E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Veliaj hipokrizi me kartat e identitetit

21/04/2009  Forumi Rinor i PD-së

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka sulmuar ashpër drejtuesin e grupimit të ri politik “G-99” Erion Veliaj. Për Bogdanin qëndrimi dhe thirrjet e Veliajt drejtuar popullit shqiptar në lidhje me kartat e reja të identitetit janë të papranueshme. Sipas kreut të FRPD-së, e ashtuquajtura “taksë e votës”, një shpikje e dalë nga opozitarët, nuk është gjë tjetër veçse një trillim i pastër me qëllime aspak të ndershme politike. “Është për të ardhur keq që një i ri, tashmë i vjetruar, që keqpërdoret nga zoti Rama, një i ri, tashmë i vjetruar, që akuzohet nga kolegët e tij të organizatës “Mjaft!” se u pasurua me këtë organizatë, të vazhdojë me trillimet se karta e identitetit është taksë për votën”, - ka deklaruar kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në këndvështrimin e Bogdanit, është më se normale që për t’u pajisur me një dokument të ri identifikimi, secili duhet derdhë kontributin përkatës. Por ai vlerëson si hipokrizi pozicionin e marrë nga drejtuesi i “G-99”-s ndaj kësaj çështjeje kaq të rëndësishme. “Hipokrizia arrin kulmin kur përmend Amerikën, që ai duhet ta dijë fare mirë se edhe për të marrë kartën e studentit duhet paguar”, - ka deklaruar drejtuesi i të rinjve të Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›