PSD: Seancë urgjente në Kuvend për trafikun e armëve të qeverisë
Partia Demokracia Sociale ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe vënien e tij përpara organeve të drejtësisë, në mënyrë që ai të japë shpjegime rreth implikimit të tij dhe qeverisë së drejtuar prej tij në trafikun e armëve. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, tha se dorëheqja e Berishës duhet të jetë sa më e shpejtë. “Për shumicën e shqiptarëve sot, qeveria ‘Berisha’ është qeveri e kapur nga korrupsioni dhe trafiqet ndërkombëtare, ndaj dhe këtij kryeministri të papërgjegjshëm nuk i mbetet gjë tjetër veçse të largohet një orë e më parë nga drejtimi i Ekzekutivit. Përpara kësaj situate PDS vlerëson se Presidenti i Republikës duhet t'u japë garanci publike organeve të hetimit dhe atyre të drejtësisë për të përballuar çdo presion politik dhe ndërhyrje të dyshes Berisha-Topalli”, - tha Duçkollari. Ai kërkoi zhvillimin nga parlamenti të një seance urgjente për çështjen e implikimit të qeverisë në trafiqet e armëve. “Ne vlerësojmë dhe kërkojmë që edhe Parlamenti duhet të mblidhet në një seancë urgjente, për të debatuar dhe shqyrtuar faktet më të fundit të implikimit të qeveritarëve shqiptarë në trafiqet ndërkombëtare të armëve”, - tha sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari.
26 Qershor 2008