E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, rifillon loja e vjetër

Nga Xheladin ÇELMETA
Ndodhi ajo që pritej. Vetëm 95 ditë para momentit të shumëpritur të zgjedhjeve, formacionet politike tashmë janë kristalizuar thuajse tërësisht. Në katër vitet 2005-2009, grindjet, përçarjet, ndarjet, mëritë, ribashkimet, rrjedhjet e pavullnetshme, ikjet pa kthim, etj, etj, nuk kanë qenë gjë tjetër, veçse thjeshtë lojëra politike, që nuk i kanë sjellë ndonjë dobi elektoratit shqiptar, me kaq shumë halle e probleme për tu zgjidhur.  Tashmë, gjithkush e kupton fare mirë se në politikën shqiptare  ka rifilluar loja e vjetër. Liderët politikë kryesorë të PD- së e PS- së, po veprojnë sipas strategjisë së njohur të gjeneralëve në luftë: Po rigrupojnë forcat për dhënien e goditjes përfundimtare më 28 qershor 2009. Secila në llogoren e vet, gati për betejën e votave. Një betejë e fortë, që duket se do të jetë krejt e patolerueshme nga të dy anët. Veçse me një impakt të ri: Që secila palë do të mundohet të ruajë një imazh sa më perëndimor në pranimin e rezultatit, përderisa në ditën e zgjedhjeve, Shqipëria do të jetë një vend i anëtarësuar në NATO, që prej 3 muajsh. Gjithsesi, le të shohim se çpo ndodh realisht në këtë periudhë parazgjedhore në kënetën politike shqiptare. PS, e frikësuar nga ndonjë rezultat i dobët në zgjedhjet e qershorit 2009, po përdor të gjithë mënyrat  për të forcuar sa të jetë e mundur kështjellën rozë. Po del nga Dialogu me Shqipërinë, (e cila më shumë i ngjante një lufte në akuarium), dhe po rrit pjacën e mitingjeve në metropolet kryesore të vendit.  Episodi më evident i këtij aspekti, ishte konvertimi i menjëhershëm, on blok, i LSI-stëve (të Vlorës, Lushnjës dhe i ndonjë organizate tjetër në Tiranë), në socialistë(!). Me një urdhër të kryetarëve të tyre, këto organizata LSI- je u ngjyrosën brenda një minute me bojën socialiste. Tani spektri politik  shqiptar po rikonsiderohet si të ishim në vitet 1992-1994 apo më pas, në vitin 2001: Nga njera anë demokratë të rigrupuar e të mbledhur fort pas kolonës që i drejton, dhe nga ana tjetër; socialistë të përfshirë në një proces evident konsolidimi. Në mes, dihet; janë partitë e vogla. Ligji i ri, që cakton qartë pragun elektoral, duket se pikërisht këtyre të fundit, iu siguron mbijetesën. Fundja, në mos gjithë-përfaqësimin aq të dëshiruar të pretendentëve liliputë në garën zgjedhore, të paktën mundëson garantimin e mbijetesës së krerëve të tyre. Kjo duket se është edhe logjika që sundon në radhët e të vegjëlve. Pra, edhe sikur me 0,1 për qind të kapërcesh pragun elektoral, ke kaluar provimin, quhesh me ligj forcë politike ekzistente në Shqipëri. Në të kundërt, ska asnjë vlerë investimi e mundimi i deritanishëm. Sikurse dihet tashmë nga të gjithë, për ligjin e ri të këtij procesi zgjedhor, Thembra e Akilit dhe njëkohësisht edhe molla e sherrit mes partive, ishte pikërisht caktimi i limitit të pragut elektoral. Dihet gjithashtu, se partia më e zemëruar (mbase me të drejtë), nga miratimi i paradokohshëm i Ligjit për zgjedhjet 2009 ishte Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot, është pikërisht kjo parti, që pretendon që jo vetëm të jetë forcë e tretë politike në vend, por edhe të ketë një zë shumë më të fuqishëm se deri tani përfaqësimi e vendimmarrjeje në vend. Shqetësimi brenda përbrenda LSI-së, aktualisht i shfaqur përmes integrimeve e dis-integrimeve të herëpashershme, edhe një herë flet për punën e sforcuar që bëhet nga kryesia e saj, për të arritur me çdo kusht objektivat ambicioze të këtij viti elektoral.
  Më pas vjen grupimi i sapo pagëzuar, G-99- të, i Erion Velisë. Analistë të ndryshëm të politikës bëjnë prognoza befasuese për këtë pjesëtar të ri të spektrit politik shqiptar. Shumëkush fillimisht nxitoi  ta quajë të riun simpatik, Veliaj, një Obama shqiptar. Fraza elokuente në mitingje të organizuara për çështje mjaft të ndjeshme në vend si; varfëria e njerëzve, pamundësia për shkollim sidomos në zona rurale, ngujimet nga gjakmarrja, indiferenca e klasës politike ndaj problemeve sociale, etj, etj; të gjitha këto u konsideruan me të drejtë si pikat e forta të kreut të G-99- tës. Grupimi i vogël, por me performancë të pëlqyeshme në publik, G-99-ta, do të ishte e tillë edhe sot e kësaj dite, dhe Erion Veliaj vetë, mbase do të meritonte të quhej edhe Obama i Shqipërisë, ... po të mos ekzistonte thashethemi më i fundit se ai sështë gjë tjetër veçse vegël e Edi Ramës, apo një bisht i PS- së". Në gjithë këtë ekspoze që bëmë për këtë garë elektorale, (ku lufta e nervave e krerëve nëpër mitingje, përmbahet jo aq nga dëshira e tyre, se sa nga leksionet e moderatorëve që mbështesin fushatën), ajo që duket fare qartë është thelbi i lojës politike që po bëhet aktualisht. Ajo nuk ka ndonjë risi, ndonjë akt të ri performimi për të demonstruar. Shkurt, deri në ditën e fundit të fushatës, do të kemi vetëm premtime, premtime, premtime Pra, fjalë, imzot, fjalë...... Ndërsa në fakt, ajo që duhet të orientojë shqiptarët në këto zgjedhje, nuk duhet të jetë fraza e bukur e politikanit, por fakti se sa e vërtetë është ajo. Njerëzit të mos mendojnë sipas kokës së politikanit, por sipas mendjes së tyre. Votën të mos ja japin partisë, por personit që ata i besojnë.                                             

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›