Elbasan, 70 studentë dhurojnë gjak për njerëzit në nevojë
Rreth 70 studentë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" dhuruan dje në mjediset e këtij institucioni gjak për njerëzit në nevojë duke iu përgjigjur thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar në kuadër të një fushate sensibilizimi në institucione të ndryshme.
Koordinatorja e degës së Kryqit të Kuq në Elbasan, Manjola Rukaj, tha se "vetëm ditën e sotme janë regjistruar rreth 70 studentë, ku deri në orët e mesditës kanë dhuruar gjak 50 prej tyre, ndërsa procesi i dhurimit të gjakut do të mbyllet në orët e vona të pasdites". Sipas saj, përpara se të kryhet procesi i dhurimit të gjakut çdo donator i është nënshtruar një kontrolli, duke kryer analizat në mënyrë që të shmangen sëmundjet e mundshme, që mund të transmetohen me anë të transfuzionit të gjakut. Ky mision human do të vazhdojë edhe ditën e nesërme në qytetin e Elbasanit, ku besimtarët myslimanë do të dhurojnë gjak për të gjithë ata njerëz në nevojë.