Gjirokastër, tentoi të kalonte kufirin i armatosur, arrestohet i riu
Ka dashur të shkojë i armatosur në Greqi, por është kapur në kufi nga Policia e Gjirokastrës. Spiro Ziu, 23 vjeç, nga Selenica e Vlorës është arrestuar nga ana e specialistëve të Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër mëngjesin e djeshëm në Kakavijë, pasi i është gjetur një automatik model 56 të cilin kishte për qëllim ta merrte me vete drejt Greqisë. Ka qenë ora 04:00 e mëngjesit të djeshëm kur 23-vjeçari është gjendur në Stacionin Kufitar të Kakavijës për të udhëtuar drejt Greqisë pasi kishte kaluar disa ditë në vendlindjen e tij në Selenicë.
Gjatë një kontrolli të imtësishëm fizik të ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë në automjetin me të cilin Ziu udhëtonte tip Ford RIO me traga greke YEI 55 69, është gjetur arma e zjarrit automatike model 56. Arma është gjetur në pjesën e pasme të motorit poshtë baterisë së mjetit motorik. Fill pas konstatimit të armës së zjarrit në automjetin me të cilin udhëtonte adoleshenti nga Vlora, në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe specialistët e parandalimit të krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, të cilët kanë bërë shoqërimin e Spiro Ziut në Komisariatin e Policisë dhe më pas arrestimin në flagrancë të tij për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe municioneve. Nga ana e vet, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit dhe automjetin me të cilin udhëtonte 22- vjeçari Ziu. Ky i fundit udhëtonte së bashku me një vajzë shtetase greke K. V., nga Kreta, 24 vjeçe. Sipas deklarimeve të kësaj të fundit në Policinë e Gjirokastrës gjatë marrjes në pyetje, ajo pati pohuar se ishte thjesht një e njohura e Spiro Ziut, e cila ishte ftuar nga i arrestuari për të vizituar familjen e tij në Selenicë të Vlorës. Pas këtyre deklarimeve shtetasja greke është lënë e lirë nga policia duke vazhduar rrugën drejt Greqisë. Policia nga ana e saj ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës.