E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në Kuvend vetëm për kutitë



Aristir Lumezi

Kreu i PS-së Edi Rama shpalli dje qëndrimin e kushtëzuar të deputeteve socialistë ndaj Parlamentit. Para nisjes së diskutimit në mbledhjen e grupit parlamentar socialist për qëndrimin e bojkotit, Rama u shpreh se PS do të jetë në Kuvend vetëm për çështjen e transparencës, por do të nisë protestat popullore. “Kur Qeveria e lidh kontratën me pahir, si më 28 qershor, popullit i mbeten vetëm dy rrugë: Ose të dalë në rrugë për të rizgjidhur kontratën; Ose të pranojë rrugën e nënshtrimit nga keqqeverisja, që si në rastin tonë të pranojë shkatërrimin e përditshëm ekonomik. Këtë të dytën populli opozitar i Shqipërisë nuk mund ta pranojë. Ne do të jemi bashkë me popullin në protestë, për të fituar të drejtën e shkelur të transparencës për të gjitha kutitë e mbyllura, nga kutia e zgjedhjeve, te kutia e ekonomisë, e drejtësisë, e lirisë së lëvizjes, konkurrencës, medias”, u shpreh Rama. Kreu socialist argumentoi dhe marrëdhënien e re që deputetët socialistë do të kenë me Parlamentin, ku sipas tij, ato do të kushtëzohet vetëm me hapjen e kutive. “Parlamenti do të jetë për ne vendi ku do të vazhdojmë të kërkojmë me durim e këmbëngulje të drejtën e transparencës, atë dhe asgjë tjetër. Sepse, pa transparencën të gjitha liritë dhe të drejtat janë të mbyllura në kutitë e errëta të keqqeverisjes, kurse ligjet e shkruara janë ligje të pazbatuara. Sepse, vetëm përmes transparencës Parlamenti mund të jetë i Shqipërisë dhe jo i Qeverisë dhe zgjidhja e kërkuar vijimësisht edhe nga komuniteti ndërkombëtar për transparencën, mund të bëhet realitet vetëm përmes këmbënguljes sonë”, u shpreh Rama.
Kriza
Duke paralajmëruar për protesta popullore që nxiten dhe për shkak të krizës ekonomike, Rama tha dje para deputetëve të grupit parlamentar se kjo situatë ka ardhur që prej 28 qershorit, kur u manipuluan zgjedhjet e përgjithshme. “Transparenca e munguar për kutitë e 28 qershorit, është burimi i errësirës që mbulon sot çdo shifër të ekonomisë së vendit. Ashtu siç u është imponuar shqiptarëve një rezultat i ndryshëm nga ai që gjendet në kutitë e votimit, u imponohen përditë shifra të gënjeshtra suksesesh ekonomike, ndërkohë që përditë u duhet të nxjerrin më shumë lekë nga xhepi, për të blerë më pak. I vetmi ilaç me efekt afatgjatë shterues për sëmundjen, që po dobëson përditë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare në një treg që rrit përditë çmimet, është transparenca”, u shpreh Rama. Për kryesocialistin, transparenca e zgjedhjeve është kyçi i zgjidhjes së të gjitha krizave në vend. “Transparencë duke filluar aty ku është deformuar vullneti i shqiptarëve dhe ku ka filluar rrëshqitja e pandalshme e ekonomisë, transparencë nga momenti kur pushteti ka grabitur dhe kyçur në errësirë votën e njerëzve, duke fituar sigurinë se mund të bëjë çdo gjë me gjithçka që ka në dorë, sepse qytetarëve ua merr votën edhe po nuk ia dhanë. Te zgjedhjet lidhet dhe zgjidhet kontrata e një populli me Qeverinë në një demokraci”, u shpreh Rama, duke cilësuar se PS nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, kërkesa e socialistëve për transparencë mbështetet dhe nga ndërkombëtarët. “Pas shfaqjes së shëmtuar të vjedhjes së firmave të deputetëve të opozitës, për të ngritur një komision hetimor të Qeverisë, komuniteti ndërkombëtar nuk e quan aspak të zgjidhur krizën e Parlamentit dhe përsërit kërkesën e vet për një zgjidhje që duhet të respektojë Kushtetutën, e të garantojë transparencën përmes hetimit parlamentar”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›