E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia, “gabimet” që penalizojnë maturantin

08/02/2011  Matura 2011, 74 për qind e pyetjeve i përkasin letërsisë, pjesa e mbetur njohurive të gjuhës

Testi do të ketë edhe pyetje që i referohen veprës së plotë nga është shkëputur fragmenti

Pranvera Kola

Në fillim të muajit qershor maturantët do ti nënshtrohen provimit të parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën letërsi dhe gjuhë shqipe. Sipas përcaktimeve të bëra deri më tani nga ekspertët, teza e provimit do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga vepra e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Për këtë maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që gjatë periudhës përgatitore të mos mbështeten vetëm në perceptimin e këtij fragmenti, pasi testi do të përmbajë edhe pyetje rreth tërësisë së veprës. Ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve (AVA) gjatë vlerësimit të testeve në vitet e shkuar kanë përcaktuar edhe gabimet më të shpeshta që penalizojnë maturantët. Këto të fundit kanë të bëjnë me mosleximin e plotë të veprës letrare, çka bën që përgjigjet të mos jenë në nivelin e duhur. Një tjetër problematike e konstatuar është edhe puna me një fragment që shihet dhe si objekt. Kështu, fragmenti i zgjedhur për test është natyrisht një pjesë e shkëputur nga trupi i veprës së plotë. “Në test ai nuk është konsideruar deri më tash si një njësi e pavarur, ku mekanikisht të gjesh elemente gjuhësore dhe letrare. Nga ana tjetër nxënësi nuk arrin ta shohë fragmentin si strukturë. (edhe brenda tij ka paragrafë, pjesë, hyrje, zhvillim dhe mbyllje)”, konfirmojnë specialistët. Më tej specialistët detajojnë se një pjesë e mirë e punimeve të nxënësve konsiderohen të pavlefshme për shkak të daljes nga tema, ose të mospërshtatjes me temën. Problematika është shfaqur edhe tek njohja e koncepteve, (këtu është fjala për konceptet letrare dhe gjuhësore.). lidhur me këtë të fundit janë identifikuar edhe disa raste që ndeshen më rëndom. Në shumë raste vihet re që maturanti nuk njeh konceptin “detaj”. Po ashtu ekspertët theksojnë se nxënësit shfaqin mangësi edhe në njohjen e koncepteve që përfaqësojnë dhe emërtojnë drejtime letrare. Njëkohësisht mangësi shfaqen edhe te njohja e figurave letrare, për shembull, dallohet vetëm epiteti dhe krahasimi. Edhe këto në formën e tyre më të thjeshtë dhe jo si epitet metaforik apo similitudë. “Nuk njihen konceptet “përqas ose krahaso” (krahaso Makbethin dhe znj. Makbeth) nuk njihet konceptet e thjeshta gjuhësore (p.sh, roli i rendit të përmbysur te vargu i poemës “Andrra e jetës” së poetit Ndre Mjeda; “E kandshme asht hana” etj. (p.sh. roli i retiçencës te novela “Plaku dhe deti”: “Mblidh mendjen dhe mundohu të durosh vuajtjet si njeri i vërtetë… ose si peshk, - shtoi ai me vete” (p.sh, roli i mbiemrave te Koliqi (tregimi “Kumbulla përtej murit”). (p.sh. rimat foljore dhe emërore te krijimi “Bukuria” i Naim Frashërit (efekti i ndajfoljes “posa” te vargu “posa pashë bukurinë, zëmrën e varfrë ma piku etj.”, analizohet nga specialistët e AVA-së.

Mangësitë e shfaqura gjatë vlerësimit të testeve

1. Mosleximi i plotë të veprës letrare

Idesë së vjetër që nxënësit tanë lexojnë pak i bashkëngjitet ideja se nxënësit tanë merren shumë pak edhe me tekstin mësimor si shtysë drejt veprës artistike. Rreth 20% të pyetjeve mbi veprën e plotë ose mbi stilin e autorit në këtë vepër nxënësit i përgjigjen spontanisht kur është fjala për alternativë dhe në mënyra të paarsyeshme kur është fjala për zhvillim. P.sh; kur ne pyesim në përputhje të plotë me tekstin mësimor ose me rrethanat e njohura të mendimit mbi një vepër se cilës epoke i përket vepra e Dante Aligerit, një pjesë e nxënësve, çuditërisht, na e shpien atë në shekullin XX, duke e quajtur edhe modernist. Kur ne pyesim se ku qëndron absurdi në veprën “I huaji” të Kamysë, ata përgjigjen se nuk kanë ndeshur personazh me këtë emër. Kur ne pyesim si ndikon paraja si koncept në zgjidhjen që vetë Balzaku u jep personazheve të tij te romani “Evgjeni Grande”, ata nuk japin asnjë përgjigje për arsyen e thjeshtë se nuk e dinë përfundimin e veprës, pra nuk e kanë lexuar, ose nuk e kanë çuar atë deri në fund.

2. Puna me një fragment shihet si punë me një objekt

“Fragmenti i zgjedhur për test është natyrisht një pjesë e shkëputur nga trupi i veprës së plotë. Në test ai nuk është konsideruar deri më tash si një njësi e pavarur, ku mekanikisht të gjesh elemente gjuhësore dhe letrare. Pavarësisht se për një pjesë të pyetjeve nuk mund të trajtosh gjithë dimensionin e një vepre, aty gjen në një përqindje të caktuar pyetje që mbulojnë veprën dhe pyetje me karakter aplikativ. Është shumë e vështirë që nxënësit të perceptojnë nëpërmjet fragmentit veprën, por e kanë të vështirë që edhe të demonstrojnë një lexim të drejtë të tij, pasi nga ai të nxjerrin më pas kuptimin nga më e thjeshta deri te struktura kritike më e lartë. Këtu mbahen parasysh hapat që nga nxjerrja e një informacioni nga teksti, zbulimi i një detaji, shpjegimi i një dukurie letrare apo përdorimi të thjeshtë gjuhësor, shpjegimi i një marrëdhënie midis personazheve, komenti i një shprehjeje, veprimi, sjelljeje, i një hyrjeje a mbylljeje e deri tek argumentimi apo interpretimi i një treguesi të pavarur, në distancë apo jo nga vepra ku pothuajse gjithmonë përfshihet rruga nga subjekti deri tek interpretimi i performancës së stilit të një autori. Për shembull, në një fragment të shkëputur nga tregimi i Koliqit “Kumbulla përtej murit” pyetjes: “Cila është në të vërtetë princesha e bukur?” (shkëputur nga një fragment i përzgjedhur) duhet të ndiqet nga përgjigjja: “Fëminia (në këtë pyetje kërkohet thjesht që nga leximi i kujdesshëm të nxirret informacion nga fragmenti.

3. Të mos kuptuarit e drejtë të një pyetjeje

Shpesh nxënësit ankohen se përgjigjja e tyre është ajo që duhet dhe se nuk është vlerësuar mirë. Por në shumë raste arrijnë në këtë pikë pasi ata nuk njohin mirë pyetjen. Për këtë ata duhet të udhëzohen është shumë e rëndësishme të njihet fjalori më i zakonshëm që ndërton pyetjet. Sipas niveleve të tyre, pyetjet kanë në përbërje fjalë të tilla, si: detaje, shpjego, komento, interpreto, identifiko, perifrazo etj. Kështu, për shembull, në rast se kërkohet të gjendet një detaj i thjeshtë në funksion të një treguesi artistik si në pyetjen: “Gjeni dy detaje që tregojnë se Oresti është i gjallë”, natyrisht që përgjigjja duhet të na shpjerë tek tufa e flokëve mbi varr dhe jo te fakti që Elektra qante (jemi te vepra “Oresti”, në kohën kur ai kthehet dhe ndalesën e parë e bën te varri i të atit dhe e motra, Elektra, gjen pikërisht aty shenja të jetës së tij) etj.

Struktura e re e arsimit profesional, praktika nis që në vitin e parë

Nxënësit e shkollave ekonomike

mund të punësohen pas viti të dytë

Ndjekja e studimeve të mesme në shkollat profesionale ekonomike lejon punësimin e nxënësve në sipërmarrjet private në profilet ekonomi apo biznes që pas mbarimit të vitit të dytë. Në këtë rast bën përjashtim vetëm profili i bankave, për të cilin nxënësi duhet të mbarojë detyrimisht sistemin katërvjeçar të specialitetit përkatës. Vetë drejtuesit e shkollave ekonomike konfirmojnë se me ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit profesional konfirmohet se të rinjtë gjatë dy vjetve të parë marrin eksperiencën dhe njohuritë e duhura për të punuar në sipërmarrjet private me profil ekonomi-biznes. “Me ndryshimet e bëra u jepet një rëndësi shumë e veçantë gjatë këtyre dy vjetve aftësive sipërmarrëse të nxënësve, që do të thotë se ai fare mirë mund të ndihmojë familjen në hapjen e një biznesi familjar. Në një bankë jam më se e bindur se mund të punojë një nxënës që mbaron sistemin 4-vjeçar në shkollën e mesme ekonomike", - konfirmon drejtoresha shkollës së mesme ekonomike në kryeqytet Mirjeta Zylaj. Ndryshimet e përcaktuara gjithashtu konfirmojnë edhe një tjetër risi që ka të bëjë me praktikat profesionale, të cilat do të fillojnë që në vitin e parë. Në këto kushte, nxënësit do ta kenë më të lehtë të përvetësojnë edhe njohuritë teorike nëpërmjet praktikës, ndryshe nga sa ka ndodhur në sistemin e vjetër. “Dallimi me sistemin e vjetër është që nxënësi që në vitin e parë punon jo vetëm në pjesën teorike të lëndëve profesionale, por në sistemin e ri i kushtohet një rëndësi shumë e madhe praktikës profesionale. Risia e shkollave ekonomike në këtë vit është se përveç zhvillimit të praktikës në zyrën mësimore që ndodhet në shkollë, i jepet mundësi që nxënësi të bëjë praktikën edhe në një ndërmarrje", - shton më tej Zylaj. Ndërkohë duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor struktura e vitit të ri 2011–2012 për shkollat e mesme profesionale do të shoqërohet me ndryshimin e cikleve të studimit, e cila do të kalojë nga sistemi 5-vjeçar në atë 4-vjeçar, ndërkohë që mosha e studimeve nga 18 vjeç do të ulet në 16 vjeç. Sipas përcaktimeve, konfirmohet se struktura do të përbëhet nga arsimi profesional i mesëm me disa nivele shkollimi. Struktura ka si qëllim zhvillimin, njohjen dhe dhënien e kualifikimeve në vend bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave që duhet të arrijnë nxënësit, studentët dhe kursantët. Projektligji i miratuar së fundi qartëson të gjitha llojet e kualifikimeve dhe njohjen e diplomave, certifikatave përkatëse, si dhe siguron lëvizjet vertikale dhe horizontale të nxënësve dhe studentëve në sistem.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›