E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimet, Prifti:Biznesi shqiptar të blejë pronat



Redi Gjuzi

Qeveria është e vetëdijshme që shitja e pronave në kohë krize ekonomike botërore, mund të ndikojë në çmim. Kjo është arsyeja që të gjitha këto prona që do privatizohen, janë të destinuara, në radhë të parë për biznesin shqiptar. Në një intervistë për gazetën, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikes, tregon reformën e re të privatizimeve. Duke pranuar efektet e krizës ekonomike, të ndikuara edhe nga problemet e Qeverisë greke, Dritan Prifti, thekson se janë këto para që do të kompensojnë disi mungesën e pritshme të të ardhurave fiskale. Duke folur për amnistinë, Prifti pranon se ligji do të miratohet këtë vit dhe se duhet të ketë një normë sa më të ulur taksimi për paratë në "hije".
Qeveria ka vendosur të privatizojë të gjitha pasuritë publike. Nga ana tjetër, e gjithë bota përfshi Shqipërinë, janë duke kaluar një krize ekonomike dhe financiare. A mendoni se është koha e duhur për një hap të tillë? A mendoni se do të merret maksimumi i mundshëm financiar nga ky veprim e këtë kohe?
Hapi që Qeveria shqiptare po merr për të filluar një proces privatizimi të plotë dhe masiv të gjithë pasurive, aksioneve dhe pronave publike, unë mendoj që është shumë pozitiv dhe shumë i zgjuar në kushtet e një krize globale financiare. Kjo krize ka filluar të ketë efekte dhe në Shqipëri, sidomos pas krizës së jashtëzakonshme që ka kapur Greqinë fqinje. Me këtë reforme ne parashikojmë të kontribuojmë në buxhetin e shtetit nëpërmjet privatizimit me rreth 100 milion euro këtë vit. Ky kontribut do kompensoje humbjet e të ardhurave fiskale që janë të pashmangshme. Ky veprim do zgjoj interesin e kapitaleve të fjetura të shqiptarëve dhe mund të jap një shtysë pozitive ekonomisë në një kohë të nevojshme. Sigurisht që çmimet e pronave që do dalin në shitje nuk do jenë maksimale, por ne nuk do insistojmë të marrim maksimalen. Kriza do ulë çmimet në mënyrë të pashmangshme, por nëse këto prona do t'i blejnë bizneset shqiptare do ishte mrekulli. Ne jemi të përgatitur që për bizneset dhe individët shqiptarë të pranojmë dhe çmime të ulëta që dikton tregu. Unë mendoj se nuk ka shans me të mirë për kapitalet shqiptare se sa të investohen në këtë proces privatizimi, ku vlera e pronave që do blihen në pak vite mund të shumëfishohet.
Duke qëndruar te privatizimet. Besoj se Ministria tashme ka një listë të objekteve, ndërmarrjeve që do të dalin në privatizim. A ka ndonjë shifër për numrin e tyre dhe sa pritet të jetë e ardhura nga ky veprim?
Kemi shume lista asetesh dhe kompanish që do privatizohen. Janë mijëra prona. Vetëm ushtria ka sjelle një inventar repartesh ushtarake që do shiten mbi 500. Shpresojmë që bashkë me Albtelekom, INSIG, ARMO, Albpetrol dhe gjithë ndërmarrjet apo pronat më të vogla, të arrijmë një të ardhur rreth 100 milion euro për buxhetin e shtetit.
Si Ministër i Ekonomisë, besoj se jeni në dijeni të kërkesës se biznesit për amnisti fiskale. Nga ana tjetër, Guvernatori dhe vetë ministri Bode kanë pranuar këtë ofertë të biznesit. Kush mund të jenë kushtet e kësaj amnistie, pra sa do të taksohet deklarimi i parave gri dhe deklarimi i aseteve?
Edhe unë jam i mendimit që amnistia fiskale është e nevojshme në një moment të tillë kur ka kaluar një ligj antimafia dhe pritet që të dal ligji që do detyroj çdo shqiptar të bëj një deklarim personal të të ardhurave çdo vit. Përpara se të fillojnë të zbatohen këto dy ligje të reja, por dhe të rrepta, do ishte normale t'i jepje biznesit dhe individëve një shans për të deklaruar të ardhurat apo pronat e padeklaruara deri tani, ti falje gjithë këto të ardhura të padeklaruara duke i bërë atyre një taksim minimal. Akoma nuk është fiksuar niveli i taksimit, por unë mendoj se nuk duhet të jetë më shumë se 5%, por mund të jetë edhe me pak. Ligji i ri duhet të garantoj 2 gjëra: e para të jap garanci që s'ka asnjë pasojë për ata që deklarojnë të ardhura të padeklaruara deri tani që kanë ardhur si pasojë e evazionit fiskal, dhe e dyta shkalla e taksimit të jetë e ulët që të bëj biznesin t'i deklaroj ato.
Amnisti do të aplikohet gjatë këtij viti? (duke pasur parasysh që kjo është e disata herë që biznesi kërkon amnisti dhe gjithmonë nisma ka ngelur në kuadrin e diskutimit, dhe jo zbatimit)
Besoj që do realizohet këtë vit, pra brenda 2010.
Biznesi ankohet se bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, nga ana tjetër sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, bankat po ankohen se ka rënë kërkesa nga biznesi për kredi. A ka Qeveria, apo ministria e Ekonomisë, ndonjë plan apo projekt për të ndërmjetësuar këtë ngërç?
Bankat për fat të mirë janë të gjitha private dhe ato marrin vendimet e tyre pavarësisht nga Qeveria. E vërteta është që bankat në Shqipëri janë plot me likuiditete dhe ato nuk po gjejnë projekte të mira për të investuar. Unë kam pasur shume konsulta me banka të ndryshme këtu dhe ato thonë që biznesi nuk ka kërkesa serioze për kredi. Biznesi dhe individët në Shqipëri nuk ka nevojë të gjejnë sekser për të kërkuar kredi. Bankat janë plot me para dhe ato janë duke kërkuar projekte të mira për të financuar. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë krijuar një kuadër ligjor perfekt për të garantuar sigurinë e bankave, por dhe sigurinë e investimeve. Shqiptaret duhet të jenë më shumë novator, të vrasin mendjen për ide të reja biznesi dhe të mos hezitojnë t'i drejtohen bankave.
Gjate vitit të kaluar, Qeveria ka firmosur rreth 3 miliardë euro koncesione në fushën e energjisë. Kur pritet të fillojë puna për këto vepra?
Koncesionet deri tani në Shqipëri rezultojnë të jenë të suksesshme. Ministria e Ekonomisë ka kontrolluar në këto pak muaj rreth 50 koncesione të dhëna për hidrocentrale dhe rezulton që 34 prej tyre kanë filluar pune. Kjo është një shifër tepër optimiste në kushtet kur bota është në krizë. Dhe çuditërisht kërkesa për koncesione të reja është e lartë. Unë jam dëshmitar i kërkesave të reja që depozitohen çdo ditë në Ministrinë tonë. Në këtë 4 vjeçar parashikojmë të lidhin kontrata koncesionarë që kalojnë 5 miliard euro.
është hera e dytë, brenda dy muajve që uji i hidrocentraleve po përmbyt zonat e Nënshkodrës. Si mund të zgjidhët ky problem?
Nuk po i përmbyt zonat uji i hidrocentraleve, por reshjet dhe prurjet lumenjve. Hidrocentralet kanë zvogëluar përmbytjet maksimalisht. Nëse hidrocentralet nuk do ishin mbi lumin Drin përmbytjet do ishin shumë më të mëdha. Ne kemi arritur të ndalojmë miliarda m3 ujë nëpër liqenet e hidrocentraleve, duke mos e lejuar të shkoj dhe të përmbytë. Koncepti që hidrocentralet përmbysin duhet zhdukur. Hidrocentralet ndihmojnë në minimizimin e përmbytjeve ose ndonjëherë dhe eliminimin e tyre. Qeveria ka një plan konkret për zvogëlimin e përmbytjeve me ndërtimin e Skavicës apo të Ashtës, por dhe me thellimin e Bunës apo ndërtimin e veprave të reja të bonifikimit në zonën e Shkodrës.

Privatizimet
"Kriza do ulë çmimet në mënyrë të pashmangshme, por nëse këto prona do ti blejnë bizneset shqiptare do ishte mrekulli. Ne jemi të përgatitur që për bizneset dhe individët shqiptarë të pranojmë dhe çmime të ulëta që dikton tregu."

Amnistia
"është e nevojshme në një moment kur ka kaluar një ligj antimafia dhe pritet që të dal ligji që do detyroj çdo shqiptar të bëj një deklarim personal të të ardhurave. Niveli i taksimit nuk duhet të jetë më shumë se 5%, por mund të jetë edhe më pak."

Kredia
"Biznesi dhe individët në Shqipëri nuk ka nevojë të gjejnë sekser për të kërkuar kredi. Bankat janë plot me para. Shqiptaret duhet të jenë më shumë novator, të vrasin mendjen për ide të reja biznesi dhe të mos hezitojnë t'i drejtohen bankave."

Koncesionet
"Kërkesa për koncesione të reja në energjetikë është e lartë. Unë jam dëshmitar i kërkesave të reja që depozitohen çdo ditë në Ministrinë tonë. Në këtë 4 vjeçar parashikojmë të lidhin kontrata koncesionarë që kalojnë 5 miliard euro."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›