E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikologjia e suksesit

Derisa klubet evropiane kanë psikologë në radhët e tyre, drejtuesve të klubeve kosovare as që u shkon ndërmend të angazhojnë ekspertë të këtij lëmi për t’i liruar lojtarët nga ngarkesat. Sipas trajnerëve, angazhimi i psikologëve nëpër klube është shumë i nevojshëm pasi vetëm kështu mund të kërkohet suksesi.

Kampioni i Kosovës, Prishtina, të martën zgjodhi një mënyrë të veçantë që t’i frymëzojë futbollistët e saj para ndeshjes së parë të sezonit të ri, kundër Trepçës.

Trajneri i ri i ekipit, Ejup Mehmeti – Kapiti kishte ftuar në stadium shkrimtarin dhe autorin e disa librave të mendimit pozitiv, Daut Demakun, që ta mbajë një ligjëratë para futbollistëve, me qëllim që t’i frymëzojë ata.

Derisa klubet evropiane kanë psikologë në radhët e tyre, drejtuesve të klubeve kosovare as që u shkon ndërmend të angazhojnë ekspertë të këtij lëmi për t’i liruar lojtarët nga ngarkesat

Ejup Mehmeti – Kapiti, i cili si trajner ka punuar edhe në Gjermani, mendon se angazhimi i psikologëve nëpër klube është shumë i nevojshëm, derisa nuk e përjashton mundësinë që edhe gjatë sezonit ta ftojë në skuadër sërish Daut Demakun.

“Ne rrethanat kosovare, me këtë buxhet nuk është i domosdoshëm angazhimi i psikologut, por është shumë mirë që një skuadër ta ketë një të tillë. Ndërsa, kur të dalim në arenën ndërkombëtare, psikologu duhet të jetë pjesë e ekipit pasi nuk mund të kërkosh sukses pa psikolog”, thotë Kapiti për Express.

“Ne e kemi pasur një bllokadë të vogël dhe e pashë të rrugës ta ftoj zotëri Demakun. Ai ka folur para futbollistëve dhe ishte një orë shumë e këndshme. Futbollistët u kënaqën dhe kjo vërehej edhe në fytyrat e tyre”, shtoi ai.

Në anën tjetër, edhe strategu Afrim Tovërlani mendon se angazhimi i psikologut në klub është i nevojshëm, pasi e ndihmon ekipin të dalë nga ngarkesat psikike.

“Angazhimi i psikologut në klub i ndihmon shumë lojtarët. Por duhet të angazhohet tamam një psikolog që di se në çfarë mënyre të bisedojë me lojtarin. Por, në futbollin kosovar mungon shumëçka dhe pakkujt i bie ndërmend të angazhojë psikolog”, thotë Tovërlani.

Por, trajneri prishtinas mendon se vetëm lojtarët nuk kanë nevojë për psikolog. Sipas ish-trajnerit të Prishtinës, Trepçës ’89 dhe Hysit, përveç futbollistëve, nevojë për psikolog kanë edhe disa drejtues dhe trajnerë të klubeve kosovare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›