E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: “Nano të rikthehet në PS, të mos flasë në televizione”

Numri 2 i PS-së: “Ftesa për LSI-në është e hapur, para dhe pas zgjedhjeve”. Ruçi: “Përçarja e së majtës rrezikon fitoren në zgjedhje”

Shaban Sulçe
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, bën thirrje për një bashkim total të të gjitha forcave të së majtës për të fituar zgjedhjet e vitit 2009. Numri 2 i selisë rozë, gjatë një interviste për “Vizion Plus”, ka deklaruar se e majta ka shansin më të madh për të fituar zgjedhjet si rezultat i dështimit, përfshirjes në afera kriminale të anëtarëve të qeverisë dhe pakënaqësisë së madhe të shqiptarëve ndaj maxhorancës aktuale. Por Ruçi ka deklaruar se përçarjet në opozitë e rrezikojnë këtë fitore, dhe për këtë arsye ai i ka bërë ftesë bashkëpunimi jo vetëm ish-aleatëve të LSI-së, por edhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
E majta
I pyetur nëse përçarja midis LSI-së dhe PS-së rrezikon fitoren e së majtës për zgjedhjet e vitit 2009, Ruçi e pranon një gjë të tillë teksa thotë se është shumë e rëndësishme rivendosja e bashkëpunimit midis dy partive të mëdha të opozitës. “Ftesa për një koalicion para, gjatë dhe pas zgjedhjeve është permanente nga Partia Socialiste. Lidershipi i Partisë Socialiste, me gjithë turin e dialogut me Shqipërinë, kërkon një koalicion jo vetëm me aleatët tanë tradicionalë, por edhe me aleatët e rinj, dhe pse jo, jo vetëm me aleatët tanë, por me të gjithë shqiptarët, me qëllim që të marrë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes së këtij vendi”, - tha Ruçi. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste theksoi se ftesa për LSI-në është e hapur si përpara zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu edhe pas tyre. “Bëjmë thirrje se asnjëherë nuk është vonë, me qëllim që të vendosim urat e bashkëpunimit dhe dialogimit si përpara fushatës elektorale, gjatë fushatës elektorale dhe mandej për mandatin e ardhshëm qeverisës të qeverisjes së të majtës”, - tha Ruçi.
Nano
Numri 2 i Partisë Socialiste ka bërë dje një ftesë surprizë në drejtim të ish-kryetarit të socialistëve, Fatos Nano. Ruçi e ka ftuar ish-liderin e PS-së që të shprehë shqetësimet e tij brenda familjes socialiste. “Mendoj se unë me pjesëtarët e familjes time politike asnjëherë nuk i kam ndërprerë marrëdhëniet e mia miqësore, njerëzore, familjare dhe politike. Kështu që edhe herë tjetër kam theksuar se problemet që ka një familje politike është mirë që mos t’i bëjë dhe mos t’i lërë thjesht këto komunikime dhe të gjitha rrafshet t’i realizojë nëpërmjet ekraneve televizive dhe faqeve të gazetave”, - tha Ruçi. Ai foli gjithashtu edhe për propozimin e PS-së për aplikimin në zgjedhje të sistemit proporcional rajonal. Sipas tij, ky sistem jo vetëm është kredibël për shqiptarët, por garanton edhe fitoren e së majtës në zgjedhjet e vitit 2009.

Gërdeci
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka komentuar edhe çështjen “Gërdeci”. Ruçi tha se Gërdeci nxori në pah aferat kriminale të anëtarëve të qeverisë. Sipas tij, kjo është arsyeja, por edhe shumë afera të tjera, të cilat e shtyjnë maxhorancën për të uzurpuar Gjykatën e Lartë, në mënyrë që të mos dënohen fajtorët e vërtetë, të cilët janë pjesë e qeverisë. “Sot kemi një qeveri të anatemuar jo vetëm nga opozita, por nga i gjithë publiku për mjaft afera kriminale, siç është çështja e Gërdecit. Kështu që gjithë tentativa që po bëhet, gjasme në emër të mbrojtjes së vendimit të ashtuquajtur të Gjykatës Kushtetuese, që fshihet në fund të fundit Partia Demokratike dhe lidershipi i Partisë Demokratike, kërkojnë që Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë ta uzurpojë me militantë partie, me qëllim që të marrë në mbrojtje aferat e anëtarëve të qeverisë”, - tha Ruçi. Ai e ka komentuar përplasjen e presidentit Topi me maxhorancën si tentativë e parë për të dhënë sinjale se nuk është më nënkryetar i Partisë Demokratike. Ndërkohë, lidhur me përmendjen e ambasadorit Uidhers për çështjen e trafikut të armëve, Ruçi tha: “Nuk dua që të bëj komente për këtë çështje. Nuk dyshoj aspak që të ketë pjesë përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në tragjedinë e Gërdecit apo në transaksionet që janë bërë lidhur me tregtinë e armëve në Shqipëri”.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›