Elbasan, Leskaj: Shqipëria në këto vite, vetëm varfëri dhe papunësi
Kryetarja e grupit parlamentar në PS, Valentina Leskaj ka qenë në komunën e Shirgjanit të Qarkut Elbasan, ku ka vazhduar prezantimin e programit të ri qeverisës të PS. Duke vlerësuar programin si të mirëstrukturuar, Leskaj theksoi se PS do të fitojë në 28 Qershor, pasi ai është garancia e socialistëve për fitoren dhe qeversjen e të nesërmes së fitores. Shqiptarët janë sot të etur për ndryshim, të cilin nuk e panë dot në këto vite dhe kjo është e kuptueshme, tha Leskaj.
Duke iu drejtuar fshatarëve të komunës së Shirgjanit, Leskaj u shpreh se se sot nuk jeni më të pasur po më të varfër se katër vjet më parë edhe pse qeveria aktuale u kishte premtuar parajsën. Jeni më të varfër e keni një mal me probleme që fillojnë që nga cështja e pronësisë mbi tokën deri te çmimet. Sipas saj, kjo qeveri i ka dhënë shqiptarëve varfërinë dhe skandalet që kanë qenë të njëpasnjëshme që nga Gërdeci. Çdo javë një skandal korruptiv dhe këto janë djersa dhe mundi i shqiptarëve nuk janë paratë e qeveritarëve, tha Leskaj, duke theksuar se sot se 28 Qershori është dita e kthesës në jetën e shqiptarëve. Leskaj deklaroi një anë shumë të veçantë dhe të rëndësishme të Programit të PS. Ajo tha se PS do të lidhë një marrëveshje me Greqinë dhe Italinë për njohje reciproke të periudhës së sigurimit për efekt pensioni. Sipas saj, do të thotë ato vite pune që ke punuar në Shqipëri të bashkohen me vitet e punës në emigracion, në Itali apo Greqi, dhe nëse jeton në këto vende e merr pensionin atj, nëse jeton në Shqipëri e merr pensionin në Shqipëri. Kjo marrëveshje do të lidhet, duke qenë se Shqipëria ka një numër shumë të lartë emigrantësh, të cilët punojnë për vite të tëra në emigracion, në Greqi dhe në Itali dhe nuk ju njihet periudha e punës për efekt të pensioneve. Shqipëria nuk duron më edhe 4 vjet të tjera, sepse e ka lodhur papunësia, e ka lodhur varfëria, e ka dëshpëruar pamundësia për tu krijuar fëmijëve kushte minimale për jetë e shkollë, u shpreh Leskaj, duke shtuar se ne të gjithë bashkë kemi përgjegjësinë për të mos e lënë Shqipërinë edhe katër vjet të tjera në duart e Berishës, ne kemi përgjegjësinë po dhe shansin për tu ndarë nga e kaluara. 28 Qershori është rasti i madh, për ti dhënë jetën që meriton çdo të riu, çdo gruaje, çdo pensionisti, çdo fëmije të këtij vendi, për tu dhënë shqiptarëve mirëqenien dhe respektin që meritojnë. Ne do ta bëjmë këtë së bashku.