E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Salihi, tani e do dhe Sparta e Pragës

 

Vjeshta e vitit të kaluar ishte për sulmuesin e SV Ried, Hamdi Salihi, e tëra për t'u harruar. Nëse gjatë sezonit 2007-2008, sulmuesi shkodran me 12 golat e tij në 33 ndeshje bëri një paraqitje befasuese, në pjesën e parë të sezonit aktual, forma e tij nuk ishte ajo që pritej prej tij. Dëmtimi i tij, që zgjati për disa muaj, e bëri të paduruar shqiptarin në pankinë. Edhe golat e tij munguan jo pak: vetëm 4 gola në 14 aktivizime të dobëta, ku në shumë ndeshje ishin jo të plota. Duket se gjatë fazës përgatitore në Belek të Turqisë, atje ku dhe ndodhet skuadra e tij austriake, SV Ried, Salihi e ka rigjetur veten. Salihi ka vetëm një moto: të luajë dhe të shënojë. "Unë dëshiroj, që në këtë fillim viti të luaj sërish një rol të mirë dhe gjithashtu sërish të luaj nga fillimi si titullar", - flet i motivuar Salihi për faqen sportive austriake Laola1. net. Sulmuesi shqiptar 25-vjeçar pranon se faza e parë e tij nuk ishte ajo që të gjithë prisnin prej tij dhe shton: "Shpresoj, se ajo kohë i përket tashmë së kaluarës". Thuajse për tre muaj golashënuesi i katërt më i mirë i kampionatit austriak të sezonit të kaluar vuajti jo pak për shkak të dëmtimit në kavilje. Pas rikthimit të tij sulmuesi pësoi një tjetër dëmtim që e shtyhu sërish për tri javë kthimin e tij. Salihi kujton dhe "vjeshtën e tij më të keqe". "Unë kam luajtur thjesht shumë keq", - thotë ai pa e zgjatur shumë, duke shtuar se dëmtimi është kaluar dhe ai nuk ka përse të merakoset më. Sipas faqes austriake, Salihi ka bërë një fazë perfekte përgatitore dhe gjendet sërish në bllokun e trajnerit Paul Gludovatz si titullar. "Hamdiu ka bërë një fazë të mirë përgatitore, atë që dhe unë kam pritur prej tij. Kështu që ai është gjatë kësaj kohe shumë, shumë afër të ashtuquajturit 11-shi titullar", - citohet Gludovatz nga faqja austriake.
Oferta nga Praga
Sparta e Pragës interesohet zyrtarisht për të marrë shërbimet e Hamdi Salihi, edhe pse sulmuesi i SV Riedit në kampionatin austriak ka zhvilluar një kampionat mesatar gjatë këtij sezoni. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vlerësohet shumë për nuhatjen e tij për gol në ambientet futbollistike austriake dhe sipas faqes sportive Laola1.net, Sparta e Pragës e ka ndjekur prej disa kohësh me interes Salihin. Gjithsesi, drejtuesit e klubit të Bundesligës 1 austriake janë shprehur nuk dëshirojnë ta shesin shqiptarin. "Është e qartë, që ne mund ta lejojmë atë përpara skadimit të periudhës të transferimeve (në Çeki), vetëm nesh oferta do të jetë në kufijtë e kënaqshëm financiarë", - tha menaxheri i SV Ried, Stefan Reiter. Në Çeki periudha dimërore e transferimeve nuk është mbyllur ende. Sparta e Pragës pas 16 javësh renditet në vendin e katërt (kampionati çek ka 16 skuadra) me 27 pikë, 10 më pak se rivalja e madhe e saj Slavia e Pragës (37). "Skuadra jonë tani nuk është më e fortë se ajo që patëm në verë Ne kemi nevojë të blejmë nga një lojtar për çdo repart (mbrojtje, mesfushë, sulm)", - tha drejtori sportiv i Sparta Pragës, Chovanec, i cili luan edhe rolin e trajnerit të 12-herë kampionëve të Çekisë. Pak ditë më parë u fol edhe për një transferim të mundshëm të sulmuesit shkodran Hamdi Salihi te Hanoveri (Bundesliga 1) gjatë merkatos së verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›