E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat, nga sot jo më aplikime në komisariatet e policisë



Sot ndërpritet aplikimi për pajisje me pasaporta në të gjithë komisariatet dhe drejtoritë e policisë në vend. Tashmë, pajisja me pasaporta do të bëhet vetëm në njësitë bashkiake, aty ku aplikohet për karta identiteti, por jo me pasaportat me të cilat jemi pajisur deri dje, por me pasaportat e reja biometrike. Një fakt i tillë është bërë publik nga burime zyrtare në Ministrinë e Brendshme, të cilat kanë njoftuar edhe organet përkatëse për të adresuar personat e interesuar pranë njësive bashkiake. Procedura që do ndiqet për pajisjen me pasaportë do jetë e njëjtë me atë të kartave të identitetit, ndërkohë që shuma që do të paguhet është 6 mijë lekë të reja. Referuar të njëjtave burime zyrtare, qytetarët që do të aplikojnë për pasaportat e reja nuk do të kenë penalizim nëse do dorëzojnë pasaportat ekzistuese, por do të paguajnë vetëm shumën e përcaktuar për pasaportën e re. Po sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Brendshme, bëhet e ditur se nuk do të ketë gjobë kur aplikon për pasaportë biometrike edhe nëse nuk të ka përfunduar afati për pasaportën ekzistuese. Ndërkohë që afati i skadencës për pasaportat aktuale është viti 2011. Pra, të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, njoftohen nga Ministria e Brendshme për të aplikuar për pasaporta e reja biometrike.

Aplikimi

Aplikimi për pasaportat biometrike nuk do të bëhet më pranë strukturave policore, siç kanë qenë komisariatet deri më sot, por pranë njësive bashkiake, aty ku janë bërë aplikimet për karta identiteti. Tashmë të dhënat janë gati për personat që kanë aplikuar apo kanë marrë në dorë kartat e identitetit dhe pajisja me pasaportë biometrike për këta persona dhe të tjerë që do aplikojnë nuk do të zgjasë shumë. Pra, pajisja me pasaportë biometrike nuk zgjat më tepër se koha që duhet për pajisjen me kartë identiteti. Sipas burimeve zyrtare, mjaftojnë vetëm 6 mijë lekë të reja, karta e identitetit apo dhe pasaporta e mëparshme, marrja e shenjave të gishtave dhe të dhënave nëse nuk janë marrë më parë, dhe pas gati një muaji, pasaporta është gati. Ky hap ndërmerret në kuadër të implementimit të prodhimit të pasaportave biometrike. Për këtë arsye, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, duke filluar nga dita e sotme, pra 02.04.2009, do të ndërpresin pranimin e dokumenteve për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportën ekzistuese. Ndërsa, të gjithë personat që kanë aplikuar për pasaportën ekzistuese brenda kohës së përcaktuar, do të duhet të presin dy javë për t’i marrë ato.

Qeveria

Aplikimi, 1 prill-1 maj, afati vetëm për shtetasit pa pasaportë

Miratohet vendimi, i cili ndër të tjera përcakton se në rast se punonjësit e gjendjes civile lejojnë aplikimin e shtetasve me pasaportë brenda kësaj periudhe, kostoja e aplikimit i ngarkohet punonjësit të gjendjes civile. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në vendimin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik, që kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Në bazë të ndryshimeve të miratuara, procedura e aplikimit për shtetasit, të cilët disponojnë pasaportë, fillon në datën 1 maj 2009. Nga ky rregull përjashtohen ata që kanë aplikuar brenda datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht. Ndërsa, në njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë do të fillojë më 1 qershor 2009. Nëse nga grupet e monitorimit vërehen, gjatë aplikimit, shkelje të afateve e të procedurave, të parashikuara në këtë vendim, nga punonjësit përkatës të zyrës së gjendjes civile, për shtetasit që disponojnë pasaportë, kostoja e aplikimit do t’i ngarkohet punonjësit përgjegjës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›