Korçë, tentoi të vriste veten publikisht, përfundon në koma
Megjithëse të gjithë e këshilluan që të mos i përdorte medikamentet qetësuese, i ndodhur në gjendje depresive ai duket se nuk e ka patur aspak të lehtë të heqë dorë nga vendimi fatal. Dhjetëra banorë të lagjes 4 në qytetin e Korçës kanë asistuar në një skenë të dhimbshme, ku një person me disa medikamente në dorë ishte duke i konsumuar ato për ti dhënë fund jetës. Madje personi për të cilin policia lokale ka shumë pak të dhëna, iu ka pohuar kalimtarëve se kishte vendosur të vdiste.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 të së martës vetëm disa metra larg spitalit rajonal të qytetit juglindor. Një person i moshës 35 vjeç, të paktën kështu mendohet nga policia, ka zgjedhur shkallët e një dyqani dhe në gjendje tejet të rënduar psikologjike ka vendosur ti japë fund jetës. Ai ka patur në dorë disa medikamente të quajtura Loram nga të cilat ka konsumuar një sasi të konsiderueshme, megjithë ndërhyrjen e disa kalimtarëve për të mos i përdorur ato. Si rezultat i kësaj situate, ai ka rënë pa ndjenja në tokë, ndërkohë që është njoftuar policia. Menjëherë ai është transportuar në spitalin e Korçës, ku edhe ka marrë ndihmën e duhur mjekësore pasi shfaqte simptoma të helmimit. Pas nisjes së hetimeve të rastit, policia ka mundur të mësojë me shumë vështirësi vetëm identitetin e personit që tentoi vetëhelmimin publikisht, pas një kontakti të shkurtër me këtë të fundit. Sipas asaj që ka pohuar vetëm një moment, i sëmuri mësohet të jetë shtetasi Gjergji Anastasi. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale, mësohet se nuk dihet asgjë më tepër se sa kaq për këtë shtetas që mendohet të jetë rreth moshës 35 vjeç, madje nuk ka as të dhëna të tjera për vendbanimin apo familjen e tij. Burimet mjekësore nga spitali i Korçës kanë deklaruar se situata shëndetësore e Anastasit është e rënduar, teksa ai qëndron i shtruar në repartin e reanimacionit. Për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, që prej ditës se martë, ai gjendet i shtruar në repartin e reaminacionit në gjendje relativisht të rëndë, por gjithsesi, jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, i sëmuri ka konsumuar një sasi të madhe medikamentesh në kushtet e një depresioni, teksa ka nisur dhe hetimi për vepër penale të shkaktimit të vetëvrasjes të mbetur në tentativë.