendet e rajonit, në sektorin e SME-ve, konsiderohen ende kritike niveli zhvillimit të sipërmarrjes dhe inovacionit, që në vetvete përbejnë bazën standardeve të BE-së dhe që janë tregues për matjen e performancës së tyre”. Shqipëria ka mungesa të mëdha të infrastrukturës që lejon zhvillimin dhe promovimin e inovacionit dhe teknologjive të avancuara me të cilat arrihet konkurrueshmëria. Mungojnë inkubatorët e biznesit, parqet teknologjike që janë instrumente që stimulojnë zhvillimin e SME-ve inovative. Po ashtu e theksuar është edhe mungesa e një bashkëpunimi aktiv mes universiteteve dhe SME-ve në çështje të inovacionit dhe teknologjisë. Edhe pse financimet për SME-të nuk kanë munguar, janë më shumë se 30 milionë euro të destinuara për to në dy vitet e fundit, efekti i këtyre parave në terren ende nuk ndihet. Ndërmarrjet e vogla e të mesme edhe në eksperiencën evropiane përbëjnë bazën e zhvillimit të ekonomisë. Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 105 mijë SME që kontribuojnë në mbi 80% të GDP-së. Ata përfaqësojnë 99.9% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve shqiptare dhe mbulojnë rreth 82% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.

Nis puna për krijimin e Klubit të Biznesit Slloveni-Shqipëri

Këto ditë në Tiranë, me iniciativën e Konsullit të Përgjithshëm të Nderit të Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Edvin Libohova, u zhvillua takimi i parë i grupit iniciator për krijimin e Klubit të Biznesit Slloveni-Shqipëri. Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan për ngritjen e një strukture mbi baza vullnetare, e cila do të shërbejë për nxitjen dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e biznesit mes të dy shteteve. Klubi, i cili do të ketë statusin e një shoqate, do të promovojë në mënyrë të vazhdueshme bizneset sllovene në Shqipëri (dhe jo vetëm në Tiranë) dhe ato shqiptare në Slloveni, si edhe do të mbështesë me informacione të nevojshme ambientin e biznesit të interesuar për të pasur veprimtari në të dy vendet respektive. Të pranishmit i përshëndeti edhe i Ngarkuari me Punë i Republikës së Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Davorin Senicar, i cili veç të tjerave vlerësoi iniciativën për organizimin e këtij takimi dhe shprehu gatishmërinë e shtetit slloven për të mbështetur këtë proces në të ardhmen.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›