E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengu 200 mijë euro, dosja në gjykatë

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon për gjykim dosjen e pengmarrjes së biznesmenit kosovar
Prokurori: Kërkojmë dëshminë e pengut Sami Sabdullaj. Autori akuzohet edhe për vrasjen e shokut të tij
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë dosjen e pengmarrjes së biznesmenit kosovar, dyzet e gjashtë ditë pas arrestimit të "pengmarrësit" Hazir Kurpali. Sipas burimeve zyrtare pranë Krimeve të Rënda, prokurori i çështjes Përparim Kulluri mbylli fazën hetimore ndaj të pandehurit Kurpali, i cili me pengmarrjen e kryer në gusht të vitit 2004 shokoi biznesmenët e Prizrenit. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hazir Kurpali rezulton se është ideatori, organizatori dhe ekzekutuesi i pengmarrjes së biznesmenitme banim në Prizren, Sami Sabdullaj, i cili prej vitesh merret me biznesin e duraluminit. "Pas ardhjes së letër-porosisë nga drejtësia kosovare, konkretisht nga UNMIK-u, ku saktësohej identiteti i të pandehurit Hazir Kurpali, hetuesit e prokurorisë kanë filluar hetimet e hollësishme për identifikimin e vendndodhjes së tij. Në provat e ardhura nga Kosova, i pandehuri ishte identifikuar nga vetë pengu Sami Sabdullaj.
 
Në vazhdim të kërkesës, prokurori renditi të gjithë historinë e pengmarrjes 1-javore, torturat e ushtruara ndaj pengut Sabdullaj dhe dorëzimin e parave pas lirimit të tij nga familjarët. Gjithashtu, në një pjesë të kërkesës për gjykim, prokurori Kulluri ka nënvizuar ndarjen e hetimit nga autoritetet e drejtësisë kosovare dhe ato shqiptare për hetimin e mëtejshëm të Kurpalit, në lidhje me vrasjen e një shqiptari nga Kosova, pas zënkës mes tyre për ndarjen e parave. "Në mungesë të provave, është vendosur veçimi i çështjes së vrasjes së shtetasit kosovar Rexhep Shemsidini, pasi dyshohet që i pandehuri Kurpali është autor i kësaj vrasjeje për konfliktin e ndarjes së parave të marra nga familjarët e pengut",-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas prokurorisë, edhe babai i të pandehurit është i arrestuar për këtë çështje në Kosovë, pasi mendohet se ai ka qenë personi që ka tërhequr 200 mijë eurot e familjarëve të pengut.
"Pas lirimit të pengut, për shkak se Shërbimi Policor i Kosovës kishte rënë në gjurmë të autorëve, Sami Sabdullaj është lënë i lirë, duke i kërkuar që dy javë pas lirimit të dorëzojë 200 mijë euro, në të kundërtën do të vritej së bashku me familjen. Dy javë pas lirimit, pengu nga frika nuk ka lajmëruar as policinë për këtë kërcënim duke pranuar t'i dorëzojë paratë në vendin e takimit, në rrugën nacionale të Prizren-Kukës, ku paratë janë tërhequr nga babai i pengmarrësit, Hazir Kurpali",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas prokurorisë, ka qenë data 8 gusht e vitit 2004, kur në punishten e biznesmenit Sami Sabdullaj në Prizren kanë shkuar tre persona të kamufluar si blerës të materialit duralumin, që tregtohej në punishten e tij. Sabdullaj duke parë këmbënguljen e "blerësve" se materiali u duhej që atë natë edhe pse ora ishte rreth 17:00 të pasdites, urdhëroi punëtorët t'ia ngarkojnë atë në kamionin e firmës. Në momentin që punëtorët filluan ngarkimin e materialit, tre "pengmarrësit" ulën maskat, lidhën një nga punëtorët dhe morën peng pronarin, duke u larguar së bashku me të. Dy ditë më pas, "pengu" kontakton me familjen dhe i kërkon që të grumbullojë 200 mijë euro kundrejt lirimit të tij, për ndryshe do të ekzekutohej nga "pengmarrësit".
PROVA
Sipas kërkesës për gjykim, një nga dëshmitarët e shumtë që do të thirren për të dëshmuar në proces gjyqësor është edhe vetë pengu Sami Sabdullaj. Për prokurorinë ekzistojnë dyshimet se viktima Sabdullaj ka frikë të vijë të dëshmoj në Gjykatë për tmerrin e kaluar gjatë :Dkohës që ishte peng i Hazir Kurpalit, nga data 8 gusht e deri më 15 gusht të vitit 2004.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›