E Diel, 1 Nëntor 2026

Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë NATO, një forcë paqeruajtëse në Ballkan

Qëllimi i kësaj ekspozite është të shpjegojë çfarë bën NATO dhe cili është misioni i saj
Me mesazhin NATO një forcë paqeruajtëse në Ballkan, në galerinë e artit në Akademinë e Arteve u çel dje ekspozita vizuale Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë. Në këtë ekspozitë u prezantuan pamje nga misioni i forcave të NATO-s në vende të ndryshme, por dhe pamje nga shtetet anëtare të saj. Kjo ekspozitë vjen në kuadër  të 60-vjetorit të NATO-s si dhe pranimit të Shqipërisë pranë kësaj force. Në ceremoninë  e hapjes së saj merrnin pjesë përfaqësues nga shteti shqiptar si  dhe përfaqësuesja e zyrës së diplomacisë publike e NATO-s në vendin tonë Audrey Darrel. Ekspozita Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë, e cila vjen me mesazhin që NATO është një forcë paqeruajtëse në Ballkan do të qëndrojë 10 ditë e hapur për publikun, i cili mund të njihet dhe më shumë me misionin e kësaj force paqeruajtëse. Për Drejtorin e drejtorisë së NATO-s në Ministrinë Punëve të Jashtme Agim Faku, kjo ekspozitë përveçse është interesante, ajo vjen dhe në gjuhën shqipe për publikun shqiptar, i cili do ta ketë më të lehtë që të njihet me misionin e NATO-s. Ekspozita Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë është interesante për përmbajtjen e saj por dhe sepse ajo vjen në gjuhën shqipe pranë publikut shqiptar. Kjo është diçka e mirë pavarësisht se shqiptarët janë një popull, që e kanë kuptuar me kohë rëndësinë e NATO-s. Mendoj se ardhja e kësaj ekspozite lëvizëse në vendin tonë fill pas futjes së Shqipërisë në NATO është shumë kuptimplotë, u shpreh Agim Faku. Sipas tij kjo ekspozitë do të jetë dhe një argument ndihmës më shumë për publikun shqiptar që të dijë më shumë rreth misionit që ajo kryen në shumë vende. Ekspozita do të jetë një argument ndihmës më i mirë për qytetarët  e thjeshtë sepse ata do të kenë mundësi që të kuptojnë qëllimin dhe misionin e saj, vijoi më tej Agim Faku. Audrey Darrel përfaqësuese e zyrës së diplomacisë publike të NATO-s e pranishme në këtë aktivitet në hapjen e ekspozitës u shpreh se qëllimi i saj përveçse të shpjegojë misionin NATO-s është dhe që të prekë audiencat e reja në vendin tonë. Qëllimi i kësaj ekspozite është të preken audiencat e reja dhe ti shpjegojë asaj se çfarë bën NATO dhe cili është misioni i saj. Kjo sepse akoma po vazhdon ideja që njerëzit e konceptojnë atë si një makinë lufte. Kjo nuk është e drejtë, sepse NATO ka ndryshuar shumë dhe ne po vazhdojmë ta ndryshojmë veten çdo ditë, u shpreh përfaqësuese e zyrës së diplomacisë publike Darrel. Më tej ajo vijon të tregojë se kjo ekspozitë, e cila është lëvizëse titullohet Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë,sepse NATO mundohet që të garantojë sigurinë në ato vende që kanë probleme me sigurinë etj. Kjo ekspozitë shkon në ato vende që janë anëtare të NATO-s, të cilat duan ta kuptojnë, duan të mësojnë se çfarë bën NATO dhe kanë interes siç janë Shqipëria, Kroacia, Rumania etj. Kjo ekspozitë titullohet kështu, sepse ne mundohemi të garantojmë sigurinë pikërisht në vendet që kanë probleme me sigurinë, punë civile, emergjenca civile dhe nuk jemi ajo makina e luftës që njerëzit mendojnë se ne jemi, theksoi ndër të tjera Darrel. Ekspozita Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë është mbështetur dhe nga qeveria shqiptare. Kryeqyteti shqiptar Tirana edhe para disa ditësh pati shumë aktivitete dhe veprimtari kulturore, të cilat kishin në fokus pranimin e Shqipërisë në NATO. Kështu vetëm para disa ditësh kryeqyteti shqiptar ishte i  veshur me flamujt e NATO-s dhe flamujt shqiptar që e treguan më së miri axhendën festive, e cila që nga Strasburgu erdhi në Shqipëri. Dy ditë festime për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeqyteti ishte zbukuruar si për festë, ndërkohë që dy koncerte u zhvilluan me këtë rast historik. Ndërkaq qytetarët kanë ndjekur samitin e NATO-s, përmes ekraneve të mëdhenj të vendosur në qendër të qytetit. Drejtpërdrejt nga Samiti i NATO-s, që zhvillohej në Strasburg, dhjetëra qytetarë ndiqnin zhvillimet më të fundit të hyrjes zyrtare të Shqipërisë në aleancën më të madhe të sigurisë në botë. Të mbledhur në një prej shesheve në qendër të Tiranës, pranë shtatores së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, burra, gra dhe fëmijë përjetonin momentet e fundit drejt këtij anëtarësimi. Ekspozita Garantojmë sigurinë e së ardhmes sonë, pas Tiranës do të hapet në Sofje.

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 10:43

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›