E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama firmos, kthehet në ligj paketa e stimulimit ekonomik

 

Presidenti amerikan Barak Obama ka nënshkruar paketën stimuluese ekonomike prej 787 miliardë dollarësh, duke e kthyer atë në ligj.
Kjo ngjarje shënoi një fitore të madhe në përpjekjet e administratës së tij për të ulur rënien ekonomike të Shteteve të Bashkuara, e cila po shkonte drejt përmasave të krizës së viteve '30, të njohur si periudha e "Depresionit të madh". Suksesi i Obamës u realizua pas më pak se një muaj që kur filloi nga detyra. Në Denver, Kolorado, dokumenti u pagëzua nga presidenti i ri amerikan si "Rimëkëmbja dhe Riinvestimet amerikane". Në një deklaratë për mediat, Shtëpia e Bardhë e quajti planin si një nga përpjekjet më ambicioze në historinë e vendit për të stimuluar ekonominë. Në projektligj, i cili ka hapur shumë diskutime mes demokratëve që gëzojnë shumicën në Kongresin amerikan dhe republikanëve, nga të cilët kanë nënshkruar vetëm tre, përfshin shpenzime qeveritare dhe shkurtime taksash për të ndihmuar në nxjerrjen e ekonomisë nga recesioni. Administrata Obama thotë se plani do të krijojë ose shpëtojë 3.5 milionë vende pune, do të bëjë të mundur uljen e taksave për 95 për qind të amerikanëve dhe do të investojë në arsim, energji, kujdesin shëndetësor dhe në infrastrukturë. Administrata e re amerikane ka paralajmëruar se plani i tyre do të zgjasë dhe rezultatet nuk do të duken që në fillim, madje sekretari amerikan i thesarit tha se mund të duhen të tjera fonde për të shtuar që plani të japë rezultatin e pritshëm. Sipas Shtëpisë së Bardhë, do të duhet ndoshta një vit para se raportet qeveritare të tregojnë shenja të përmirësimit ekonomik. Paketa stimuluese provokoi shumë debate në Kongresin e zotëruar nga demokratët, që sidoqoftë e miratoi masën vetëm me votat e shumicës. Republikanët në opozitë janë akuzuar se plani ka pak shkurtime taksash dhe shumë shpenzime federale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›