E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, ja sa do te jete paga reale per buxhetoret

Piramida e rritjes nis nga 4 deri në 26 për qind.

Ervin Koçi

Nga 1 korriku 2008 buxhetorët do të përfitojnë shtesat e premtuara të pagave, të cilat variojnë nga 4 për qind deri në 26.5 për qind. Pas kategorisë së pensioneve, të cilat do të pësojnë rritje 10-15 për qind, në varësi të kontributit, Ministria e Financave ka zbardhur edhe skemën e rritjes së pagave për rreth 110 mijë buxhetorë. Vendimi për punonjësit e shtetit do të merret në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave dhe parashikon të hyjë në fuqi më 1 korrik, ku më datë 15 të atij muaji buxhetorët do të marrin dhe shtesat e para. Konkretisht, bëhet fjalë për tetë kategori, të cilave paga do t‘u pësojë rritje në varësi të prioritetit të qeverisë. Në VKM-në e pagave, që do të shkojë për miratim në qeveri, janë të parashikuara me nivele fikse të gjitha rritjet. Rritja më e lartë e pagave këtë vit është për bluzat e bardha, ndërkohë që punonjësit e ministrive dhe të Gjyqësorit do të përfitojnë rritjen më të vogël të skemës. Ministria e Financave ka përfunduar hartimin e draftit për rritjen e pagave të buxhetorëve për të gjitha kategoritë. Po ashtu, Ministria e Financave u ka dërguar propozimet konkrete të rritjes së pagave institucioneve përkatëse, të cilat priten të miratohen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

Rritja sipas kategorive

Nga të dhënat që vijnë nga Ministria e Financave, rritjen më të madhe do ta përfitojnë mjekët, me 26,5 për qind, duke qenë kështu më e lartë se viti i kaluar, ku rritja ishte në masën 25 për qind. Bashkë me ta do të përfitojnë dhe punonjësit e infermierisë, paga e të cilëve do të rritet me 13,5 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, shtesat do të merren më datë 15 korrik, ose në fund të muajit, në varësi të institucionit që shpërndan pagat. Pas mjekëve rritjen më të madhe do ta ketë sektori i Ushtrisë, paga e të cilëve shkon në 19 për qind më tepër. Rritja e pagave për këtë kategori do të shpërndahet sipas gradave. Po ashtu dhe Policia e Shtetit, punonjësit e së cilës do të marrin shtesë pas datës 15 korrik, 13,8 për qind të pagës, ndërsa Gjyqësori dhe prokurorët do të marrin një rritje page prej 4 përqindësh. Pavarësisht se është premtuar që edhe për punonjësit e Arsimit rritja e pagave do të jetë në të njëjtët nivele, Ministria e Financave ka përcaktuar që për këtë kategori rritja të jetë në masën 14 për qind. Mësohet se janë rreth 44 mijë arsimtarë që do të përfitojnë rritje page. Synimi i qeverisë mbetet dyfishimi i masës së pagës për këtë kategori, në rreth 40 mijë lekë, deri në fund të mandatit qeverisës. Edhe pagat e tjera të nivelit të mesëm do të kenë një rritje nga 5 deri në 15 për qind. Kurse pagat e nivelit të lartë do të kenë një indeksim që parashikohet të jetë 4 për qind. Në korrik rritje pagash do të përfitojnë edhe punonjësit e ministrive në masën 5.5 për qind.

Kompensimi i energjisë

Përveç rritjes së pagave, buxhetorët do të përfitojnë 5 mijë lekë (të vjetër) edhe për kompensimin e energjisë elektrike, i cili do të fillojë të tërhiqet nga 1 korriku. Kjo shtesë në pagat e tyre do të jetë për punonjësit e administratës shtetërore, të cilët kanë të ardhura nën 35 000 lekë, ku do të përfitojnë kompensim monetar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Fondi që do t’u akordohet ministrive kap vlerën e 110 458 500 lekëve, që do t’u shpërndahet 21 ministrive dhe institucioneve qendrore. Pavarësisht se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë në masën 20 për qind për konsumatorët familjarë, qeveria nuk ka rritur masën e kompensimit, e cila vazhdon të mbetet e njëjtë. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave kanë shpjeguar për gazetën se “kompensimi për buxhetorët ishte parashikuar të niste që muajin janar, por vonesat janë krijuar nga vetë ministritë”. Pra, sipas Financave, ministritë dhe institucionet qendrore duhet të kishin paraqitur kërkesat, nga ku do të përcaktoheshin fondet. Por, nga ana tjetër, Ministria e Financave siguron se, pavarësisht vonesave në lëvrimin e fondeve, ky vendim efektin financiar e shtrin nga muaji janar i këtij viti. Pra, e thënë ndryshe, buxhetorët në pagën e muajit korrik do të tërheqin kompensimin e energjisë edhe për muajt e mëparshëm.

Pagat minimale

Paralelisht me rritjen e pagave, e kushtëzuar nga rritja e çmimeve dhe inflacioni, qeveria ka marrë pak kohë më parë një vendim për rishikimin e nivelit dysheme të pagës te privati, për qëllim të tatimit mbi të ardhurat. Kështu, nga 16 mijë lekë/muaj që është aktualisht, vendimi u mor për 17 mijë lekë/muaj. Pra, privati nuk mund të deklarojë nivel page më të ulët se kjo e dyta.

50 milionë dollarë për pagat dhe pensionit

Për zbatimin e politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve, qeveria do të akordojë një fond prej 4.6 miliardë lekësh, apo 50 milionë dollarë, ose e thënë ndryshe, do të përdorë fondin e kontingjencës së pagave dhe pensioneve. Kurse për sa i përket nivelit të inflacionit, Ministria e Financave sqaron se ai është i moderuar e nuk përbën shqetësim për indeksimin. “Inflacioni është i moderuar dhe nuk është aspak shqetësues në kuptimin e indeksimit, sepse në vendet e zhvilluara nivele të tilla inflacioni as nuk indeksohen, pasi rritja ekonomike është më e lartë se rritja e inflacionit”, - kanë shpjeguar burime pranë Ministrisë së Financave.

Qeveria, buxheti shtesë pas 10 korrikut

Burime zyrtare nga Ministria e Financave pohuan për gazetën “Albania” se, projektbuxheti shtesë 2008 do të jetë gati për miratim në datën 10 korrik. Pas hartimit nga Financat, buxheti do të kalojë për miratim në qeveri në këtë datë. Për t‘i hapur rrugë zbatimit të tij mendohet se rreth 11 miliardë lekë do të jetë vlera e investimeve, të cilat kryesisht konsistojnë me rialokime. Aktualisht, institucioni i drejtuar nga ministri Bode ndodhet në pritje të listës së realizimit të investimeve nga ministritë e linjës, në mënyrë që të ketë sa më të qartë situatën me rialokimin e projekteve.

Rritja e pagave sipas kategorive dhe numri i buxhetorëve që përfitojnë

Kategoria Rritja në % Numri i përfituesve

Mjekët 26.5 për qind Përfitojnë 4 mijë veta

Infermierët 13.5 për qind Përfitojnë 12 mijë veta

Arsimi parauniversitar 14 për qind Përfitojnë 44 mijë veta

Policia e Shtetit 13.8 për qind Përfitojnë 9 mijë e 600 veta

Forcat e Armatosura 19 për qind Përfitojnë 14 mijë e 500 vetë

Institucione të pavarura 5.5 për qind ..........................

Ministritë 5.5 për qind ..........................

Gjyqësori dhe Prokuroria 4 për qind ...........................

Përfitojnë në total rreth 110 mijë vetë

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›