Pesimizmi që shoqëron mjediset e social-komunizmit
Gjatë gjithë historisë ka patur dy forma bazë të organizimit shoqëror: kolektivizëm dhe individualizëm. Në shekullin e njëzetë kolektivizimi ka marrë shumë forma si socializmin, fashizmin, nazizmin dhe komunizmin, të cilat janë variantet e tij më të dukshme. I vetmi sistem social i krahasueshëm me individualizmin është kapitalizmi i politikës laissez-faire (lëre të bëhet). Nga ana tjetër, fatkeqësisht shikohet që qarqet intelektuale të një pjese të mirë të profesorëve, gazetarëve dhe politikanëve në ditët e sotme e shohin me qesëndi sistemin e ndërmarrjes e iniciativës së lirë. Në teori socializmi është moralisht superior, pavarësisht të dhënave që tregojnë dështimin mjeran në botën reale. Kapitalizmi, në kontrast, është një sistem me kuota të ulëta nga pikëpamja morale pavarësisht prosperitetit ekonomik të jashtëzakonshëm që ai ka krijuar. Me fjalë të tjera, kapitalizmi mund të mbrohet vetëm mbi baza pragmatiste; ne e pranojmë atë, sepse ai ecën, punon dhe sjell prosperitet.
Në mënyrë të përgjithshme, socializmi përkufizohet si: 1 -Një nga teoritë e ndryshme ekonomike dhe politike që mbron pronësinë kolektive apo atë të shtetit si edhe administrimin e mjeteve të prodhimit dhe shpërndarjen e të mirave materiale nga ana e tij. 2 -Një sistem të jetuari në shoqëri ose grup pa pronë private, me mjetet e prodhimit që kontrollohen nga shteti. 3- Një fazë e shoqërisë në teorinë marksiste si periudhë tranzicioni midis kapitalizmit dhe komunizmit që dallohet nga shpërndarja e pabarabartë e mallrave dhe e pagës në raport me punën e kryer.
Morali i shoqërisë socialiste mund të përmblidhet në dy fjalë: zili dhe vetë-sakrificë. Zilia është dëshira jo vetëm për të zotëruar pasurinë e tjetrit, por edhe dëshira për ta parë pasurinë e tjetrit në nivel më të ulët sesa atë të vetin personal. Mësimdhënia e socializmit mbi vetë-sakrificën u përmblodh në mënyrë të qartë nga dy mbrojtësit e tij më të mëdhenj të tij, Herman Gering dhe Benito Musolini. Parimi më i lartë i nazizmit (Nacional Socializmi), thoshte Geringu, është: “E mira e përbashkët qëndron përpara së mirës personale". Musolini thoshte se “Fashizmi është një eksperiencë jetësore në të cilën individi, nëpërmjet sakrificës së interesave të tij personale... kupton atë ekzistencë të plotë shpirtërore në të cilën qëndron vlera e tij si njeri".
Në 1966, sociologu gjerman Helmut Schëk shkruajti një libër klasik, “Zilia, një teori e sjelljes sociale”. Ai argumentoi se zilia është rrënja ushqyese e socializmit dhe formave të tjera të rishpërndarjes me detyrim të pasurisë.
Shumica e njerëzve mendojnë se shkaku është xhelozia. Personi xheloz thotë: "Ju keni diçka që unë e dua. Unë do të marrë atë prej jush". Schëk thoshte se këtij shpjegimi i mungon ndjenja e padukshme që fshihet nën të; pra zilia, e cila thotë: "Ju keni diçka të cilën unë dua ta kem. Ajo kurrë nuk mund të bëhet e imja kështu që unë do ta shkatërroj atë që ju keni. Unë nuk dua që dikush ta zotëroj atë dhe procesi të vazhdojë deri sa të gjithë mund të kenë një gjë të tillë".
Kjo është e përafërt më veprimin e një personi të shëmtuar (kuptohet jo vetëm nga pamja) që hedh acid në fytyrën e një personi tërheqës; vetë-hedhësi nuk është i pashëm, por ai me këtë veprim do ta transformojë personin tërheqës për ta sjellë në nivelin e tij. Schëk thoshte se me personin xheloz mund të bësh ujdi, dhe për këtë nuk të duhet shumë vështirësi. Ai është i gatshëm të ulet për zgjidhje nëse i ofrohet një pjesë e veprimit të personit tjetër. Ndërsa personi ziliqar nuk mund të negociohet lehtë. Fakti që dikush tjetër është në një pozitë të caktuar shoqërore më të lartë dhe që mund ta përdorë atë, ja rrit më tepër zilinë dhe rrjedhimisht zemërimin. Mëkati i tij, pra bëhet gjithmonë e më i përforcuar. Schëk argumentonte se zilia është kurora rrethuese nën këmbët e socializmit. Prandaj, ai arriti në përfundimin se është e pamundur të mbyllësh marrëveshje me socialistët e thekur, duke u ofruar atyre menaxhim të përbashkët të pasurisë kombëtare. Ata nuk do të dorëzoheshin dhe do të kërkonin të gjithën, për një barazi të plotë. A do të dëmtonte kjo gjë prodhimin ekonomik? Ata nuk duan t’ia dinë aspak për një fenomen të tillë, pasi ata nuk janë vetëm xhelozë; ata janë ziliqarë. Schëk vinte në dukje se për kishën mesjetare, zilia ishte një nga shtatë mëkatet që ndillte vdekje. Ai besonte se brezi i predikuesve në përballje kundër zilisë ishte një nga shtyllat e rritjes ekonomike perëndimore – një shtyllë që në atë kohë nuk ka qenë e njohur gjerësisht. Politikani socialist do të pëlqente që ekonomia të ketë rritje të ulët apo të mos ketë aspak rritje në vend sesa të lejojë atë që ka pasuri, të zotërojë të ardhura që janë prodhuar nga kapitali i tij. Një nga motivet më të forta që socializmi siguron mbështetje është se lidershipi i tij i ofrohet masave të gjera popullore si një mënyrë për të shkallmuar të pasurinë e atyre që kanë. Socialistët janë në favor të sistemit të tyre edhe pse e dinë se të varfërit nën këtë sistem do të jenë më keq. Por u desh kolapsi i sistemit ekonomik në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera ish-komuniste që i detyroi socialistët më në fund të pranojnë se dështimi i socializmit ishte i plotë, jo vetëm nga pikëpamja krahasuese dhe nga faji i rrethanave të jashtme, por nga fakti se ishte një dështim thellë në brendësi të sistemit.
është për t’u theksuar se edhe gjatë gjysmë shekullit të fundit, dhe në këtë dhjetëvjeçar të shekullit të ri, partitë e "socializmit demokratik" evropian, gjithnjë e më tepër kanë përvetësuar elemente të kapitalizmit “grabitqar”, dhe në raste të caktuara kanë dështuar krejtësisht me kërkesat e veta. Disa nga veçoritë "socialiste", të tilla si kujdesi shëndetësor dhe mirëqenia e përgjithshme nën kujdesjen e shtetit, kanë bërë që këto vende të mbështeten nga një numër i caktuar njerëzish të cilët nuk kanë preferuar një sistem krejtësisht kapitalist. Megjithatë, këtyre elementeve "socialiste" janë duke ju prishur themelet në mënyrë tronditëse. Kohët e fundit edhe në vendet e civilizuara europiane, influenca e partive socialiste ka rënë në mënyrë të ndjeshme.
Rënia e partive social-demokratike në gjithë Evropën ilustrohet qartë në zgjedhjet e qershorit 2009. Në të gjithë Evropën, partitë social-demokrate morën vetëm 22 përqind të votave, 6 përqind më pak se në zgjedhjet Evropiane të vitit 2004. Në Britaninë e Madhe (Partia Laburiste kishte qenë në pushtet për dymbëdhjetë vitet e fundit): Mbështetja për Laburistët ra në një rekord prej 16 për qind. Spanjë: Partia Socialiste në pushtet humbi pesë përqind dhe tani ka përkrahje më të paktë se Partia Popullore e krahut të djathtë.
Gjermani: Partia Social Demokratike (në fuqi për njëmbëdhjetë vjet), mori 21 për qind të votave të përgjithshme. Portugali: mbështetja sunduese e Partia Socialiste ra nga 45 në 27 për qind. Francë: Partia Socialiste (në opozitë ndaj partisë udhëheqëse për shtatë vitet e fundit), mori vetëm 17 përqind - një rënie prej 12 përqind në krahasim me pesë vite më parë. Itali: mbështetja e Partisë Demokratike (organizata pasuese e Partisë Komuniste Italiane dhe partive të tjera "të majta" ) ra nga 31 për qind në 26 për qind.
Danimarkë: opozita Social Demokrate mori 21 për qind, duke humbur 12 përqind krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Holandë: mbështetja e Partisë Laburiste ra në 12 për qind, gjysma e asaj që kishte qenë më parë. Austri: mbështetja e Partisë Socialiste ra nga 33 në 24 përqind.
Për sa më sipër, por edhe më gjerë, duket qartë se e ardhmja e social-komunizmit në Shqipëri është e pashpresë.