E Shtunë, 31 Tetor 2026

El Clasico raundi i pare

Sot në orën 22.30 në “Kamp Nou” do të luhet raundi i parë i “El Clasico”-s së sezonit të ri. Ndeshja e parë e vlefshme për Superkupën e Spanjës tërheq vëmendjen e të gjithë botës, për vetë rivalitetin e madh mes dy skuadrave, por edhe për luftën ndërmjet trajnerëve. Në fakt, një vit më parë, Zhoze Murinjo i futi gishtin në sy trajnerit Tito Vilanova, në atë periudhë asistent i Guardiolës.

Më pas, vëmendja përqendrohet e gjitha te yjet në fushë, e mbi të gjitha te dueli ndërmjet Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit: portugezi e mbylli kampionatin e kaluar me 46 gola, argjentinasi me kuotën rekord të 50 rrjetave. Janë pikërisht dy lojtarët më të mirë në botë në qendër të vëmdndjes, edhe prej duelit për Topin e Artë 2012.

Mesi paraqitet në këtë sfidë në formë të shkëlqyer, e mbi të gjitha pas dy golave në ndeshjen e ;parë të La Ligas ndaj Real Sociedad. Në anën tjetër, Kristiano Ronaldo e ka pranuar edhe vetë që nuk është në gjendje optimale.

Megjithatë, statistikat e dueleve të fundit “El Clasico” flasin në favor të yllit portugez. “CR7” ka shënuar në portën e Barcelonës në tre sfidat e fundit, ndërsa ai ishte vendimtar në përballjen e 21 prillit, ku Reali fitoi 2-1 në “Kamp Nou” dhe hipotekoi titullin kampion.

Në anën tjetër, Mesi është në kuotën e 13 golave të shënuar në 15 ndeshje kundër madrilenëve, megjithatë ai nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në 4 përballjet e fundit. Në total, Mesi nuk shënon në portën e Kasijas prej 362 minutash.

Argjentinasi është golashënuesi më i mirë i Superkupës së Spanjës me 8 gola, ndërsa Barça kërkon suksesin e katërt radhazi në këtë aktivitet. Dueli pritet të jetë i ndezur dhe spektakolar, pavarësisht se jemi vetëm në muajin gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›