Rama, në kërkim të mediave të reja

Pasi ka kuptuar se gazetat e televizionet e deritanishme po i konsumohen, Edi Rama ka urdhëruar biznesmenët pranë tij të hapin disa gazeta e televizione të rinj, në mënyrë që të synohet një shpëlarje e imazhit të tij të rrënuar politik. Sadri Abazi është vënë në krye të përpjekjeve për hapjen e një televizioni të ri, sipas stilit “Rama Plus”, kurse Fidel Ylli është futur në garë, të rigjallërojë ëndrrën për një sekt gazetarësh, nën strehën e një gazete dhe një radioje të re. Urdhrin për hapjen e mediave të reja mësohet se e kanë marrë edhe disa biznesmenë të tjerë të grupit parlamentar socialist
Edi Rama s’po di se kë të fajësojë për dëshpërimin që ka zënë anëtarësinë socialiste dhe mungesën e alternativave për të marrë edhe një mandat tjetër shpëtimtar në krye të bashkisë së Tiranës. I sëmurë me sindromën e grupeve armiqësore, ai tashmë ka krijuar idenë se shumë nga gazetat e televizionet që ka financuar e po financon s’po ia bëjnë si duhet shpëlarjen e imazhit, prandaj edhe ka nxjerrë skalionin e dytë të deputetëve-biznesmenë për hapjen e mediave të reja. Sadri Abazi mësohet se ka avancuar më shumë në detyrën e tij për blerjen e një rrjeti televiziv, pasi ai ka mbaruar edhe testimin e tregut, por s’po bitis dot, për shkak të çmimeve të larta, si dhe tmerrit që po sheh që po kalojnë kolegët që më herët kanë marrë një urdhër të tillë nga Edi Rama. Hapja e një televizioni të stilit “Rama plus” ngjan një detyrë fort e vështirë dhe pa shumë perspektivë, megjithatë Edvini e ka vendosur se kjo është formula shpëtimtare dhe përmendja e mbi 50 mijë metra katroreve truall është një tjetër shtrëngesë që e shtyn Abazin në këtë aventurë. Testimet e para s’po i ecin mirë Sadriut, pasi ai duket se duhet të bëjë disa qoka në të njëjtën kohë; edhe të blejë një televizion për të krijuar “Rama plus”-in, edhe të shpëtojë ndonjë pronar të vjetër medieve nga falimentimi, gjithmonë me urdhëresën e brendshme të lidershipit socialist.
I vullnetshëm në aksionin për hapjen e mediave të reja është edhe Fidel Ylli, të cilit ende s’i kanë mbaruar ëndrrat që sheh prej 20 vitesh me grumbuj gazetarësh që si dervishë i afrohen lokalit të tij, i cili njëkohësisht luan edhe rolin e teqesë, edhe rolin e xhamisë, edhe rolin e gazetës. Dikush i ka shtënë këto kohë në mendje Fidelit se gazeta që do të hapë (testata mësohet se s’do të blihet), duhet shoqëruar patjetër edhe me një radio, në të cilën Edi Rama të ketë mundësinë e pafundme të flasë, pa pasur frikë se dikush do t’ia ngulë sytë e do ta destabilizojë, apo do t’i vërejë qeskat poshtë syve.
Edhe një brez i nivelit të dytë të biznesmenëve-deputetë ka marrë përsipër të testojë tregun e të identifikojë mundësitë për t’u futur me tituj të rinj apo për bërjen e ndonjë “make-up”-i për ndonjë medie të vjetër që mund të shpëtohet.
Humbja e besimit te mediat që Edvinit i kanë kushtuar miliona euro ka sjellë edhe humbjen e qetësisë, por njëkohësisht edhe rrezikun e shpërthimit të luftës civile, tek dhoma e shërbëtorëve mediatike të nomenklaturës. Rreziku që kjo përplasje të zbresë edhe tek nivelet e gazetarëve është gjithsesi i vogël, por paraprakisht një paralajmërim duhet dhënë për stinën e re të luftës së ndyrë mediatike që po prodhon dëshpërimi i Edi Ramës.