E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, Partia Demokratike krijon “Këshillin e të urtëve”



Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Elbasan, Aurel Bylykbashi, ka krijuar një strukturë të re organizimi, të cilën e ka quajtur “Këshilli i të urtëve”. Në mbledhjen e parë të Këshillit të të urtëve të Elbasanit është diskutuar për zhvillimet e reja demokratike në qytet. Ky këshill është i përbërë nga anëtarë dhe kontribuues të vjetër të PD-së dhe funksioni i tij do të jetë dhënia e mendimeve në lidhje me zhvillimet demokratike dhe përgatitjen e një platforme pune dhe angazhimesh të të gjithë demokratëve në këtë vit të fundit të qeverisjes së PD-së, me synim fitoren në zgjedhjet e vitit 2009. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje deputeti Bylykbashi është shprehur se “proceset demokratike dhe ndryshimet që kanë ndodhur në këto tre vjet qeverisje të PD-së dhe aleatëve të saj, i kanë hapur udhën përgatitjeve për një lëvizje të fuqishme deri në prag të zgjedhjeve të 2009-s. Unë i kërkoj “Këshillit të të urtëve” që të thonë hapur në sy zhvillimet pozitive që kemi pasur dhe janë arritur gjatë këtyre tre viteve. Duhet t’i bëjmë një analizë bashkërisht situatës në nivel lokal, të shkundemi nga plogështia e të përgatitemi për zhvillime të reja pozitive për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme”, - theksoi ai.

Biberaj merr një post të ri në Këshillin e Europës

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka marrë dje një tjetër post të rëndësishëm në Këshillin e Europës. Ai do të jetë dhe zëvendëspresidentit i Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale (KRRIMI) të Këshillit të Europës. Ky komision u konstituua në mbledhjen e zhvilluar së fundi në Strasburg. Deputeti i Partisë Demokratike, Biberaj, i cili mban njëkohësisht edhe postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, tashmë do të mbajë dhe postin e zëvendëspresidentit të Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale. Ky komision i ri u krijua nga bashkimi i Komisionit të Rregullores dhe Imuniteteve me Komisionin e Marrëdhënieve Institucionale të KE-së. Në këtë post deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, u miratuar unanimisht nga grupi i deputetëve, pas propozimit të presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane në KE, Luc van der Branded.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›