Shenjat e hershme paralajmëruese për Kosovën mund të dalin të vërteta për Serbinë.
Nëse Serbia nuk lirohet nga Kosova, ajo në fund do të humbe në të dy frontet - edhe copën e kontestuar të tokës dhe perspektivën e anëtarësimit në BE. Ky parashikim, i bërë në Bruksel nga diplomati amerikan Richard Holbrooke, para rreth tri vitesh, tingëllon i vërtetë edhe sot. Njësoj sikurse edhe fjalët e ish-ambasadorit të ndjerë gjerman në Beograd, Andreas Zobel, i cili dikur kishte tërhequr vërejtjen se Serbia nuk do të hyjë në BE para vitit 2025, nëse nuk e ndërron politikën e saj karshi Kosovës.
Me sa po shihet nga pikëpamjet e kryeqyteteve evropiane, parashikimet e të dy diplomatëve ende mund të realizohen. "Serbia viteve të fundit nuk ka fituar asgjë për Kosovën në BE. Ajo vetëm sa ka humbur shumë mbështetjen për shpejtimin e integrimeve evropiane të saj. Durimi dhe mirëkuptimi për politikën serbe ndaj Kosovës po avullohet”, tha për ëAZ.EUobserver një diplomat evropian në Grupin e Kontaktit, i cili përfshinë SHBAM Gjermaninë, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusinë. "Para disa vitesh, shumica e politikanëve kryesorë evropian, si për shembull presidenti francez Nicolas Sarkozy, gjithnjë dhe në veçanti e përmendin Serbinë, sa herë që flisnin për Ballkanin Perëndimor. Tani, as ministrat e Jashtëm të vendeve më të rëndësishme anëtare të BE’së nuk shkojnë më në Beograd, përveç nëse nuk i vizitojnë të paktën edhe tri-katër kryeqytete tjera rajonale. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido ëesterëelle, do të vizitojë Beogradin shkurtazi, por vetëm si njërën nga vendndalimet e tij gjatë turneut dyditor në rajon”, shtoi bashkëbiseduesi i ëAZ.EUobserver.
Një ndërrim i ngjashëm i pozitave është i dukshëm te shumica e kryeqyteteve kryesore evropiane. Londra historikisht ka qenë një mbështetëse e patundur e zgjerimit të BE. Zyra e Jashtme në Londër ka besuar për një kohë të gjatë se datat për anëtarësimin e Kroacisë dhe Serbisë në BE duhet të mos jenë larg njëra tjetrës. Megjithatë, politika e Serbisë ndaj Kosovës ka shtyrë britanikët që të ndërrojnë mendim viteve të fundit. Para deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Londra ishte në mesin e atyre shteteve që dëshironin ta përshpejtonin ndjeshëm integrimin e Serbisë në BE. Tani, Mbretëria e Bashkuar është në mesin e atyre që qartazi deklarojnë se perspektiva e hyrjes së Serbisë në BE varet nga qasja e saj ndaj Kosovës.
Edhe pse askush në Berlin nuk do të pranonte publikisht, Serbia viteve të fundit u dëshmua si një aleate e vlefshme e skeptikëve gjerman të zgjerimit. Për Gjermaninë, do të ishte shumë më e vështirë të mbronte vijën restriktive të zgjerimit të BE nëse Serbia do ta arrestonte ish-komandantin ushtarak Ratko Mladic, i cili kërkohet për krime lufte në Bosnje, dhe nëse shteti serb do të ishte më konstruktiv ndaj Kosovës. Fillimisht, ishte Gjermania ajo që kishte më shumë dyshime rreth pavarësisë së Kosovës sesa cilido anëtarë Perëndimor i Kontakt Grupit. Por, kur diplomati gjerman, ëolfgang Ischinger, që ishte përfaqësues i BE-së në trikën amerikan-ruso-evropiane në vitin 2007, pohoi se pavarësia ishte një zgjidhje më pak e dhimbshme, çështja e statusit ishte çështje e kryer për Berlinin. Gjermania nuk është më e gatshme t’i bëjë lëshime Serbisë për anëtarësim në BE lidhur me Kosovën. Nga ana tjetër, Franca dikur ishte një lojtar goxha aktiv për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mirëpritej nga të dyja palët. Për Parisin kjo nënkupton se Kosova e pavarur dhe Serbia të jenë në BE. Paraprakisht, Franca ishte një mbështetëse shumë e fuqishme e integrimit të Serbisë në BE, dhe insistonte në hapjen e procedurës që do t’i mundësonte Beogradit statusin zyrtar të kandidatit.
Gjithashtu, deri në shkurtin e kaluar, Parisi mbante qëndrim se çështja e integrimit të Serbisë në BE dhe ajo e Kosovës duhet të ndahen. Por, ky qëndrim ndryshoi atëherë kur lidershipi francez bëri të ditur se Serbia nuk shfaqi asnjë shenj të rishikimit të qëndrimit të saj ndaj Kosovës. Kështu që ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, u bë zyrtari i parë i lartë i BE-së që në Beograd shpalli publikisht se Serbia s’mund të hyjë në BE pa pasur marrëdhënie të mira, ose të paktën të pranueshme, me Kosovën. Roma dhe Athina pak a shumë e kanë luajtur të njëjtën lojë, por nga anë të kundërta. Mund të thuhet se Italia ishte miku më i mirë në mesin e shteteve anëtare të BE-së që e pranuan pavarësinë e Kosovës. Greqia është miku më i mirë i Kosovës në mesin e pesë shteteve të BE-së që kanë refuzuar ta bëjnë këtë gjë.
Fatkeqësisht për Beogradin dhe Prishtinën, pas ndarjes së partisë më të madhe nga koalicioni qeveritar, Italia tani ndodhet buzë krizës parlamentare dhe zgjedhjeve të reja. Qeveria greke, nga ana tjetër, po mbërthehet nga tepër shumë probleme të veta që duhet dëgjuar para se të jap këshilla për vështirësitë e shteteve tjera. Pra, në muajt e ardhshëm Beogradi s’mund të pres asnjë ndihmë substanciale nga Italia, e as nga Greqia. Në Spanjë, Sllovaki dhe Qipro autonomia dhe pavarësia janë çështje të ndjeshme vendore. Që të gjitha ato kanë arsyet e tyre për të mos e njohur Kosovën. Në rastin e Rumanisë, mosnjohja ka të bëjë me qëndrimin personal të presidentit Traian Basescu. Përderisa ai të jetë në zyrë, është vështirë të dëgjohet se Bukureshti të njoh Kosovën. Sido që të jetë, qëndrimet e këtyre shteteve vetëm duket se shërbejnë interesave të Serbisë. Në fakt, ato vetëm paraqesin edhe një pengesë më tepër, ngase do ta bllokojnë edhe gjatë rrugën e Serbisë dhe të Kosovës drejt perëndimit.