E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzili i Edi Ramës dhe vazhdimësia e lehjeve të kasnecëve të Bllokut

Në ditët e kësaj vere të nxehtë, ndoshta të lodhur edhe nga “greva” raskapitëse e urisë në bulevardin e Tiranës, elita e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, janë zhdukur apo janë fshehur pa nam e pa nishan. Tani nuk dihet mirë nëse është Kryetari që ka vlerësuar kontributin e gjithsecilit për ta shpërblyer me pushime anekënd globit, apo është qesja e rënduar e kësaj elite që kërkon parajsën në plazhet më të kushtuara të botës. Harruan fjalimet e tyre me lot krokodili në Parlamentin e Shqipërisë për “popullin fukara”, për pensionistët “që nuk e ngrysin dot muajn” e njëmijë e një ankesa të tjera. Miliarderët e Partisë Socialiste këtë verë kanë marrë botën në sy të lumturuar e të harbuar, duke i harruar “hallet e popullit”. Grykësia dhe pafytyrësia ka marrë përmasat më të neveritshme në sytë e opinionit. Ajo që e bën më të zezë këtë maskaradë të politikës shqiptare, është se janë pikërisht të bijtë e nomenklaturës më të lartë të regjimit komunist, që të majmur e të kamur kanë bërë xhiron e botës me djersën e mundin e popullit të vuajtur. Ata mësuan nga baballarët e tyre se duke hyrë në politikë dhe nëpërmjet politikës, duke ndryshuar ngjyrat si kameleonët do të mashtronin popullin duke menduar se populli shqiptar i ka harruar plagët që akoma i dhembin. Por kjo nuk mundet që të ndodhë. Krimet e baballarëve të tyre nuk kanë ndodhur në mesjetën e hershme. Një popull i tërë i ka të freskëta bëmat dhe gjëmat e tyre. Dhe sot bijtë e kriminelëve të diktaturës janë shfaqur frikshëm në politikë, sepse ata tani janë milionerë e miliarderë. Kryetari i tyre Edi Rama është i biri i një krimineli që me 10 Gusht 1988 me firmën e tij vari në litar poetin Havzi Nela, një rast pa precedent që nuk kishte ndodhur në të gjithë lindjen komuniste. Por regjimi komunist në Shqipëri me të tilla monstra kriminelësh, duke dhënë mesazhe frike e tmerri mendonte se do ta mbante në këmbë regjimin makabër. Dhe tani më kurrë e kaluara nuk mundet të përsëritet. Edi Rama dhe i gjithë stani enverist, të diskredituar nga maskarada “për hapjen e kutive” e kanë kuptuar se edhe zgjedhjet vendore të vitit që vjen i kanë të humbura, së bashku me Bashkinë e Tiranës.
Jetojmë me të vërtetë në botën e çudirave. A mundet të kishte besuar njeri në Shqipëri me 22 Mars 1992, se pas më pak se dy dekadave, i biri i Sulejman Bushatit dhe ai i Bares së tmerrshëm të birucave të ish sigurimit, bijtë e kriminelëve më të spikatur të diktaturës komuniste do të bëheshin “lektorë të demokracisë”, ose “kasnecët” e opozitës. Se atyre “u dhemb zemra dhe u qan shpirti” për Amerikën, ndaj të cilës baballarët e tyre hodhën baltë sa mundën për afro një gjysmë shekulli dhe dërguan njerëz para trekëmbëshave e skuadrave të pushkatimit vetëm se e kishin për zemër lirinë, demokracinë dhe Amerikën. Kryetari i tyre këtë verë të nxehtë u mërzit në “hamamin” e Pezës në shoqërinë e Dashit dhe ka marrë “arratinë” si kalorësi i fytyrës së vrerosur për të gjetur ngushëllim në plazhe fantastike anekënd planetit, se nuk u bë dot Kryeministër nga trampolina e çadrave të “grevës së urisë” në bulevardin e Tiranës, duke medituar ne brigjet e Detit të Kuq. Dhe pinjollët e diktaturës “çunat dhe gocat e Bllokut”, marrin urdhër herë pas here nga Kryetari i tyre, të lëshojnë nga një tollumbace sa për të thënë se Partia Socialiste akoma ekziston. Me shpifje pa skrupull, me gënjeshtra të sajuara dhe të gatuara sipas modelit të kuzhinës staliniste, Bushati, Bare, Kodheli, Hysi, Shalësi, Feli & co, janë bërë si thonë shkodranët “pare e lame” që nuk i beson askush. Janë emra dhe mbiemra të tillë që u kujtojnë orë e çast njerëzve të kaluarën e regjimit komunist.
Ndërkohë kur Edi Rama është tkurrur në vetminë e tij duke u fshehur nëpër Tiranë pas harbimit nëpër botë, Berisha po inauguron rrugë në të katër anët e vendit. Ku po i merr qeveria fondet, po ulërijnë kasnecët e verbuar të Edvinit. Me moton se “kështu nuk është por si është nuk e di”, Partia Socialiste është sot një forcë politike pa asnjë alternativë. Dukshëm qëllimi i elitës së kësaj partie është vetëm marrja e pushtetit për të sunduar e vjedhur popullin për t’u pasuruar nëpërmjet politikës. Pasi i tërhoqën zvarrë militantët e PS rrugëve të Tiranës duke i mashtruar se me sot e nesër “do të rrëzonin Berishën”, duke i ndjellë me dy qofte e një panine, tani edhe gënjeshtrat kanë shterruar. Tani ngushëllimi i tyre është vetëm pesha e qeses. Ngushëllim i përkohshëm, se siç duken bathët, gënjeshtra dhe hajdutëria i ka këmbët e shkurtra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›