E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa League te medhate synojne grupet

Faza “play off” e këtij sezoni në Europa League do të nisë me disa sfida mjaft interesante, ku disa pa shumë emër në arenën ndërkombëtare do të tentojnë të bëjnë surprizën përballë disa prej emrave më të mëdhenj në kontinent.

Një prej ndeshjeve më intriguese është ajo që do të vendosë përballë Anzhin e Gus Hidink, që debuton në kupat e europës me holandezët e AZ Alkmar. Rusët kanë shpenzuar shifra marramendëse për të afruar fillimisht Roberto Karlos e më pas Samuel Eto’o, në tentativën për të siguruar një vend mes protagonistëve në Europë.

Liverpuli, një skuadër me shumë histori në aktivitetet ndërkombëtare do të përballet me Hart, me skocezët që do të provojnë të paraqiten më mirë se një vit më parë, ku u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 5-0 nga Totenhemi.

Interi do të luajë për herë të parë në Europa League që prej sezonit 2003-2004, megjithatë për zikaltërit kualifikimi nuk cilësohet i përfunduar edhe pse luajnë me rumunët modestë të Vasluit, skuadër që prej vitit 2002 ka patur një rritje të madhe, ndërsa gjatë sezonit të kaluar ata mposhtën Sportingun në fazën e grupeve.

Në duelet e tjera mes 30 sfidave të sotme, qipriotët e APOEL Nikozias luajnë me azerbajxhanasit e Neftçi, Atletik Bilbao, finaliste e edicionit të kaluar luan me HJK Helsinkin, Olimpik Marseja luan me kampionët e Moldavisë, FC Sherif, ndërsa Bordonë e pret testi përballë serbëve të Cervena Zvezdës.

Ndeshjet e kthimit do të luhen më 30 gusht, ndërsa ekipet fituese do të kualifikohen në fazën e grupeve, së bashku me dhjetë skuadrat që do të eliminohen në fazën “play off” të Champions League. Shorti për fazën e grupeve do të hidhet në Monako më 31 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›