Patozi: Taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës, shkojnë në xhepat e rrethit mafioz të Ramës
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar ngritjen e komisionit hetimor Rama 2, për lejet e ndërtimit të dhëna nga KRT ja e Tiranës pas vitit, 2007, si një detyrim që partia Demokratike u ka qytetarëve të Tiranës. Ne kemi detyrim që tu themi çdo qytetari të Tiranës, tu themi si shpërdorohet qeverisja e tyre, si abuzohet me pushtetin e tyre, se si taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës shkojnë në xhepat e një rrethi mafioz rrotull Edi Ramës, tha Patozi.
Sipas tij, me investimet e bëra në rrugë, shkolla dhe kopshte, qeveria aktuale ka nxjerrë fshatin nga harresa që e kishin zhytur socialistët. Ndryshimi që predikojnë socialistët, është kthim mbrapa në vitet e trafiqeve dhe kontrabandës, nënvizoi Patozi duke u shprehur i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ftoi qytetarët të bëhen pjesë e saj. Ai ka nisur vizitën e tij në komunën Prezë të qarkut Tiranë, me inaugurimin e Ujësjellësit të ri. Duke u ndalur tek arritjet e qeverisë në këto katër vjet Patozi tha se ndërtimi i veprave të tilla publike është dëshmi e mbajtjes së premtimeve të kësaj maxhorance, dhe shtoi se investimet e kryera në këtë komune bëjnë diferencën mes dy qeverisjeve.