Elbasan, OSSH: 96 % e konsumatorëve paguajnë energjinë elektrike
Elbasani radhitet ndër rrethet me përqindje më të lartë të arkëtimeve të pagesave të energjisë elektrike. Ky është konkluzioni i fundit i dhënë nga dega e OSSH për qarkun e Elbasanit. "Eliminimi i abuzimeve, si dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin elektrik nga specialistë të OSSH, në të gjithë rrethin e Elbasanit ka bërë të mundur rritjen e nivelit të arkëtimeve, si dhe ndëshkimin e të gjithë abonentëve abuzivë", ka deklaruar drejtori i filialit të OSSH, Artur Voci.
Sipas këtij të fundit, rezultatet kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara nga ana e specialistëve për rritjen e nivelit të arkëtimeve. Për muajin paraardhës shifra e arkëtimeve arrin në 96 për qind, ndërkohë që është përmirësuar dukshëm situata e energjisë elektrike, e cila thuajse ka qenë në nivelet më të larta në këto vitet e fundit. Po sipas Vocit, mund të theksohet fakti se ky realizim është bërë i mundur si pasojë e kontrolleve të befasishme që kanë realizuar specialistë të OSSH-së duke ndëshkuar të gjithë abuzuesit e energjisë elektrike, ku në të shumtën e rasteve kanë qenë subjekte private, ndaj të cilave janë marrë masa të forta administrative. Nga ana tjetër, me një fond prej 2.56 milion lekësh dhënë nga qeveria shqiptare, kanë përfunduar punimet në tre fidrat e rrjetit të shpërndarjes 20 kilovolt brenda zonës urbane, i cili shërben për përmirësimin e treguesve të energjisë elektrike, si dhe uljes së abuzimeve. Punimet për rrjet kanë nisur që në muajin dhjetor të një viti më parë dhe kanë përfunduar vetëm pak ditë më parë. Përsa i përket punës në vijim, Voci deklaron se "për të ardhmen OSSH do të punojë për sistemin e rrjetit të tensionit të ulët, si dhe projekte dhe studime për rrjetin ABC (rrjet kabllor i shpërndarjes në tensionin e ulët).